Poezi nga Vullnet Mato


Poezi nga Vullnet Mato

 

MOS M’U AFRO, SE TË VDES!

E shtrenjta ime, sa jeta,
të dua si diellin në mëngjes,
më do më tepër se vetja,
mos m’u afro, se të vdes!

S’kam trëndafila nga saksia,
spërkatur petalet me vesë,
kam mortje në duart e mia,
mos m’u afro, se të vdes!

Në vend të aromës borzilok,
kam frymë flake, që të ndez,
të djeg nga këmbët në kokë,
mos m’u afro, se të vdes!

Më pret në kohën e çiftimit,
pret unazën për martesë,
kam lakun e asgjësimit,
mos m’u afro, se të vdes!

S’kam puthje të përmalluara,
që pret prej kohësh e pres,
kam buzë të helmuara,
mos m’u afro, se të vdes!

Mos prit nga unë përkëdhelje,
kur ti trupin fillon e zhvesh,
s’kam aspak hatërmbetje,
mos m’u afro, se të vdes!

Kam lamtumirën para kohe,
kam virusin e Vuhanit kinez
kam vdekjen më të kobshme,
mos m’u afro, se të vdes!

Kjo qe më e madhe fatkeqësia,
që ëndrrat tona, lë në mes
dhe do na ndajë nga dashuria,
nëse nuk shpëtoj, po vdes!…

 

NA MBYTËN MASHTRUESIT

Mashtrues këtu ka pasur përherë,
shisnin në pazar, kuaj e gomerë.
Noli thoshte: Ka gënjeshtarë,
që të shesin edhe rërën për farë.

Tani këtu u mbush me mashtrus,
shesin për grurë dhe plehun humus,
të gënjejnë nga të katër anët,
xhambazët e huaj, ashtu dhe tanët.

Në internet lundrojnë disa piratë,
gjoja shesin shërimin për prostatë,
të tjerë, me gjethen e të huajit emër,
shesin pastrimin e gjakut në zemër.

Nga qielli me dron, na vijnë ftesa,
dyshekë magjik, rrufitëse fshesa,
me çmime të reja, gjoja me ulje,
ku çmimin fillestar, kemi me ngulje.

Mollët dhe kungujt bëhen mjaltë,
çezma, në vend të ujit, sjell baltë.
Uji sfidon qumështin e bardhë,
komandon peshën magneti tinëzar.

Elektronet shtohen në përcjellës,
sahatët nxitojnë shifrat në ujësjellës,
Ndonëse tuba uji nuk kemi instaluar,
na vjen fatura vjetore për të paguar.

Shtrihu falas, thotë shtrati në spital,
ilaçet t’i blesh në farmacinë përballë,
do jepni ryshfet dite, çdo sanitari,
policit te dera, të hyni së mbari.

Vitrinat na ftojnë, me disa nudo pule,
të fryra me shiringë, kudo nëpër tule,
Në çengela na vë kusht, viçi i majmë:
të brendshmet nga çmimi nuk i ndajmë.

Na fton shalqini barkmadh si fuçi,
shartuar me kungull, që në farën e tij,
domatja, si buzët e një zonje serioze,
pjekur shpejt, me solucione kanceroze.

Thonë do merrni pagë lufte, në paqe,
por duhet të paguani dyfishin më pas,
ka vendosur kuvendi, për sy e faqe,
kurse taksat na heqin nga buzët çdo gaz.

Thonë ka rritje të madhe ekonomike,
por vetëm për ata, në kolltuk e karrige.
Priten monedhat, si petet e byrekut,
të zëvendësojë zhvlerësimin e lekut.

Zgjidhni, na thotë titullari i injorant:
po s’u pëlqen këtu, shkoni emigrant,
po deshët, japim vizë të lini vatanë,
se vijnë këtu aziatikë dhe afrikanë!…

 

ËNDRRA, SHPRESA DHE DËSHIRA

Synimet që mbajnë njeriun gjallë,
shpesh me qëllime të paarrira,
për të cilat derdh energji të rrallë,
janë ëndrra, shpresa dhe dëshira.

Kam dëshirë e më pëlqen shumë,
të jem sqep i një zogu këngëtar,
të jem vala që vrapon nëpër lumë,
të jem rrëkeja që shket nëpër bar.

Kam dëshirë e nostalgji të vjetër,
të jem flutur që rend mbi lulishte,
të jem ketër, në një pyll të gjelbër,
të jem gjinkallë degësh në ahishte.

Kam dëshirë e më rrëmben malli,
të jem bri dreri, që josh sorkadhet,
të jem përrua, që gurgullon te zalli,
të jem puthja diellore që zgjon malet.

Kam dëshirë, të ëndërruar në vegime,
të jem re shiu, mes vapës përvëluese,
Të jem thëngjill zjarri në vatrat jetime,
Të jem pikë loti, në qerpikun e nuseve,

Kam dëshirë e shpesh herë imagjinoj,
të jem gjethe te shushurima e plepit,
të jem syri sogjetar, te një shqiponjë,
të jem dallgë krenare, përsipër detit.

Kam dëshirë e shpresoj gati si i marrë,
të jem bajrak kuqezi i shqipo emigrimit,
të jem pikë gjaku për vëllamin kosovar,
të jem gërshëra që pret shiritin e bashkimit.

 

PROBLEMI I MADH PARËSOR

Problemi madhor sot nuk është të fitosh,
para, troje, banesa, poste zyrtare,
problemi parësor, është të shpëtosh,
nga tërmetet, viruset, vrasjet grabitqare.

O njerëz që lakmoni pasurim pa reshtur,
vila, resorte, depozita, mall të tepërt,
thirrni mendjen, në arsyetim të heshtur,
vallë a do jeni gjallë, deri nesër?…

Thërrisni mendjen në gjykim pa seanca,
si të mbroheni nga vetvetja e kobshme,
nga korrupsioni, mashtrimi, arroganca,
që të ofrojnë varrosje të parakohshme.

Nuk ka armik me të egër, për njeriun,
sesa egoizmit lindur brenda në vetvete,
për të rritur në strofkën e shpirtit, ariun,
ujkun gjakësor, që shqyen tufat me dele.

Shikoni, dëgjoni pse vdesin njerëzit përditë,
të frenoni këto pasione vesesh të mëdha?
Nuk bëhen prova, sikur martesën përsërit,
me jetën, që ta jep një herë, kush ta dha.

Sapo erdhët në jetë, Toka u ka dhuruar,
ajrin që thithni, diellin që u ngroh pareshtur,
ujin që u shuan etjen, ushqimin e bleruar,
në fund, të ikni siç erdhët të zhveshur.

Pse të lakmoni, për kaq shumë pasuri,
sikur u krijuat për të qenë të përveçëm,
të grumbulloni për vete e për disa brezni,
sikur do qëndroni përjetë të pavdekshëm?

Kush nuk ka, kaq gram tru në kokë
dhe peshoren mendore s’e ka të saktë,
do shkojë para kohe, të ngopet nëntokë,
me pasurinë pafund, të dheut pa cak.

Problemi madhor sot nuk, është të fitosh,
para, troje, banesa, poste zyrtare,
problemi parësor, është të shpëtosh,
nga tërmetet, viruset, vrasjet grabitqare…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s