Poezi nga Leonard Bixhili

Poezi nga Leonard Bixhili

 

KËTË RADHË …..

(Kushtuar nënës time në përvjetotin e parë të vdekjes)

Këtë radhë nuk do vij si herët e tjera,
këtë radhë e di, nuk kam njëri të më pres,
ndaj s’kam pse ngas makinën më shpejtë se era,
ndaj s’kam pse ngas makinën me marshin e pestë.

Këtë radhë dhe muret do më ngjajnë të ftohta,
ndaj do i vij shtëpisë vërdall e vërdallë,
i sigurtë se shpirti yt diku këtu do jet ndofta,
në dhomë, në guzhinë a duke pritur në shkallë.

Këtë radhë dhe kopshtin do e gjej pa punuar,
jo si vitet e tjera me perime mbjellë,
ferrat dhe shkurret do ta kenë mbuluar,
ktë radhë s’do gjej mbi tavolinë një pjat’ gjellë.

Këtë radhë do vij, por gjatë nuk do rri,
shpejt do i mbledh plaçkat ashtu si një jetim,
ktë radhë do vij thjesht të të ndez një qiri,
të mos mendosh: ‘’Sa shpejt m’haroi djali im” !…

Ktë radhë sytë do më mbeten nga dera,
do vij dhe do ikij, jo si herët e tjera.

 

MOMENT FANTAZIE

Një erë e fortë të fryj, të na shtyjë të dy
drejt një vendi të pashkelur dhe më parë,
papritur të shfaqet para nesh si me magji
një avion dhe me vete të na marë.

Lart në qiell, mes resh të bardha të udhëtojmë,
sipas qejfit tonë të komandojmë dhe motin,
herë t’i shpërndajmë retë, herë t’i bashkojmë
dhe të ndihemi se aty lartë
ortakë u bëmë me zotin.

Kur të vij’ nata me yje, veshur me stoli,
nën dritën e hënës le të vëmë kurorë,
të na shikojnë Perënditë dhe t’u vijë zili,
ndërsa zoti të bëj pak kohë për ne:
“Një vesh shurdh e një sy qorr” !

Avionin, diku aty, afër hënës ta parkojmë,
të ndjekim me dylbi seç po ndodh në tokë,
të vendosim të kthehemi prapë kur të mësojmë,
se njëriu, më në fund, vuri mendje në kokë.

Atëherë, vetëm atëherë ja vlen këtu të jetojmë
gjith’ bashkë si miq, si vëllezër dhe shokë.

 

Natë dimri

Dhe sot shiu që bie, s’ka të mbaruar,
drurët e lagura bëjnë tym në oxhak,
jam vetëm dhe vetmia do luftuar,
mora rakinë dhe fillova të kthej nga pak.

Drurët e njoma n’ oxhak zun’ e kërcasin,
gjitonët fikën dritat, ran’ për të fjetur,
as unë u flas e as ata më flasin,
në një fshat ku pak banorë kemi mbetur.

Dhe rrugët që dikur ishin plot, mbetën shkret,
bile jan’ ngushtuar dhe jan bërë rrugica,
llafosem me murret dhe ngre dollira vet
dhe sytë nga rakia më lëshojnë xixa.

Llafosem me muret dhe fotografitë,
tym ësht’ mbushur dhoma dhe më zihet fryma,
dhembjet në trup më jan shtuar këto ditë,
ndërsa shiu jasht’ vazhdon të bjer’ “me gjyma”.

Dhembjet më shtohen, vjen ngadal pleqëria,
un, që deri dje, s’kisha pir’ aspirinë,
por dhembja më e madhe është vetmia
ndaj, mos i hapni derën edhe shtëpinë.

 

VENDLINDJES

Do të bëhem pulëbardhë, do të bëhem dallëndyshe
të shtegtoj aty ku dielli lind e perëndon ndryshe.

Do të gjëndem n’ato vende, do të gjendem n’ato anë
ku më përshëndet dhe guri dhe s’më kthen kokën mënjanë.

Ku dëgjohen cicërima edhe gjumin m’ëmbëlsojnë,
ku në mosh’ ndjehem i ri sado vitet të kalojnë.

Ku vjen shiu me gjëmime edhe dita bëhet natë,
kur pushon për pak minuta këmba më s’të shkel në baltë.

Ku shkon uji i lumenjve që i jep dhe gurit jetë,
ku kam varret e të parëve, një batalion e një çetë.

Ku parcelat jeshilojnë nga agrumet dhe ullinjtë,
ku vjen vala lozonjare edhe puthet me shkëmbinjtë.

Ku del hëna, hën’ e plotë, ndriçon rrugët dhe kalldrëmet
dalin djemtë edhe vajzat dhe fillojnë nga ‘’takëmet”.

Ku dhe vdekja vjen e ëmël se të vjen lehtë – lehtë,
ku të shoqëron kortezhi sikur të kesh qënë mbret.

Në pata fatin e keq të mbetem në vend të huaj,
kujtimin tënd do marr me vete dhe në zemër do ta ruaj.

 

DO TË MARR SA TË VIJ VJESHTA
(lirikë)

Thirra yjet,
zbova hijet,
të mos kesh më frik’ në rrugë.
Ama kur të marësh pyjet,
do të pres si dhinë në shtrungë.

Zbrita shtegun,
mora bregun,
thirra valën t’më ndihmojë.
Në pikë e vapës, zhegun
me një dorë ta largojë.

Prita shumë,
nuk kam gjumë,
veç në ëndrra të shikoj
Edhe kur humbet në turmë,
vuaj shum’ të të kërkoj.

Jam zën’ ngushtë,
s’vilen rrushtë
po s’u poqën, po s’u nxinë.
Pa le ta pësosh si dhelpra
kur zgjatesh e si arrinë.
Ndaj un’ e kam vënë me kusht,
jo me fjalë por me vepra.
Do të vë unaz’ në gusht
edhe vellon sa t’vij vjeshta.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s