ATY KU MË NDJENË TI, JAM … / Poezi nga Sabit Rrustemi

Poezi nga Sabit Rrustemi

 

ATY KU MË NDJENË TI, JAM …

Sa koha ka hyrë këndejpari e ka ikur
dhe unë rri e kujtoj
vetëm kujtoj e një hap s’e bëj
vendnumëroj
e nuk e di
në jemi parë më parë
në jemi dëgjuar
përmes ndonjë fjale a shenje të vetme

Aferim qoftë nëse krejt rastësisht
në ndonjë stacion
mol a kep bjeshke
apo në ndonjë udhëkryq
a zebër qyteti
ashtu kalimthi jemi takuar
e nuk e kam atë fat ta di

Sa vala e ç’vala është përthyer kësaj rradakes sime
edhe nuk është çudi të kem harruar

Për Zotin që s’e shoh dhe vetëm e ndjej
nganjëherë më duket se lindur e rritur me ty jam
që aq shumë dejve t’mi ke lëshuar rrënjë
e nuk të shkul dot

Ma këputë qafën dikush
për emrin Tënd
si e ke
nuk e di

Më duket tërë kohën jetoj me ty
a brenda dhomës
skaj dritares
jashtë diku në ndonjë çati
nën ndonjë çufrrajë Çepuri
a nën hijen e Gurit të Zi

Ti tash mendon s’e kam lojtur
mund t’m’i përmendësh me radhë
dhjetëra e dhjetëra takime
ëndrra fjalë e miklime
në Sky Caffe
te Fontana
në My Caffe
apo Te Pauza
Blini
a n’Shpi
dhe unë t’i besoj

Kohë virusësh
shetit memories sime
antivirusët falls nuk mbrojnë
ama bash asgjë
lëre më ndjenjën time në dejtë e Tu

rrëzë këtij mali të moçëm kam mbetur
larg syve që shitojnë
si Ti

Falë dritës ujit e ajrit
po rinohem përmes gjethesh
lulesh e prekjesh
nga kushdo që më do
e i mungon aroma e fjalës sime
a e kësaj luleje zemreje
që s’pranë së lulëzuari
stinëve

Ka ndërruar shumëçka në këtë shekull të ri
edhe unë
edhe Ti

S’dimë ku ndodhemi
duhemi e s’ shihemi
përmes gishtash flasim
ndjenjave që shpërthejnë nëpër fjalë

Botë e njëmijë e një çudive
jeta e këtij planeti brenda të cilit sillemi
e atë Pikën e humbur të Pjekjës
pikëpjekjen
që moti s’e kërkojmë më

Largësia na mësoi shumë lojëra
shih e mos u prek
shuaj zjarr me fjalë
ëndërro bukur në terr
më harro pa u njohur
mbamë e mos më merr
ecetera ecetra

Nëpër erëra kohësh endemi
lotë krokodillësh derdhim rruzullit
si balona të shqyer diku ngelim

Qe,
na ikën dhe kujtesat

Ma thuaj sëpaku emrin
rastësisht mund të kthej kah Ti si hije
si aromë
a si një farë e mbetur sqepave të ndonjë shpendi

Vetëm kur t’më pashë të mbirë
këpucëve të mbushura me dhe
a cepave të syve kur të shkrepëtijë nga ndonjë re

Mbase më kujtohesh pastaj

Gjithkund jam e askund
aty ku më duan e s’më duan
udhëtar i përkohshëm
me një mal ëndrrash në (m)endje
dhe një dashuri

Për tënden mungesë
mbetet përherë e etur
e uritur

Kësaj udhe që s’di se ku përfundon
vetëm një mike
e besnike
vetëm s’më la

Shpresa është ajo
që më jep kurajo
e më nxitë drejtë teje

Edhe tash kur po bërbloj si një thnegël
ajo është këtu
në mua

Falë saj e di
jam aty përherë ku më ndjenë Ti

(29 qershor 2020)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s