Poezi nga Vladimir Muça
IDEALISTI
(Shokëve të tim eti)
Luftoi mes fjalëve në vetminë publike
Me shpirt të dëlirë,pa zemëratë,
Pa grada,shpërblime, tituj merite,
Mbi krye si shpërblesë një jetë të ngratë.
Me shpirt u dha jetë rrugëve,
Psheretimave,kasollëve të vegjëlisë,
Pikëvesës,hapsirave,arave flamujve,
Mes hymnit të shenjtë të drejtësisë.
E pasuroi vendin, me djerrsë e ndriti,
Lavdën ja ngriti më lart se kurrë;
Tash, në strehën vorfnore, me shpirt meiti
S’gëzon asgjë,nga jeta zhurë.
3 Prillë 2020
SI AHERË
Plepi i moçëm në kor
Një këngë nër dega fishkëlente,
Shtatin puhiza hënore
Me brushën vjeshtake ja lyente.
Vjedhtaz më ikën mendimet
Dhe morën arratinë tek Ti,
Kur çelte yllë i mëngjesit
E stanëve nuk kishte qetësi.
Sytë si zjarre të vegjël
Rrëpirave shkëndijonin pa pushim,
Kur qëngjin pas një gëmushe
E ema lëpinte në amëshim.
Balua trazovaç lëpinte buzët
Hënëpetullës mbi një kori;
Aherë hapëroja tek yjet
Nër ëndrra Jonatan Swifti.
Rendja aherë pas zilkave,
Në gjirin e pyllit merrja arratinë;
Me krahërrahjet e trembur të shkurtave
Pylli më ndiqte me oshëtimë.
Çoban aherë,shëtisja muzgjëve,
Gunëveshur në shpirt dhe tani;
Ndaj dehem blegërimave
Dhe shpirti s’më ka qetësi.
1975 – Prillë 2020
PENDIMI
I dashur mik s’më le gjë pa thënë
Nxitur nga erërat e tëndit tërbim!…
Kalove çdo prag marramendës
Me qëllim të zi,
Ti duhet të pendohesh
Me zemër e sy.
Pendohu për fjalët trilluese,
Pendohu me gjuhën e nënës,
Pendohu për dredhitë mashtruese,
Pendohu për çdo gjë që ke pështy,
Për çdo fjalë e tradhti.
Pendohu!…Pendohu!…
Se pëndimi
S’është më i rëndë se shpirtdënimi.
1998
KURTHI I BORËS
Ngjitemi Fekenit,
Në nëpërkëmbje
Borën duke vështruar.
E “rrahim” me shputat tona,
Apo na “rreh” ajo
Me butësinë e sajë
Duke na mashtruar!…
Çdo fjollë bore
Nga lartësitë vjen si enigmë,
Si tehu i shpatës në sy.
Gjumi i borës
Bie mbi qepallat tona
Butazi,si gijotinë.
Feken 1968
IKJA E REFUGJATËVE
Ata ikën,
Deti inatçorë
Tallazonte mëngjesin.
Nga ikja e tyre
Asgjë s’kishte mbetur:
Veç gjurmë e gomonës mbi rërë
Dhe dy shapka,
Në tallazitje mbi dallgë,
Drejt gjolit të nisjes.
1993
PRES NJË BUZËQESHJE
Në tendën e plasmastë
Një mik poet,
Serioz,pa ndriçime fytyre,
Rrallë një muskul i beftë
I lëviz në mërmërime.
Hape mik dritaren e shpirtit,
Lëre buzëqeshjen të vagëllojë!
Ndryshoje botën tënde,
Çdo gjë nuk zgjat përgjithmonë!…
THOMËNI
Unë shkruaj për ata që gjumi s’i ze
E mbështetur në jetë rrinë mbi një plis,
Ndonëse në mëndje e shpirt plagosur,
Rrënuar,cfilitur,si i djeguri lis.
Thomëni,thomëni çfar jam vallë!
Në shkrim e shoqëri a jam egoist?…
Modena 8.11.2017