Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

TURP I TURPEVE

Turp i turpeve të kësaj shoqërie,
të kësaj kohe, me papunësi mjerane,
poetesha e shquar, profesore letërsie,
lihet në rrugë, të shesë banane!…

Vendin e saj e ka zënë një laraskë,
që tund bishtin me ngjyra laramane,
duke bërë sfilita, nga klasa në klasë,
me pendë të ngushta të jetës mondane.

Kjo zgjedhje e të paaftëve, mes të aftëve,
bën degët arsimore për t’u sharruar,
se flenë foleve, pa bërë vezën e vakteve,
mikeshat e skifterëve të korruptuar.

Si do blerojë kjo pemë, me të tilla fole,
që s’i lënë gjethet e blerta të vegjetojnë?
Sapo çelin sythat, të pjekin kokrrën e re,
zogjtë e pangopur të skifterëve i gllabërojnë.

Kësisoj bilbila dhe kanarina, pas durimit,
për të mos jetuar në boshllëkun e uritur,
fluturojnë në qiejt e largët të shtegtimit,
por si do bëjnë ata që kanë flatrat lidhur?

Turp i turpeve të kësaj shoqërie,
të kësaj kohe, me papunësi mjerane,
poeteshë e shquar, profesore letërsie,
lihet të dalë në rrugë, të shesë banane!..

 

SHKREPTIMA NË GJUMIN E MESNATËS

Mbrëmë në gjumin e mesnatë u përplasën retë,
teksa qielli me shkreptima zuri të bubullojë.
Disa hieroglife të zjarrta shkruanin rrufetë,
mes tyre lexova: “O, sa të lumtur jetojmë!”

Brofa nga shtrati i brengës, kërceva përpjetë,
duke rrëmbyer shpatën time të vetëtimës.
U ngjita sipër në qiell, ku kacafyteshin retë,
zura t’i çaj mespërmes, me tehun e flakërimës.

Ç’ke, or bir, që po vetëtin aq fort, këtu lart?
më thërriste nga parajsa, nëna flokëbardhë.
Me kë je zemëruar aq rëndë, or vëlla i madh?
pyesnin tre vëllezërit, ikur nga jeta vite më parë.

Pse e nxore nga milli shpatën e fjetur në mur?
më qortoi motra, që shkoi në Eden, pas nënës,
ne nuk jemi më në sofër, aq sa ishim dikur,
që e ndave në shtatë thela, pjeprin e hënës?…

Pse, or babë, u zemërove me qiellin e zotit!
klithën me lot shiu, djemtë dhe vajza e vetme,
duke u munduar të më zbutnin me fjalë koti
dhe shkallën e jehonave, më tundnin nënvete…

Me cilin zihesh egër, ti që nuk grindesh kurrë?…
Ushtonte gruaja e mahnitur nga nervat e mia;
mbaje zemërimin dhe zbrit nga qielli, or burrë !
se zgjove lagjen në këtë orë, kur u flenë fëmija!…

Nuk zbres, vringëlloja shpatën e vetëtimës me zjarr,
do t’u djeg fijet e shpirtit, lidhur mes qiellit e tokës,
të gjithë të korruptuarve dhe oligarkëve shqiptarë,
që nuk na lënë të ngjitim dhe ne, lartësitë e botës!…

Zbrit, or jahu, thanë tërë familja, ti je veç një shpatë!
Nuk zbres, or jo, sonte jam tërbuar dhe do ia bëj fora,
pavarësisht se gjithë burrëria, fle rreth e qark!…
Por, ah, dielli mëngjesit, ma rrëmbeu shpatën nga dora!

 

FRYMA E ZVARRANIKUT TË INJORANCËS

Pardje mbylla dyert e atmosferës internetike,
vrarë egërsisht nga fryma e gojëndyrit injorant,
që priste në shtegun e bisedimeve, mes miqve,
të ndotë hapësirën e komunikimit intelektual.

Më goditi befas grahma kalbëzimit të tharrtë,
me stuhinë e plehrave, nga fjalori i tij banal,
të cilin liria e fjalës, mundëson të ngrihet lart,
për të goditur verbtas, pa ndonjë shkak e hall.

Dhe kur e fryma e këtij injorantit të shpërfillur,
arrin temperaturat e vorbullimit fshikullues,
bëhet uragan, të marrë përpara njerëz të ditur,
të kënaq veten me trazirë pështjellimi argëtues.

Të dhunojë faqet internetit, me emra, foto boshe,
të çeli pasuordet intime, të publikojë pornografi,
të fyej meshkuj, të provokojë femra të çdo moshe,
të shkeli çdo të drejtë njerëzore, të preki çdo liri

Dihet, se zhvillimi i homosapiensit të avancës,
s’mund të kthehet prapa, tek errektusit zvarranik,
Mirëpo, kur do arrijnë frymëqelburit e injorancës,
të barazohen me intelektin e qytetëruar logjik?…

Kur do formohen me kulturë njerëzore të plotë,
për tu ndarë përfundimisht nga kafshëria e tyre,
të arrijnë nivelin e trurit të pjekur, që kërkohet sot,
jo veç mjekër e mustaqe, me lesh-mode fytyre?…

 

KRYEPUTHJA E KËSAJ BOTE

Qëkur kam lindur, gjer këto vite në ngjitje,
kam shijuar me shtjekat e mia të buzëve,
të gjitha ëmbëlsitë e puthjeve magjike
dhe tani di kush qëndron në krye të puthjeve.

Kur puthja e më puthte, nëna e shtrenjtë,
më dukej, s’gjendej askund lumturi tjetër,
bëhesha zog, fluturoja nga shpërgenjtë,
mbi male e dete, rrihja krahët e vegjël.

Kur putha vashën, që lidhi buzët me mua,
mu duk, sikur shijova tërë llojet e mjaltit.
Për atë ëmbëlsi, kisha uri të pambaruar
dhe s’doja të më prekej as thërrimja e fatit.

Njerëzit e dashur u shtuan, si zogjtë në tel,
më kënaqej shpirti me disa shije të puthjeve,
nga përzierja familjare e puthjeve koktejl,
me buzët e motrave, vëllezërve e nuseve…

Kur putha nipa e mbesa, me krahët engjëllor,
ndjeva eliksirin shërues tek buzët e sytë.
Kur ata më puthin faqet, m’i lëmojnë me dorë,
yjet vezullues, më mbushin qiellin me dritë.

Por cila është kryeputhja, për të cilën kam mall,
se më ka ngrohur shpirtin, në çdo dimër shqote?
Ah, puthja e nënës, krahasohet vetëm me atë zjarr,
që puth dielli tokën e i jep jetë, gjithë kësaj bote…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s