Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

QENKA E VËRTET

Nuk di
pse ndihem kaq i lodhur,
(të lodhka udhëtimi
edhe në ëndërr?!)
Thellë në gjoks,
më troket një zog,
unë i mbaj iso këngës.

Nuk di pse gjumi
më ka tradhëtuar,
(paska tradhëti të bukur?!)
Ah, ndjej,
në qafën time lakuar,
një litar të këputur.

Nuk di
pse në këtë botë të vogël
kanë mbirë
kaq shumë gurë nëpër kryqëzime!…
Doja të ishte lodër,
por qenka e vërtetë,
kjo ëndrra ime!

 

MËRGUAR LUTJET

Brenda skeletit të kornizës,
të dilemave të vjetra,
ngjirret kori i korbave të thashethemeve,
ndryshken akrepat e thyer
të orëve të lodhura të jetës.

Varret bymehen
nga dhimbjet e gurëve,
postulatet e zverdhura të apostujve
arratisen
pas ortekëve të marrëzive,
sponsorizuar nga urrejtja e verbër.

Në muret e mykur të natëshpirtrave
gjejnë strehë
klithmat e grisura të mosmirënjohjes,
pas skeletit të hijeve invalide
kanë mërguar dhe lutjet!…

Oh, Zot! Sa kafshime
shiten për puthje!

 

PRITJA E GJATË

Më lodhi kjo pritje, më lodhi,
edhe durimi s’qenka pa kufi,
supengritur pyes: “Çfarë ndodhi?”,
supeulur mërmëris: “Çudi!”.

Më lodhi kjo ëndërr e gjatë,
më brimoi si guri ndënë pikë,
ditët këputen si gjethe e thatë,
muaji tkurret sa për një ditë.

Më lodhi shumë heshtja jote,
heshtja nuk qenka e tëra flori,
s’ka gjumë në qiellin e kësaj bote,
po mua, pse më flihet tani?!

Më lodhi dhe shpresa e blertë,
nuk çeli në kopshtin e syrit tim
hapova dy shekuj, prita një jetë,
spirancë e thinjur nga një premtim.

Më lodhi kjo pritje, më lodhi
mos nis udhëtimin, s’ka më urë,
as vetë nuk e di si ndodhi,
tani, dhe të duam, s’ka as lumë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s