NATA TOSKIANE (Koment poezisë “NATË” të Xhelal TOSKUT) / Nga: Natasha Xhelili

NATA TOSKIANE
(Koment poezisë “NATË” të Xhelal TOSKUT)

 

Nga: Natasha Xhelili

“Askush më
nuk do të bëhet natë për ty
që të gjesh yllin e humbur dikur.
E zeza ti,
e zeza ti,
o tokë e errët.”

Simboli i natës trokon në prurjet e letërsisë në të gjitha kohërat. Brumi i saj ngjizet në simbolikën që e shoqëron. Ajo përshkohet nga tipare që janë të qenësishme si errësira, fshehtësia, në tipare të huazuara nga filozofia ekzistencialiste si liria, frika ndaj një bote absurde dhe përgjegjësia që ka njeriu për të jetuar në mënyrë autentike, por në poezinë e Xhelal Toskut ajo mëkëmbet nga një këndvështrim i ri që i bashkangjitet kuptimeve më lart.

Ai i drejtohet tokës së errët me një mallkim, edhe pse në pamje të parë nuk duket kështu. Askush më nuk do të bëhet natë për ty. Zakonisht në mallkim themi: mos të zëntë dita, ndërsa këtu ka diçka jo të zakontë. Mohimi i dyfishtë që në vargjet e para, vazhdon me përsëritjen e vargut E zeza ti dhe mbyllet me togfjalëshin tokë e errët. Një trinitet i frikshëm që shpalos pakufijshmërinë e fuqisë së vargut shpalosur nga një eremit i poezisë shqipe bashkëkohore.

Ndërkohë që ngjyrat e tjera në poezi mungojnë, kjo për të dhënë më të plotë pamjen e një nate toskiane, mbizotërimi i të zezës pritet të ndriçohet nga ylli i munguar apo i humbur që ndriçon si një diell, se ai është një yll i vetëm që kërkohet. Po ç’është ky yll? Pse ka humbur? E në fund të fundit si mund të humbas një yll? Si mund të resht së ndriçuari? Situata është e ngarkuar me velin e misterit duke u shtresëzuar në vetëdijen tonë me një pafundësi pyetjesh që presin përgjigje.

E gjithë kjo vetëm në rrafshin e parë.

Nënkuptimi në poezi apo kuptimi i dyzuar është cilësi e leximit të saj. A mund t’i kërkojmë dikujt të na bëhet natë, që ne të kërkojmë yllin e humbur dikur? Është një kërkesë absurde. Një kërkesë që kërkon një sakrificë të madhe. A mundet të ekzistojë një njeri i tillë? Ndërsa kërkojmë në përgjithësi dritën për të gjetur gjithçka, Tosku kërkon errësirën për të dalluar yllin në qiell, se ylli dallohet vetëm në errësirë.

Po tokës së errët i duhet qoftë edhe një dritë ylli, një shpresë sado e vogël për të filluar. Autori tregohet i ashpër me fatin e kjo i ngjan fjalës së urtë popullore “Buka e thyer nuk ngjitet më”

E parë në një dritë tjetër shihet një mundësi, një mundësi e humbur në jetë në mënyrën më të keqe. Mundësitë janë unike, ato nuk mund të rikthehen. Njeriu duhet ta shfrytëzojë mundësinë e artë që i jepet. Notat e vajtimit në vargjet e fundit shoqërojnë korin e vajtocave që mbyll siparin e një tragjedie.

Poezia rreh të trajtojë një temë të rëndësishme, të ngrejë në lartësi një ndjenjë që nuk eshtë vlerësuar, të çmontojë kultin e rrëzuar të dashurisë, duke mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të personit të dashuruar. A mund të jenë këto fjalët e një zemre të thyer nga dashuria? A mund ta përballojmë një të dashur të tillë? Çfarë mëkati të madh paska kryer për t’i lëshuar një mallkim? Dashuria nuk i njeh këto ngjyra, ajo këtu ndodhet në kufijtë e ekzistencës. Ndoshta është edhe një ftesë e fundit për paqe(ylli i humbur) megjithëse duket që errësira e ka pushtuar këtë shpirt e s’mund të ketë më shpëtim. E lëkundur mes dy botëve reale dhe sureale, e veshur me petkun e errët të trishtimit, kjo poezi larton ngrehinën fjalëpake të dukjes me fuqinë sintetizuese të mendimit që ngërthen vargjeve. Poezia ndjek një rrugë të vetën që ndez dritën në fund të tunelit me gjithë fuqinë e errësirës së dukshme të saj.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s