Poezi nga Kujtim Agalliu
Eci…
Jam lindur që të eci, jo të zvarrisem,
Jam lindur që të dashuroj, jo të urrej,
Zot, ki mëshirë për ata që s’më kuptojnë!
Fjalët
Fjalët i peshoj njëqind herë para se të t’i them,
dhe dorën askund s’e vë pa lejen tënde, por
sytë, ah, sytë mëkatarë asnjë ligji s’u binden..
Çdo gjë kam dhe s’e kam
Amaro pi në Itali
dhe mes malesh thyej vështrimin,
diku të zhytur në gjelbërim.
Çdo gjë e kam dhe s’e kam
këtu i ulur në një bar,
krejt i vetëm në tavolinë.
Lëshoj mendimet nëpër pyll,
të vrapojnë kuturu
si majmunët përmbi pemë,
se ku venë as vetë se di.
Montenegro gllënjkë pas gllënjke
rri e rri dhe pi ngadalë
çdo gjë kam dhe s’e kam,
krejt i vetëm në një bar.
Harroj gotën para syve,
krejt i zhytur në dëshpërim,
diçka tjetër më mungon,
më e dashur, më e shtrenjtë,
përballë Sarës, në Elbasan,
mbushur plot me gumëzhim,
pret për mua një tavolinë.
…………………………………..
Rri e rri dhe pi Amaro,
ulur vetëm në një bar,
më mungojnë ata që dua,
që më duanë dhe që më shajnë,
përballë Sarës, në Elbasan…