Poezi nga Vasil Çuklla
Lëreni veshur!
Kjo, Zonjëmadhe,
që bredh rrugëve e zhveshur
Pa petka në trup,
pa gjij… Ε pabrinjë.
Eshtë Mëmëdheu,
me ologramë kurtizane.
Dhe, stërgjyshëror…
Eshtë Atdheu ynë.
Shitur barbarisht, vjedhur e përqeshur.
Dhe s’di pse më kujtohet rishtaz,
ai varg
Hedhur rrënjët thellë,
siç hedh lisi tek toka…
Si lulja, lulnores, në shpirtin e vrag
Ëndërrvrarës memorje
dhe zemrës së plagë.
“Mëmëdhe quhet dheu,
ku më ka rrënurë, koka!”
Mëmëdheun,
nuk e bëni dot, kurtizane.
Qoftë edhe të mbathurat
t’i a nxirrni…
Se të deshi, të rriti edhe ti:
– burrë i dheut!
Dhe ti, Judë, shitur asprash,
që tregkurvash, e nxini…
Se të deshi edhe ti, sikur deshi, Anteun!
Njerëzohu
Njerëzohu, i miri Njeri!
Mbyte bishën, që bart brenda vetes.
Eshtë pjesëz e jotja, e di.
Dhemb shumë…
por nuk është mizori
kur zhbën pjesë të së keqes…
Atë, që i mbjell Shpirtit, haresë, zbrazëti!
Qetësi!…
Kish kohë që dallëndyshet,
e kishin lënë folenë…
Ne fëmijët e dikurshëm,
u rritëm e burra tashmë,
rrugët e botës, pa kthim, kishim marrë,
me mallkimin e emigrantit:
‘’Mos u kthefshi më!’’
Në kopshtin e shtëpisë,
vetmitare, të shkretë
një lisharës, ende varrur ka mbetur…
dhe s’flet
Nuk bëzan, s’thotë një fjalë!
As me erën, as me qiellin dhe retë
veç hesht, kohëvarrjesh dhe pret…
ndoshta… Ndoshta, fëmijët tanë!
Qetësi…
e lumnuara, qetësi!
Do të vijë vall një ditë
e si dallëndyshet,
sërish,
të mund të kthemi,
rishtaz
në shtëpi?!…
Gjallim…
U mbars gërma,
me gërmë.
Lindi rrokja!…
U mbars rrokja,
me rrokjen
Lindi fjalë!…
U mbars fjala,
me fjalë
Lindi fraza!…
U mbars fraza
me frazë
Lindi gjuha e rallë!…
Gjuha si gjuhë
Nuk i njeh “shterpësitë!”
Nuk vdes,
por frymon…
Μbetet gjallë!