Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

A më pe?

Me yllin e mbrëmjes
sonte ta drodha,
Dhe ti s’dyshove aspak.
Të linjat e mia i çorri,
E ti dëshmitar okular çdo çast.

A më pe?
Atij iu dhashë plot epsh,
E ti nuk dyshove aspak,
Se gratë çoku ta dredhin,
Me atë që nuk e mendon aspak.

A më pe?
Plot shenja e kisha lëkurën,
E ti prapë nuk dyshove aspak.
“Janë shenja nga duart e tua”,
-të thashë me buzën në gaz.

A më pe?
Hakun, një më një ta mora,
Ta drodha dhe nuk dyshove aspak.
Ti me gjysmëhënëzën tinzare,
E unë me yllin e mbrëmjes marr hak.

…barazime inatesh në shtrat…

 

Në ëndrrat e mia

Ke kohë tashmë që më vjen në ëndërr,
E mes tyre shtrihesh sa gjatë-gjerë,
Si një varkëz e lehtë me lopatëza druri,
Bëj të të ndal,por ndalur nuk ke.

Dhe lehtas e ëmbël vjen më pëshpërit,
E me bulëza malli shpirtin ma çik,
Me bulëza fjalësh që çelin veç në maj,
Mantelin e natës mes ëndrrash ma gris.

Ke kohë që më vjen në ëndrrat e mia,
Dhe shtrat perëndish ke endur aty,
E varkëzat e mia m’i kthen përmbys,
Më shemb mes dallgësh e më ngre sërish.

Ke kohë që më vjen në ëndrrat e mia,
E ma gris tërë qenien,ma bën copë,
Më ngjit e më shqit,me fije ere,
Mëngjeseve më shtegton mes pyjeve me dëborë.

…lehtas më pëshpërit me zë malli,
“jam ëndrra, që nga gjumi s’dua të të zgjoj”…

 

Epitaf për veten

Kam një peng në zemrën time,
Kam një peng e dot s’e mbaj,
A do qajn’ për mua me ligje,
At’her’ fryma të më ndalë?

Kur t’më ndalë kjo frymëzeza,
Si do qajnë për mua vallë?
Apo cepin e buzëqeshjes,
Përmbi sy do e shpërndajnë.

Pa kam shkruar edhe rreshta,
Plot me ligje e fjalë malli,
Një për një në dorë fletat,
Do t’jua jap për së gjalli.

Dhe aty shtrirë përdhe,
Do t’i shoh të gjith’ me nge,
Këngës kur t’ia marrin,
Vajit apo hiçasgjese.

Kur t’ia marrin një për një,
Me kureshtje do i vërej,
Dhe në qoftë se s’më pëlqejn’
Nga e para do t’i kthej.

Do t’i kthej të gjith’ nga e para,
Varg më varg e strof’ më strofë,
Iso të ma mbajnë këngën,
Dhe refreni të jehojë.

Kam një peng në zemrën time,
Kam një peng e dot s’e mbaj,
Si do qajnë në mortjen time?
Nga zilia a nga mallë?

“E ç’rëndësi kjo gjë na paska?
Një nga ju, mund të më thotë,
Sa gjallë isha, plagë më hapët,
Tani thirrjani isosë.”

Dhe në vend të amanetit,
Po ju lë të fundit fjalë:
“M’vini vargjet e kësaj kënge,
Epitaf mbi timin ballë.”

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s