PAS PAK… / Skicë nga Edmond Llaçi

PAS PAK…

 

Skicë nga Edmond Llaçi

Pasi i kishte zënë me rradhë që nga karriket, minderin, shtratin dhe gjithçka tjetër ku mund të ulej ose të mbështetej, duke u përpjekur të qëndronte në këmbë ndjeu një dridhje të lehtë ti përshkonte trupin. Kur u bind se i vuri në vend të gjitha kockat nga ajo tërheqje që i dha trupit, hodhi një vështrim përreth. Kryejti disa ec e jake të shpejta dhe doli në ballkon por hyri përsëri brënda. Shkoi tek dritarja duke shtyrë perden pa kryer veprim tjetër. Kaloi menjëherë në dhomën e gjumit duke bërë edhe aty të njëjtat veprime të dritares së vetme të saj. Të gjitha këto ishin gati të përditëshme që nga dita kur u shfaq ai virus i mallkuar. Kaloi në sallon. Si për të vërtetuar se gjithçka ndodhej në vëndin e vet e përsëriti veprimin duke rrotulluar kokën ku më pas, shikimi i tij u ndal mbi sipërfaqen e xhamtë të televizorit. Në qoftë se veprimet kur ndodhej përpara dritareve i ndalte në mos hapjen e tyre për arsyen se e dinte po të njëjtat do të shihte, asaj kutie të shndritëshme nuk guxonte ti afrohej për diçka tjetër. Kishte kohë që e ngacmohej prej saj. Ndoshta ishte vet ai problemi. Në të vërtetë i pëlqente ti shihte ato programe. Do ti ndiqte me vëmëndje. Çdo gjë ishte e bukur e këndëshme. Më tej lajme dhe emisione të ndryshme. Lajme, emisione, moderatorë të shumtë dhe përsëri emisione si në çdo kanal televiziv tjetër të sponsorizuar vazhdimisht nga të njëjtët njerëz. Ende nuk e kishte shkëputur shikimin prej tij. Nuk ndjeu sa qëndroi ashtu por kuptoi se po tundohej. Në atë moment, pas asaj kohe të mos hapjes ose duke mos pasur pikë dëshire të qëndronte përpara asaj kutie, pa pritur i lindi dëshira të shihte në brendësinë e saj siç e thoshte shpesh “kutinë pandorës.” Dhe përmes asaj turbullire që ishte krijuar në mëndësinë e tij, pa e kuptuar veprimin që do të kryente, shtypi butonin e komandës. Në një prej stacioneve televizive kombëtare aty ku e kishte fikur për herë të fundit, moderatorja e edicioni të mbasdites, një vajzë e bukur mes të tjerave po përpiqej të shfaqte edhe cilësitë e saj femërore. Ishte një moment kur ajo pasi mbaroi një ligjëratë të saj jo dhe fort të shkurtër u shpreh: Publicitet. Pas pak publicitet. Ai, pasi e kishte ulur volumin e televizorit tek po ndiqte me vëmëndje lëvizjen e buzëve të saj filloi të dëgjonte me kënaqësi zërrin e tij. Pas pak, plubicitet, plubicitet.* Ato sekuenca të shpejta i dhanë një ndjesi të bukur. Kishte dëshirë ta dëgjonte. Dhe nisi të kërcente nga gëzimi duke thërritur me zë të lartë plubicitet, plubicitet. Jam me fat ka plubicitet. Çmë duhen këta të marrët e tjerë. Pasi kishte hequr bizhamet u përpoq të rregullonte rrobat e veshura në çast. Edhe me këpucët u përpoq shumë pasi kërkonte ti vishte si gjithmonë pa i zgjidhur lidhëset, duke i shtyrë këmbët në brendësi të tyre me vështirësi Doli. Në rrugë nuk pa këmbë njeriu. Nuk u ndje mirë. Mori për nga parku nga qëndra e lagjes duke ecur si i çallakatosur.. Por në rrugë e gjithandej nuk pa njeri ku ai mund të këmbente ndonjë fjalë. Tek po ecte me rrëmbim ndjeu se duhej të fliste, ore edhe të bërtiste. I u kujtuan përsëri fjalët e pakta të asaj bukuroshes kur lajmëronte për reklamë dhe ri përsëriti ato fjalë: Po vërtet, pas pak plubicitet. Duke vendosur dorën pas veshit dhe me shikimin e tij kudo dhe askund, ndjeu zërin e vet të oshëtinte mes atij blloku ndërtesash plubicitet, plubicitet. Dhe qeshi me veten duke përplasur hapin mbi asfalt. Aty zbuloi se kishte me se të merej. I pëlqeu kërcitja e këpucëve të cilat dikur ishin pjesë të kostumit të dhëndërisë. Edhe pse e tërhoqi kërcitja e thatë e tyre, vëmëndjen e kishte edhe pas çdo gjëje të re që mund të zbulonte. Dhe ja diku aty përpara tij një dritare u hap. E përshëndeti me një lëvizje koke. Me njëherë përsëriti të dyja shprehjet e moderatores. Tek u ndesh me fytyrën e personit femër të ndodhur brënda kuadratit të dritares ripërsëriti fjalën e dytë të saj dhe vazhdoi të ecte më tej. Në çastin tek do të hidhte këmbën në asfalt për të kaluar në krahun tjetër të rrugës, shpejtësia e hekurt e një mjeti policor përveç erës dhe pluhurit pas tij, shoqërohej me ulurimën rrënqethëse të sirenës që nuk deshte të pushonte. Mbeti pa lëvizur aty në anë të rrugës si një mumje e pluhurosur. Dhe ndoshta nuk dihej se sa mund të qëndronte në qoftë se ata njerëz të rendit nuk do të riktheheshin. Të papërfillshëm ndaj ekzistencës njerëzore të tij, e mbërthejnë duke e rrasur në pjesën e pasme të xhipit. Duke mos reaguar ndaj asaj që po i ndodhte dhe me atë çehre që shfaqte në fytyrë që nuk ishte gjë tjetër veçse habi, nisi të fliste: pas pak, pas pak. Ju lutem jo tani pas pak. Kur dikush prej atyre ruajtësve të rendit do të drejtonte shikimin prej tij, do të shihte se tashmë ai njeri i çuditshëm do ta përsëriste atë frazë nën zë deri në çastin kur e çuan në komisariat. E lanë diku në një qoshe të birucës. E lanë aty pa kryer as edhe një veprim të vetëm për të mësuar identitetrin ose gjithçka tjetër rreth tij. E lanë në mëndësinë e ngacmimit të rradhës, të vetmisë së madhe që e kishte pushtuar prej kohës. Dhe do ta kalonte ditën së bashku me të nesërmen që ishte e diel, aty brënda duke u ulur e kryer ec e jake të shpeshta të shoqëruar me frazën e vetme të ngecur si në gramafonët e dikurshëm. * Prej tij, deformimi i asaj shprehje nuk ishte i çastit por i hershëm.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s