Poezi nga Alma Zenellari

Poezi nga Alma Zenellari

 

MËNGJES I HUTUAR QERSHORI

Ç’është ky mëngjes i hirtë, nën re,
Me njerëz që ecin të hutuar
Në gjoks të qytetit që ende fle
Dhe supeve ankthin mbajnë ngarkuar…

Ca zogj më tutje sikur thyejnë heshtjet,
Të dehur rendin në rrugë ajrore
Më tutje vajza që mbysin qeshjet
Rrugëve të lodhura nga heshtje mortore.

Qytet që s’di pse më ngjall frikë,
( i dal prej netësh me ankth dhe drithma)
Këtu dhe dita s’mbushet me dritë,
Këtu përshëndetjet ngjasojnë me klithma…

 

MOZAIK PRANVERE

***
Në prehër resh shplodhen zogjtë,
zogjtë me krahë prej ajri
në kor i këndojnë pranverës,

Ata që qiellin mbështjellin gjinjve,
me sqep krijojnë udhë
dhe kurrë s’i tremben erës…

***
Trëndafilat e tu
bëhen zjarri i buzëve,
bëhen puthje…

Kor i bletëve mbështjellë
aromë dhe polen zambakësh…

Pranvera ime kuqëlon
nën petale dielli, flakësh.

 

FRYMËZIM MAJI…

Akoma rri e strukur nën krahët e pushtë të zogjve ?
Në ankthin e tyre të brishtë
për të fluturuar larg syve të mëmës?
Akoma nuk vjen ta përshëndesësh rrezen
mbi kërcejtë e gjelbërt,
që lagen prej vesës piklore?
I ndjen si fëshfërijnë gjethet,
Si zilka gazmore nëpër pemë…
Tringëllijnë gëzueshëm kur preken,
ledhatohen nga puhi e erës. .
Ti rri aty
e drojtur, e ngrohtë, e pazëshme,
nën poret e zmadhuara të tokës
Mjafton ta vë veshin pranë saj
dhe të dëgjoj ty si pulson,
si u pëshpërin çdo rrënje të gjallë,
Si i prek me gishta delikatë, magjishëm
dhe ato mbushen me lëng,
e një ushtri e tërë bisqesh të gjelbër
çanë tokën furishëm.
Ta shoh fytyrën mes këtij gjelbërimi
nën kërcejtë e luledeleve,
që lëkunden hareshëm
dhe i thërrasin ajrit.
Flasin me thekët, pistilat
e qindra luleve të tjera,
Ato luledelet. ..
flasin me ngjyra gëzimi…
Këndojnë me tinguj të fshehtë
U thërrasin zogjve, bletëve,
brumbujve të vegjël
dhe ata zhurmojnë mes freskisë
dhe aromës dehëse që ti u fal…
Zgjohu pra pranverë.
Mos u ndal!
Ti je pranvera e Botiçelit,
me flokë myshku dhe aromë gruaje.
Je Persefoni e dashuruar,
që qëndis tokën me shpresë.
Zgjohu pra,
ngjitu pa drojë
drejt ujrave, ajrit, pemëve, qiellit.
Ma fal sot një buzëqeshje maji,
të mrekullohem brenda qënies sime .
të ndihem si ti,
e gjallë, e ngrohtë, puplore…
Më pagëzo me emrin tënd, pranverë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s