NË NJË NGA DITËT E ATIJ GUSHTI PËRVËLUES / Tregim nga Lumo Kolleshi

NË NJË NGA DITËT E ATIJ GUSHTI PËRVËLUES

 

Tregim nga Lumo Kolleshi

E kisha parë shpesh në rrugët e qytetit tim të vogël atë çift të ri e të panjohur.Dhe,që të mos ju lë pezull,po jua them që në krye të herës:qyteti im i bën radiografinë çdo të ardhuri rishtas,sapo kapërcen urën e futet brenda tij.Kështu kishte ndodhur edhe me çiftin në fjalë.Kishin ardhur si dëshmitarët e parë të Jehovait.Nuk më kishte rënë rasti të ndodhesha në praninë e tyre,por shpesh m’i zinte syri vjedhurazi tek ndalonin banorë të qytetit në mes të rrugës,u çuçurisnin disa fjalë dhe nuk vononin të nxirrnin një lloj reviste nga çanta e tyre e bollshme.Ajo që më habiste,ishte përzgjedhja e tyre:ndalonin më të vobektit e qytetit.

Në një nga ditët e atij gushti përvëlues i pashë tek frekuentonin edhe lagjen time periferike.Kisha hedhur në supe një tra pishe dhe,ca nga lodhja,ca nga vapa,dukesha sikur kisha dalë nga lumi me gjithë rroba.Edhe pak trare më kishin mbetur pa çuar pranë shtëpisë që priste vetëm soletën.Pa pritur,aty ku sheshi ngushtohej dhe futej në rrugicën me kalldrëm,dëgjova pas shpinës sime:

-Zotëri,mund t’ju japim një revistë?
M’u duk tepër ofenduese dhe sikur më tallën dhe nuk u dhashë përgjigje.Në trurin tim fjala “zotëri” I shpërtheu edhe më tepër gjendrat e djersës nën peshën e trarit.Ndihesha I lodhur dhe kisha nevoje për pak pushim.Veç u bëra shenjë të më ndiqnin si në një nga skenat e Samuel Beketit:Laki dhe Poco.Në vend të litarit,një tra.Pasi trari zuri vend me të tjerët,u kërkova të kapërcenin portën e vjetër,I vetmi nishan I mbetur nga shtëpia e dikurshme.Kisha sajuar vetëm një dhomë mes shtëpisë re në ndërtim e sipër.I bëra zë gruas dhe ajo u dha në derë bashkë me vajzën trivjeçare.

Hynë brenda dhe nuk e patën aspak për turp dhe m’u duk si një shenjë e mirë kjo lloj sajdisje.Gruaja nuk priti ndonjë urdhër,por nxori dy gota rehani dhe një pjatë me arra dhe ua serviri.

-Jemi pieno,-thanë njëzëri.

-Aperetiv,-shtova unë.

Prapë kundërshtuan,ndërsa gotat e rehanisë dhe arrat prisnin mbi tavolinën e vogël.

-Përderisa pranuat të hyni në shtëpi,kemi dhe ne traditat tona.

Partnerja e tij i kapi dy kokrra arre me gishtat e saj hollakë,por sytë e mashkullit u bën si të tigrit.Ajo u tërhoq dhe ndjeu një përdridhje.

-Edhe ju italianët vuani nga patriarkalizmi?

Asnjë përgjigje.Ndoshta nuk e kuptoi fjalën.Nxori nga çanta e tij një revistë “Kulla e rojës” dhe ia zgjati vajzës sime të vogël,e cila,si u hodhi një sy të shpejtë figurave me ngjyra,filloi t’i griste faqet një nga një me një kënaqësi të patreguar.Prishja e çehresë së tij u bë edhe më e lexueshme.

-Fëmijë,-ndërhyra unë si i zënë në faj.

-Ja,po lë dhe një tjetër,-shtoi dhe sakaq e nxori një revistë tjetër dhe e vuri mbi tavolinë.

Sakaq mysafiri i shtëpisë e mori fjalën dhe për, habinë time,nuk donte të pushonte.Filloi të shpjegonte nga vinte e përse kishte ardhur.Kur mendoi se e kishte pushtuar gjithë qiellin e fjalës,m’u drejtua:

-Po ju,çfarë shkolle keni?

Nuk i dhashë përgjigje për momentin e parë.”Vjen dhe e fut tjetrin si mik në shtëpi dhe ai kërkon të bëhet hetuesi yt”,mendova dhe aty për aty e mashtrova.

-Një të mesme kam.

-Atëherë flasim pak hapur.Ne jemi dëshmitarë të Jehovait.A ju pëlqen korrupsioni?!-dhe sytë I vanë sërish te doçkat e vogla të sime bije.Fletët e grisura të revistës po I grimconte sipas dëshirës së vet.Ndoshta nuk po I vinte mirë që një ngjarje kaq flagrante ndodhte pikërisht para syve të tij.

-Më pyetët për korrupsionin,-zura ta përmbushja pauzën e krijuar.-Nuk më pëlqen aspak.Po të isha edhe unë në qeveri,ndoshta do ta kisha pëlqyer.

Megjithatë këtë pjesë të debatit e kaluam paqësisht,pa kundërshtime të skajshme,por,sapo mbërritëm te roli I dëshmitarëve të Jehovait dhe I feve,kundërshtitë u bënë të thepisura,madje pas çdo kundërshtie hapej një humnerë më vete.

-Tani na mbeten vetëm dy rrugë,-e ndërpreva sërish.-Ose ti do të më bësh mua dëshmitar,ose unë do të të kthej në ateist.Pak më lart nuk më shpjegove nga financoheni e paguheni,por më the se rron me kursimet e bëra në vendin tënd.Të kundërshtova me të drejtë se ligji I kursimit është ligj socialist e jokapitalist.Te fola për literaturën luksoze që e shpërndani pa para…

Sëpata e zërit të tij ra si sëpatat e Liktorit mbi hovin që zuri të merrte ligjërata ime.

-Ju nuk jeni me shkollë të mesme.

-Kjo nuk ka aspak rëndësi,-ia theva purtekat e kureshtjes.-E megjithatë me një të tillë jam,-këtu e trasha paksa zërin për t’I dhënë arsye besimi.

-A dëshiron të ngjallen të vdekurit?!,-më pyeti seriozisht.

-Do të ishte gjë e bukur,-ia ktheva.-Kam kaq vite pa e parë nënën time.

-E pra ne do t’I ngjallim.

-Të gjithë,të gjithë?!-pyeta habitshëm.

-Po,po,-pohoi vendosmërisht.

-Lëreni ndonjërin pa ngjallur,se do të na ngjallet Enveri dhe ku do të futeni ju edhe ne bashkë,-i vura kapak fjalës sime.

Nuk pati më fjalë,por e kapi për dore partneren dhe u ngrit si një shqipe që rrëmben pulën.Ikën pa na përshëndetur.

Një ditë më pas i gjeta në një qoshe poshtë blirëve të kokërrzuar,duke u folur ca grave të lagjes së lumit.Sapo më pikasën,u rrëmbyen përsëri si një ditë më parë dhe ikën.Nuk i pashë më në qytetin tim,por në rrugicat e tij dhe në periferitë,revistat,si ajo që grisi e vogla ime një ditë më parë,vinin e shtoheshin mërzitshëm.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s