Rrëfimet e një stoli… / Nga: Flogerta Krypi

Rrëfimet e një stoli…

 

Nga: Flogerta Krypi

Im atë dikur më kishte paralajmëruar se liria nuk kishte rrënjë, ndaj duhet ta mendoja mirë nëse ndonjëherë do të më shkrepej në kokë të ikja në kërkim të saj. Nuk duhet të dorëzohesha për asnjë arsye dhe të ulja rezistencën. Ne nuk kishim asnjë funksion tjetër, përpos atij të të dhënit oksigjen për botën. Isha e bindur që ai e kishte gabim. Nuk e dëgjova. Isha pema më jeshile në gjithë atë pyll. Kjo nuk mund të ishte rastësi. Çdo gjë ndodh për një arsye në jetë. Këtë i thashë vetes ditën që njerëzit erdhën dhe më prenë. Nuk e kisha idenë më të vogël sa i lartë ishte çmimi që duhej të paguaja për të parë botën, për të qenë veç një herë e lirë. Nuk e dija që duhet të braktisja veten përgjithmonë. Liria nuk kishte rrënjë, e më e keqja nuk kishte as formë. Nuk ishte veprim, ishte ndjesi.
Në fillim më copëzuan të gjithën. Nuk u ankova. Nuk kisha pse. Po më gdhendnin. Po më jepnin një identitet të ri, por kjo nuk kishte asgjë të keqe. Do të isha gjithmonë unë, për sa kohë zemra ime do të rrihte njëlloj. Fatkeqësisht brenda një kohe shum të shkurtër zemra ime u nda në disa pjesë. Bërthama u ruajt rastësisht, por nuk kisha më të njëjtën strukturë. Kur më çuan në fabrikën e përpunimit kuptova se kisha mashtruar veten. Aty u takova me shumë lloj qëniesh. Ata më kaluan nga dora në dorë dhe të gjithë kryen një proces mbi mua. Nuk e kisha idenë më të vogël se çfarë po bënin me mua, por nuk mund të ankohesha. Pse duhej? A po kërkoja të gjeja lirinë? Kjo pra ishte liria. Përpunim, proces, transformim dhe formë relativisht finale.
Pas disa kohësh mora vesh që më në fund do të më çonin të jetoja në sheshin e një qyteti. U ndjeva mirë. Mbase më në fund do të merrja pak ajër. Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë sa ndryshe ishte ajëri nga shtëpia ime e parë tek fabrika. Tashmë që e dija shpresoja vetëm që ajëri i qytetit të ishte pak më ndryshe. Dhe rezultoi të ishte ndryshe, ashtu si dhe unë. Isha kthyer në një stol. Më kishin bashkangjitur disa copëza metali dhe gjithashtu më kishin llustruar. Qe shumë e vështirë të përshtatesha me pjesët e reja të miat. As nuk doja të mendoja se kishte përfunduar ajo pjesë e panevojshme nga unë. Metalet që më kishin ngjitur ishin të ftohta dhe bosh. E kishin humbur zemrën prej dekadash. Ata jetonin shumë gjatë, por i nxirrnin shpejt nga toka. Zjarri ishte fatal për ta. Iu shkrihej zemra përgjithmonë. Zjarri ishte fatal dhe për mua. Të paktën kështu mendoja dikur.
Ditën që më vunë në sheshin e qytetit shtanga. E kisha menduar prej vitesh si mund të dukej një qytet. Tani mund t’a shihja, por u ndjeva bosh. Nuk e kuptoja pse. Ndonëse kisha shumë njerëz rreth e rrotull nuk gjeja dot qetësi. Pse? Unë isha e lirë. Tashmë isha një stol. Kisha një funksion tjetër. Rritja në detyrë duhet të më kënaqte, por nuk isha. Mu kujtua ime atë. Ai jetonte akoma në pyll. Të paktën herën e fundit që e pashë, ishte akoma atje. Me të nuk flas që kur kam ikur. Nuk e di si është. Do doja t’i tregoja për qytetin, botën, njerëzit, por nga këtu ku jam nuk mundem. I thashë një fëmije t’i çonte fjalë, por ai nuk më përfilli. Se kuptoja dot pse në fillim. Pastaj e kuptova. Njerëzit nuk më dëgjonin dot. Unë isha thjesht një stol. Një gjë ku ata mund të uleshin, shtriheshin, flinin, qanin, qeshnin, mendonin, por askush nuk më dëgjonte.
Jetova disa vite në atë shesh. U mësova me gjithçka, Pashë gjëra që nuk i kisha imagjinuar. Ndjeva shiun, erën, borën, diellin, çdo stinë. Zemra po më dobësohej. Çdo vit e më keq. E kuptuan dhe njerëzit ndaj më hoqën prej aty. Më dërguan në një park. Nuk e dija që dhe stolat ishin thjesht një çast në kohë. Mendoja se jetonim përjetë. Nuk më kishte thënë njeri që zemra jonë rrihte njëlloj dhe kur ishe send. Dua të them rrihte njëlloj biologjikisht, por jo me ritmin e dikurshëm. Ishte një frymëmarrje e dhënë peng, që priste të rikthej sërish tek i zoti. Fatkeqësisht u deshën dekada që ta kuptoja këtë. E shikon, jeta është e çuditshme dhe për një stol. Sikur ta dinte im atë sa histori kam dëgjuar. Nëse do të kisha qenë njeri me siguri do të kisha shkruar me dhjetra libra. Fat i ligë ky i imi. Fat si ai i gjithë të tjerëve. Nuk kishte asnjë diferencë dhe pse isha pema më jeshile në pyll. Liria pa rrënjë, nuk ishte liri. Kisha marrë një jetë me qera.
Tashmë kam kohë që jam zhvendosur në park. Ridëgjoj histori. Jam plakur. Ajëri është më i pastër se në qytet, por njerëzit vijnë më rrallë. Nuk e kuptoj pse. Si mund të duan sheshin e një qyteti më shumë se parkun. Më vjen keq për ta. Një pjesë më kujtojnë veten. Janë pa identitet sikurse unë. Kam qarë për ta, njëlloj si për veten. I kam ngushëlluar sa herë kam mundur, por njerëzit nuk e kuptonin jetën e një stoli si unë. Për ta kisha veç dy funksione praktike. Një vend për t’u shtryqur ose një vend për të pritur. Më pëlqente më shumë kur më përdorin për të pritur dikë. Ndonjëherë prisnin dhe veten. Isha e kënaqur të isha destinacion tranzit. Të paktën unë kisha akoma zemrën e një peme, ndonëse isha kalbur.
Dje dëgjova të komunales se do vinin të më merrnin. Do të më çonin për riciklim. Nuk e di pse dreqin kërkonin të më rikthenin sërish, por këtë herë në një formë tjetër. Dje qe hera e fundit që e kujtova tim atë. Sot thjesht po shkruaj për të. Ai ishte ndër pemët më të vjetra. Ai kishte rrënjë. Unë nuk kam. Tani që jam e lirë pse nuk jam më jeshile? Mbase e ka fajin toka ku më vënë ose ndoshta funksioni. Ose ndoshta unë. Liria nuk është veprim, është ndjesi. Ndaj sot vendosa të thaj zemrën dhe të prehem e qetë. Nuk jam më as pemë, as stol. Jam të dyja. Mbyll sytë. Më flihet gjumë. Kam shumë kohë që nuk fle gjumë. Dua të pushoj. Do bëhem hi shpejt. Do kthehem në tokë. Këtë herë nëse do rilind, do e di më mirë se çfarë është rrënja. Liria jam unë…

#flogertakrypiwritings

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s