Legjenda e Peshturisë / Nga: Agron Shele

Legjenda e Peshturisë

Të gjithë e dinë se ku ndodhet kjo guvë, por pak kanë dëgjuar për legjendën e saj. Sigurisht që maja e Dhëmbelit ngre kreshtat lart për të prekur qiellin, ndërsa shpatet e saj blerojnë nga çaji dhe sherebeli. Udhët e kuqe, si vetë toka e përzhitur nga fuqia e Diellit në verë dhe hënët e mbuluar nga bora në Dimër, reflektojnë atë madhështi të ngritur, që poshtë gëlon nga liqeni i ujërave të ftohta, ndërsa faqet thepisen e zgjaten në vazhdimësi kurore. Qysh fëmijë kurioziteti na shtynte të shikonim këtë shpellë që ditën mblidhte lakuriqët e natës dhe vështrimi i terrët humbiste nëpër hinkën mistike që nuk kishte as fillim dhe as fund. Ndoshta fjalët e pleqve të parë që e kishin mallkuar si vend shtonin dhe më shumë ankthin dhe drithmën për t’iu afruar. Po të hidhje vështrimin më në skaj ishte shkëmbi që mblidhte perritë, të cilat nuk përshkonin rrugë por fluturonin si vetë dhitë e egra, që shfaqeshin vetëm një moment e humbisnin vetëtimthi përtej Nemërçkës.

***

Gjoka qëndronte në breg dhe numëronte tespiet e drunjta. Kishte përhumbur në mendime të thella dhe dukej sikur po fliste me veten. Një nga djemtë rrotulloi shargun tek e vështroi plakun aq të mejtuar dhe ju afrua më pranë. Ai vazhdonte të numëronte dhe nuk e ngriti kokën fare.
“ Kushedi, çfarë i shfaqet në memorie plakut. Ndoshta shpirtrat e vjetër kalojnë nëpër ato gogla, dhe plakut i kanë marrë mendjen” – mendoi djali dhe u kthye pas.
– Ndalo i tha plaku djalit.
– Po baba, dhe e vështroi më me kureshtje.
– Dje humbët dhe manarin, nuk të duket pak kjo.
– Po, bisha e egër nuk pyet, rrëmben çfarë ti dalë përpara.
– Këtë se kisha menduar e nënqeshi plaku, ndërsa mori shkopin dhe i ra tre herë tokës me inat. Herës tjetër nuk do e përplas në tokë por në kokën tënde. Nuk e ke vënë re që sa herë shfaqet hëna e plotë, ju humbisni një dele.
– E çuditshme kjo baba- u hodh djali!
– Është e çuditshme se ti je djalë budalla. Muajin tjetër kur të shfaqet prapë Hëna e plotë dua që të ruani çobanin. Largohu tani e më ler në botën time. Jam shumë plak e duhet të sillois gjithë ata që kanë kaluar para meje. Plaku humbi prapë në mendimet e tij të thella, ndërsa djali edhe më i çuditur për atë që dëgjoi.

***

Muaji tjetër kaloi mes kuriozitetit të vëllezërve por dhe kërshërisë së plakutt. Muzgu nisi të varej ngadalë, ndësa hapat e djemve bëheshin edhe më të shpejtë. Sapo ngjitën majën e fundit para syve të tyre u shfaq sheshi i malit që bleronte nga lulet e verës dhe trëndelina. Hëna e plotë u shfaq dhe ata vështronin të mahnitur madhështinë e ngjyrës së saj. Nga nomeja vinte muzika e fyellit të çobanit, që pas erës së malit vibronte dhe i pëhapte tingujt dhe më larg. U afruan më prane dhe zunë vend pas një gëmushe. Prej aty ata shikonin çdo lëvizje në stan. Për momentin asgjë e pazakontë nuk dukej, pëveç fyellit që vazhdonte të binte, si melodi por dhe dert i bariut dhe qenve të stanit që vinin vërdallë rreth vathës.
– Më duket se erdhëm kot – tha vëllai më i madh. Babai ynë është plakur , e nuk di çfarë flet tani.
– Presim tha më i vogli. Erdhëm deri këtu dhe s’ bën t’ ia thyejmë zemrën.
Befas fyelli pushoi. Dera e drunjtë u hap dhe ashtu nëpër atë mjegulli u shfaq bariu. Ata u bënë njësh me dheun, ndërsa pamja, falë Hënës që ndriste dhe më shumë ishte bërë më e dukshme. Ai hyri në nome, kapi një dele dhe e hodhi në shpinë. Mbylli lesën, vështroi dhe një herë rreth e rrotull, si u sigurua se nuk kishte asgjë, u briti qenve që të mos e ndiqnin pas. Vazhdonte të ecte, ndërsa djemtë pa rënë në sy e ndiqnin nga pas. Beftas ai ndaloi mes një brezari gurësh dhe u mbështet pas një shkëmbi të bardhë. Më pas veç një blegërimë e këputur, që dukej se rënkoi bashkë me qerthullin e natës.
– Ta ndërshkojmë- tha vëllai më i vogël dhe u ngrit në këmbë.
– Prit. Të shikojmë se çfarë do bëjë deri në fund dhe e uli me pahir. Shht..!
Ai hodhi një copë lëkurë në tokë, si nishan dhe shenjë e mbetur nga egërsirat dhe e hodhi prenë sërish mbi shpinë. Vazhdoi të ecte deri sa u ndal para guvës. Ende pa hyrë brenda saj djali më i madh fishkëlleu. Ai tingull çau akuartitetin e natës dhe grishi jo vetëm atë heshtje mistike, por edhe qenien tashmë të tmerruar të bariut, i cili u shndërrua vetë në hijen e asaj shpelle, duke fluturuar e lenë pas grahmën e fundit, si zë që shuhej e humbiste brendësisë së malit.

***
Lumi vazhdonte të rridhte rrëmbyeshëm, ndërsa duart e saj luteshin në breg për të marrë flijimin e malit që sillej rrotull e humbiste ujit të zi.

Nga: Agron Shele

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s