Fragment nga romani “ZËRA NË HUMBËTIRË” të autorit Kristaq Turtulli

Fragment nga romani “ZËRA NË HUMBËTIRË” të autorit Kristaq Turtulli

 

***

Syri i murrëtyer i njeriut dhe syri i egër i kafshës shembëllenin njëlloj
Krahët dhe koka e Dhimitër Lekës vareshin ankueshëm, gati pa jetë. Prej flokëve të zinj të dendur, buiste dhe pikonte gjak. Malo Qulli ndali mushkën, nxori shaminë nga xhepi, të fshinte gjakun, s’e përballonte rrjedhjen e gjakut, e pështjellonte. Si u goditka dhe flakur në shpinë të mushkës burri i madh. Kush, Dhimitër Leka, qëndrestari i parë, heroi i parë.
Balli i Dhimitër Lekës ishte i zbehtë, i ftohtë. Fare pranë veshit te Malos fishkëlleu ulërima e Vili Tares.
Malo Qullit i ngriu dora, shamia i ra përdhe. ‘U marrose, Malo Qulli!’
Malo Qulli u tërhoq i trembur. Pa e kuptuar as vetë, goditi kafshën me shkelmë, e cila ia krisi vrapit me të katra. Trupi i zalisur i Dhimitër Lekës kërcente vajtueshëm sipas galopit të kafshës.
I trembeshin përmendjes së papritur të profesorit nga vrapi i tërbuar i kafshës. Ku i dihej, zgjidhej, lirohej prej litarëve, arratisej. Do të ishte katastrofa më e madhe. Vetëvrasje. Dhimitër Leka nuk ishte nga ata burra të lidhej dy herë.
‘Kapeni more kafshën se na mori në qafë,- ulëriti serbi Sllobo.
Haxhi Gala e mbërtheu i pari kapistrën dhe vështroi me qesëndi nga serbi Sllobo, i cili mezi mbushej me frymë. Mbërritën dhe të tjerët, të mbytur nga djersët.
‘Goditja jote ka qenë e fortë, Haxhi Gala,’ – tha Vili Tare.
Haxhi Gala u krekos si gjel dhe vështroi nga sërbi Sllobo që shkrofëtinte. I lidhuri ishte pa ndjenja, me gjakderdhje të vazhdueshme.
‘Ç’na bëre, more Malo, – foli vrazhdë Vili Tare, sytë e tij ishin të egër. – Ariu i plagosur është shumë i keq, gjakatar.’
‘Më fal, shoku Vili, – mërmëriti Malo Qulli. – U hutova.’
‘Mos u huto, – i shfryu Vili Tare. – Mos i lësho kapistrën kafshës. Shtrëngoje fort, more vesh, mora thuaj.’
‘More, shoku Vili,’- tha Malo Qulli dhe mbërtheu me nervozizëm kapistrën e kafshës së lodhur. Eci përpara, me bisht të syrit vështroi trupin pa ndjenja të Dhimitër Lekës. Vështrimi ngrehës i Haxhi Galës, të bërtiturat, fyerjet e Vili Tares e kishin pezmatuar. Kafsha merrte frymë me vrull, lëshonte avuj të nxehtë dhe atij iu qull shpatulla. Për një mend mendoi që Dhimitër Leka do të bënte mirë të përmendej dhe t’ia mbathte në pyll, të zhdukej. S’ia kishte shumë qejfi të mbante mbi shpinë peshën e rëndë të këtij burri. Profesori nuk ishte si të gjithë, asnjëherë nuk kishte bërtitur, fyer shokët. Nuk dinte të përbuzte, të nënvleftësonte, ishte burrë zotni. Ishte! Sa i pavlerë, i parëndësishëm duket njeriu i flakur pakujdesshëm në samar të kafshës, lidhur këmbë e duar! Litari që mbante lidhur krahët dhe këmbët e viktimës, pengonte kafshën të çapitej, prandaj mushka kërcente, lëvizte anash, si të bëhej për të rënë. Fryma e ftohtë e Vili Tares ishte fare pranë qafës së tij. Malo s’e ktheu kokën, s’mund të duronte vështrimin gërmues, shpues të djallëzorit Vili Tare dhe vështrimin qesëndisës të Xhikes. Lidhja me litar duhej të ishte torturuese për dy krijesat. Njeriu dhe kafsha. Njeriun litari e mbante te përthyer pothuajse me dysh. Lidhja kishte ndodhur në çastin më kulmor të gjaknxehtësisë së Vili Tares dhe Sllobos. Rezistenca dhe grushtimi e tensionoi situatën. Malo Qulli mendoi ta lironte fare pakëz litarin në duart dhe këmbët. Vetëm një centimetër. Sa vlerë do kishte kjo centimetër për njeriun e lidhur. Nuk guxoi. Sërbi Sllobo hungërinte. Fryma e ftohtë e Vili Tares vazhdonte t’i akullonte qafën. E dinte mirë, Vili s’e kishte për gjë t’ia bërë përshesh trutë. Vili zakonisht tregohej i butë, i ëmbël, pakëz ironik. Por përplasja me Dhimitër Lekën e kishte tjetërsuar. Nuk mund të quhej plotësisht përplasje, sepse profesori nuk grindej me njeri. Sidoqoftë Haxhi Gala fitoi shumë pikë me zellin e tij të jashtëzakonshëm. Ai, Malo Qulli, e kishte mbështetur Vilin, e mira harrohet shumë shpejt! Tërhoqi fort me inat kapistrën e kafshës. Qafa e mushkës u tendos, kundërshtoi, qëndroi. Syri i murrëtyer i njeriut dhe syri i egër i kafshës ishin shumë pranë. U habit me shëmbëllimin syjor të njëjtë.

 

KRISTAQ TURTULLI
‘ZËRA NË HUMBËTIRË’ Libri i dytë i Sagës së madhe Shqiptare: ZËRAVE DHE ZHURMAVE.
Prishtinë, Kosovë 25 dhjetor 2019

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s