Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 

Kur malli djeg

Me sy të vocërruar prej lodhjes e lotit
e vitesh mjergulluar,
një grua fisnike
me duart e vogla që përhumben dheut,
pasosur rrëmon përjetime,
oborrin vesh me ngjyra e profume
edhe gurin që pragut qëndron modest,
vetmisë ngujuar,
nën qiellin që mëngjeset ngjyejnë,
horizonteve ku malli djeg….

 

REBUSI I PADESHIFRUAR

Udhës së pambarimtë të ditëve të gjata,
rebusi i padeshifruar,
endte pëlhura të habitshme
e territ të udhëkryqeve,
trasta imagjinare i vinte mbi shpinë,
mbushur me kujtime të dhimbshme,
inate,
mllefe e orteqe lotësh që shëmbeshin,
buzës së kuqe,
e shpinën ia kurruste, përditë,
pesha e dhjetëra viteve mbi supe…

Shpërthyer në mijëra vezullime,
që tejçonin të tjera dimensione…
I gëzohej begative të Zotit,
që udhëtonin me gjurmë vese,
cicërima zogjsh,
trëndafilë me krahë të gjatë shprese,
e ndonëse nisur për askund,
kuptonte se motivet për të qenë e lumtur,
ishin të panumërta…!

 

TABLO…

Pleksej e shpleksej tablosë së gjallë
imazhi, që si gjethet dyndej
kahëve nga frynin erërat,
e vetvetja kurrë s’mund të ishte…
Ndërsa bindesha,
se s’kishte varfëri më të madhe
se boshi që fshihte imazhi sqimë endur,
i atij gjoksi n’gufim,
mbushur përplot me veten… .

Këmbëzbathur zhvendosesha akuarelit në lëvizje,
nën shiun që rrëzohej me duf,
e me rrathë shpërhapte rrëfenjat e territ,
reve shpëlarë
tablosë së shfaqur,
brenda kornizës
që asgjë s’mund të falë…

 

PA LAMTUMIRË…

E fundit frymë braktisi lisin me rrënjë të thella,
u thye papritur,
tërsëllima u ndje si një krismë e vetme,
udhëtoi oshëtima me shpejtësi marramendëse
kodrave e monopateve,
për të mbërritur në kujën e saj të thershme,
që atë mëngjes s’e kishte puthur,
as lamtumirë si kishte thënë,
e mbrëmjeve peng i trishtimit,
kujtimeve do vazhdonte të strukej,
mbështjellë në të tijët krahë…
përgjithmonë…

 

OBORRIT TË VJETËR

Trazoi natyra muret e zverdhur vjeshtës,
e dyert kyçi pranvera e marrë peng,
atij tempulli të angësht,
ku shpresat u fikën,
mbase përgjithmonë.
…ndërsa oborrit të vjetër,
buzës prej mallit plasaritur,
trëndafilë rrebelë shumëngjyrësh
nën kujdesin e Zotit,
çilnin më të bukur se të Rilkes.

 

Bamirësi…

Në ankandin e radhës,
objekte të ftohta, për një çast të vetëm
merrnin vlera të jashtëzakonshme,
duke tërhequr vëmendjen e hipokrizive
që me xhepa kusarë e zemra të ngurta,
me çmime marramendëse,
blinin për një ngjarje bamirësie…

 

***

Sytë fiken
vështrimit të trishtë pas hekurave
të një burgu të lagësht
e shpresa çel vetëm një syth,
kur udha e kujtimeve,
dëshirën ndez për lirinë e largët,
mendimit..,
se jasht kangjellave,
njerëzit janë të lumtur…

 

***

Mëngjesi gatuante maskën e re,
atë që sot do të vesh mbi fytyrë
të fsheh rrudhën që nata shtoi,
të djeshmen që thelloi,
në këtë vrap atomesh,
vitet ku ballin shkelin me zinxhirë …

Fatale komedia,
ku si protagonistë,
recitojmë përditë duke gënjyer veten…

 

UDHA E VJETËR

Kalldrëmit të udhës së vjetër,
ku ëndrrat fshehtas udhëtonin,
përmes brishtësishë,
e fjalëve, që si flutura ndiqnin njëra-tjetrën,
kujtimet shfaqeshin gji melankolish…

Ngjalleshin imazhet,
që me kohën vraponin,
rrudhave të tokës, lakut të harrimit,
erën më s’e rrokin si mumjet e gjalla,
as si zonjat me erashka që dheun pështynin,
ndërsa bregut tjetër,
trëndafili i trishtuar përtypte një psherëtimë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s