Poezi nga Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

 

PLAKAT QË IKËN DIMRIN E KALUAR

Këtë dimër ato ikën njera pas tjetrës sikur ta kishin bërë me fjalë…

Tani varret tuaja kanë zënë barin e parë, të njomë,
Tek sheshi ku u shtritë buzë një lumi,
Në dhomë shilteja e vogël rri e pikëlluar akoma
Dhe ne pa kollën tuaj mezi na zë gjumi.

Trikot për mbeskat të mbetura me një mëngë,
Presin zonjat e jetës, në sirtaret e bufesë,
Si sy i pikëlluar malli, i përlotur pas xhamit
Rri, vështron e qan xhezveja e kafesë.

Mbetën ftonjtë për nipërit nga qyteti në sepete
Si pëllumba gushë- push – verdhë në kuvli,
Nuk ka zemër asnjeri,…kush t’i nxjerrë?
Ah, sa gjëra vdesin bashkë me juve,…Sa çudi!…

Tani varret tuaja kanë zënë barin e njomë,
Zemrat tona blegërijnë për ju, (si dëgjoni?!)
O gra të gjalla që po thinjeni, plakuni shpejt,
Vendi i tyre është bosh, ju lutem nxitoni!…

Turan, Tepelenë, 1985

 

MUZIKË PËR NËNËN

Në dritën e yllit
Që ruan një shpresë,
Tek bisha e pyllit,
Tek orë e pabesë,
Tek gjembi i ferrës,
Nën hijen e hënës,
Në buzë të humnerës
Ruan syri i Nënës….

Tek dhembi i nepërkës,
Tek tehu i thikës,
Tek mallkimi i njerkës,
Tek kombi i frikës,
Në ah të psherëtimës,
Tek vala e lumit,
Tek degë e vetëtimës,
Mbi jastëkun e gjumit…

O bir, që Nënën
E bëre të qajë,
Vrapo se lotët
Kush mund t’ia thajë?!
Veç nëna e gjorë,
Kur rreziku na zë,
Vrapon përmbi borë
Dhe gjurmë nuk lë…

Turan, Tepelenë, 1985

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s