PRAGJET ( *poemë për mësues, prindër, fëmijë dhe aadoleshentë) / Poemë nga Dr. sc. Bardhyl Maliqi

Poemë nga Dr. sc. Bardhyl Maliqi

 

PRAGJET
*poemë për mësues, prindër, fëmijë dhe aadoleshentë

Përjetësimi.
Ç’është ky prag kështu:
kokë djepi a gur varri,
këmishë dhëndërie a qefin i bardhë,
prag vdekje a prag jete,
ky Gjergj Elez Ali i Ri me 99-të plagë?!
Ky prag është nusja e legjendës
A vasha e valëve,
që rend si hëna pas dashurisë së një ylli
dhe në ia kërkofshin të kapërcejë ylberin
do ta bëjë,
sikur të trandet
Toka dhe Dielli.
“Un’ do ‘vij me kalë të bardhë,
un’ do ‘vij me at me shalë,
at me shalë e at me fre,
porsi hana nëpër re!”
Ujana,
Ti sigurisht që e di.
se Ky Prag na bashkon,
se Ky Prag na ndan,
Këtu ka lule,
Tufan matanë!
Ky është pragu i ligjit,
moralit,
besimit.
A prag i anarkizmit,
flligështive,
pabesisë?
Është prag qëndrese
A është prag tjetërsimi?
Më thuaj cili je?
Je rob a njeri?
Prag i ndërrimit të kohëve,
stinëve,
mijëvjeçarëve,
Është prag i bardhë a është sterrë i zi?!
E përcaktojnë Fatijet dhe Zotat e marrë
dhe Njerëzit e përçartur besojnë verbërisht,
Veç
unë kaherë i kam i kam kapërcyer pragjet,
dhe kur qe nevoja shkallmuar fundësisht;
ndaj era më fshikullon,
më rreh egërsisht!

Dhe fëmija rritet
mes besimit dhe mosbesimit,
autonomisë kundrejt turpit,
pavarësisë përballë dyshimit.
iniciativë kundrejt fajit,
zell ndaj inferioritetit,
identitet adoleshence
ndaj konfuzionit të planetit,
Intimitet kundër izolimit,
përkatësi dhe dashuri
produktivitet i një burri
jo vetabsorbim në vetmi,
integritet kundrejt vetë dëshpërimit,
por,
më ngadalë se shpejt ia shalove harrimit…
është kërthi ende,
është ende fëmijë,
paçka se prapësinat i do për çudi.
I picërron sytë dhe bebëzja reagon
ndaj errësirës dhe dritës
tkurret, zgjerohet;
valë elektromagnetike
në korne, në iris,
nga lentet
rendin me vrap në retinë
nga portat e dritës
ikonat e sendeve
përmes impulsesh nervore
përmes shkopinjsh e konesh
në tru perceptohen.
Sytë, ah sytë, ç’mrekulli e natyrës!
kush pyet për ngjyrat dhe format natyrisht
është i dashuruar pas syve të kaltër,
të gjelbër, kafe dhe të zinj sigurisht.
Fëmija prej syve nxë gjysmën e botës
kapet pas kolorit, paraqitjes dhe formës,
vëren ndryshimin, lëvizjet, shpërthimet,
rendjen në rrugë,
vërtitjen në hapësirë.
dhe për gjysmë sekonde
nga kujtesa shqisore,
perceptimi
ngulet në tru i pavdirë.
Me sy nesër fëmija do nxërë alfabete,
do ‘ shfletojë biblioteka,
do ‘ gërmojë në internet.
me e-mail do të shkëmbejë mesazhe,
leksione dhe detyra,
do të mësojnë në distancë
si mësuesit në KUALIDA.
dhe emocionet e së bukurës
prej sysh do t’i marrë.
se për këdo dritë e syve është krejt e shenjtë,
për sytë e ballit do të betohet për jetë!
S’dua të zgjatem t’ju them gjithçka di
po gjithë receptorët përbëjnë një çudi,
dhjetëra antena që kapin ngacmime,
i përcjellin të sakta në qendrat aktive,
përcaktojnë Pragun Absolut dhe
Pragun e Ndryshimit,
Kështu është e pamundur t’i shpëtosh ndijimit.
Ndaj mësuesit e mirë këtë qartë e dinë
dhe në klasa bombardojnë receptorë pa mbarim:
në tavolina me grupe shumica punon,
dy demonstrojnë, një pjesë eksperimenton,
sekretarët në kompjuter të dhëna regjistrojnë,
“djathtistët” tregimet me figura ilustrojnë,
Admiri dhe Fotjoni shkruajnë vjersha dhe ese,
veç Julian trazovaçi mban kokën në re.
Lideri i grupit dhe atë e vë në punë,
paçka se me përtesë, dhe Goni ndërroi gunë.
S’ka nxënës syleshë, as djem veshëdyll,
veç zgjo interesat, motivo më të mirët,
përsos metodat, teknikat, strategjitë,
në vlerësime të matshme rreshtoji njohuritë,
sfida inteligjence dhe emocion sigurisht,
lehtëso komunikimin, mos qorto “gabimisht”.
fëmija është i ndjeshëm si lastari i hardhisë
programoji si lodra detyrat e shtëpisë,
dhe lojërat mësime shndërroji në klasa,
po zgjove kureshtjen, s’ka “tabula rasa”.
Vala zanore nga ajri hyn në vesh,
lëkund membranën dhe lëngun e kërmillit,
vibron kockat e kokës së Vitës dhe Adilit,
reagojnë nervat e membranës bazilare,
dhe Tingujt vibrojnë në tru si era në dritare,
dhe fërgëllojnë në qelqe lumbardhat e De Radës,
kur zëri i dashurisë të ngre në mes të natës,
të thërret mbi libra intimiteti dhe pasioni,
apo poshtë dritares të thërret zëri i gjitones?
Nga jashtë me ajrin vjen aroma
e peshkut të skarës,
nuhatja nxit shijen e perceptimit përkatës,
dhe nga sythat e shijes së pupilave ngadalë
impulsi nervor shkon në korteksin parietal.
“Të shtrohet dreka!” – vjen urdhri final.
Kafshimi, përkëdhelja, kruarja, shtërngimi,
temperatura, prekja, dhimbja, fërgëllimi,
janë atribute të lëkurës së hollë, të inervuar,
kudo, në gjithë trupin, jo vetëm në duar.
në zonat e rrezikshme dhe zonat erogjene,
kënaqësia dhe dhimbja bëhen prezente.
Kinestezi dhe ekuilibër ka gjithë organizmi,
mos e tepro me posturat, me klithma vibrimi,
akrobacitë e klounëve e kanë një masë:
kujdes se këmba rrëshqet në dërrasë!
Dhe dhimbja e trupit s’është si dhimbja e shpirtit
që s’ka porta bllokuese në palcë të kurrizit,
por ka dhimbje të shpejtë dhe dhimbje haplehtë;
ka dhimbje kalimtare
dhe të përhershme në jetë.
Të kalitesh në dhimbje është virtyt i vërtetë,
po dhimbjen pa e shfaqur, pa e joshur vetë!
Organizimin perceptiv mësuesi e di mirë,
afërsitë, ngjashmëritë, kundërshtitë ndikojnë,
asosacionet të bëjnë poet,
iluzionet të mashtrojnë,
kujdes botën jokonstante, rregullat figurë-sfond,
pritshmërinë, vëmendjen, emocionin vagabond!
Cilido edukator që jetën e njeh mirë
e di se receptorët punojnë me dëshirë,
se s’ka nxënie të artë pa botëpërjetim,
Kush mendon ndryshe e ka veç gabim!
Në shkollë
– O zysh, po në lojë unë zura tre shokë,
Më flasin miqësisht pleq e të rinj,
bëra gola klasi
në tur munda të zinjtë
dhe tridhjetë pikë
në volejboll sot në det
në palestrën e shkollës
trepiksha sa desha
dërgova
në kosh e kalova në rrjetë!
Tani dhe vajzat më shohin më ndryshe
po mua më pëlqen veç një sylarushe,
po ku di gjë ti veç trigonometrisë,
e ke harruar rininë në sirtarët e kujtesës,
po mos u mërzit se
s’ke faj,
o zyshe!
Jashtë është natyra, orkestra e zogjve
të joshin cicërimat
thotë Zhak Preveri,
Mësimi i mërzitshëm kërkon tjetër kurë
mëso në natyrë, këshillon Rusoi,
shkollë peripatetike, Aristoteli.
Një mësim në shëtitje
të bën Aleksandër,
por do një mësues Aristotel të vërtetë;
ndërsa mësuesja jonë griset në dërrasë
shet tollona morali skarco
këtu e dhjetë vjet!
Ndërsa ne përtypim fara luledielli
vizatojmë, shkarravisim shkencëtarë e poetë,
i bëjmë piratë, banditë e killer
thumbojmë nën buzë,
nxisim tërbimin
dhe e hanë qullashët
e klasës së shkretë!
Sportistë e skuadra dimë me qindra përmendësh,
melodi muzikore, ritme dhe rima,
këngëtarë dhe grupe
rendin në kujtesë;
veç mësimet shkollore me pak përjashtime
te Hani i Tosos fshihen në kthesë.
Rendim në Parti, Pabe, Diskoteka,
këndojmë Rep dhe
kërcejmë Hip-hop,
organizojmë ekskursione
enciklopedira,
universe;
veç në fizikë
biem në gropë!
Vijmë në vjeshtra më keq se në maj,
veç baballarëve u fishket kuleta:
gjithë bota blen kënaqësinë e verës
veç ne
blejmë pesat e shkreta…
Thonë kemi lindur me dominanca të djathta
lapsin me të majtën morëm së pari,
“Mëngjarash!”
Këmbëters!”, këlthiste gjyshja
dhe edukatorja avazin që la i pari.
“Ky djalë është brekth”, – thoshte im atë
kur unë me shqelma
e godisja në shpinë,
në barkun e mamit vërtitesha fugë,
çudisja gjitonet,
çudisja mamitë.
Dhe nuk më pritej të dilja në jetë
botës i duhen dhe ca prapësira,
prapësira fëmijësh them sinqerisht
se prapësi politikanësh ka ende me mijëra.
Shkopi magjik
Më kujtohet mirë se ç’bëja me bastunin
e shkopin e thantë të xha Nezirit në fshat
Shkopi mes shalëve të mija bëhej kalë
dhe hingëllinte e hidhej tej me galop.
Si tregues hartash bëhej herën tjetër,
si bastun, si çadër pse jo si skeptër.
si violinë, si xhaz, si fyell, si fagot,
tinguj të magjishëm përcillte në botë.
E shkopi i gjyshit si bastun dirigjenti,
që bënte të dridhej melodirash planeti.
shkopi bëhej heshtë, shigjetë dhe shpatë,
kamxhik dhe çifte, në netët pa fat.
Me të imitoj peshkatarët në breg,
e përdor si kosore për të çarë një shteg,
dhe kur e teproj me vonesa sërish,
shkopi egërsohet dhe bëhet bishë.
Fshikullon, përdridhet si kamxhik te pragu
dhe ma bën kurrizin më të butë se barkun,
mërzitem, marr trastat në shkop si refugjat
rrugët e botës të nesërmen mat.
Në rrugë si ekuilibër të dy peshave e vë,
kush tha se ky shkop s’ shërben për asgjë?!
të lozësh në tokë, të ndash kufij e shtete,
ta vesh si lab antenë në qeleshe.
Të luash Pile-poskën dhe Prencin përsëri
dhe turravrap pas shkopit të rendësh në kufij,
të shkruash në baltë, të gërvishtësh në rërë,
të shposh tullumbacet si të ishte gjilpërë.
Ta bësh tavan për T-në dhe për L-në dysheme
me dy shkopinj të imitosh avionin në re.
Po u desh kanalin ta hedhësh trefish
me shkop kërcen si majmuni me bisht.
Ta bësh si kryq e të kryqëzohesh sërish
dhe pas tri ditësh i ringjallur të mbërrish.
Ta bësh minare e të falesh pastaj,
të ndash dy skuadra; me hosten të ngasësh buaj.
Tej resh, horizontesh të fluturosh si shpend,
në lobin parietal fantazia të rend’
paçka se tetë faqe s’i kopjova përsëri
dhe nesër zysha si stuhia do t‘shfryjë…
Dhe shkopi më bindet dhe fle si fëmij’
tash është gati ta mbjell në tokë përsëri,
të gjethojë në pranverë Blerimin e Ri!
Sërish në klasë
Kam mendje pjellore plot fantazi,
të mendosh pak më ndryshe,
a s’është mrekulli?!
– Ardi, ku kullot, pse s’u bë vizatimi?
zgjohet zëri i zyshës si tigër tërbimi.
– E bëra në kompjuter me ngjyra, o zysh,
një pyll vizatova, ca kaproj dhe një arushë.
– Po pse arushë vizatove vetëm një, Ardush?
– Po ajo ishte zysha, unë ç’të bëja më?
Kur kaprojtë s’i bindeshin bënte kërdinë
kërciste putrat mbi tavolinë…
Shakaja me kripë krijon tollovinë,
por zysha këtë herë nuk mori inat
qesh nën buzë me djalin e prapë,
është dhe vetë nënë dhe mirë e di-në
sa qejf fëmijët e kanë tollovinë.
dhe klasa me 50 nxënës nuk merr dot frymë.
ndaj ndonjë pëlcet po s’bëri gallatë
ta di se turinjtë ia bëjnë sallatë…
Marr guximin dhe zyshën e pyes sërish,
pa ç’ka se do thotë: “S’e di këtë, o kokëmish?!
Radyard Kiplingun fëmijët e kanë mik
se ai të mëson të pyesësh, të dish”.
“Gjashtë shërbyes besnikë kam,
(Më kanë mësuar gjithë ç’di)
I quajnë Pse?, dhe Kur?, dhe Çfarë?,
dhe Ku?, dhe Kush?, dhe Si?”
Pyetja është Çelësi magjik i Universit,
me pyetje nxë dije, fiton aftësi,
s’është turp kur pyet, turp është kur s’di.
Nëse diçka të duket vërtet e vështirë,
Dije, s’ke ditur të pyesësh mirë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s