Poezi për fëmijë nga Iliaz Bobaj

Poezi për fëmijë nga Iliaz Bobaj

 

ZOGU I VOGËL

Në folezë një zog i vogël,
zog i vogël sa një gogël,
i tund krahët me nxitim,
bën mësim për fluturim.

Krejt i vetëm jep e merr,
pa mësues, trainer,
po pranë degës i rri nëna
dhe i mbush syçkat me ëndrra.

Një vogëlush e kundron,
edhe nënës s’ia përton:
-Pse e vështron si e huaj,
një këshillë, një fjalë s’i thua?

Zogu nënë i flet nga lart:
-Fluturimi është art,
kush do qiejt t’i zaptojë,
mëson vetë të fluturojë.

 

ANDROMAKA NË BUTRINT

Andromaka në bedenë,
rrinte vetëm, fillikat,
qe mëngjes, në horizont,
dielli çeli synë e zjarrtë.

Një puhizë si frymë fëmije,
e flladiste qetë- qetë
dhe e dhelte në fytyrë,
si shamizë e butë, e lehtë.

Butrinti, copëz parajse,
ofronte gjithë bukuritë,
e kish thënë vetë Andromaka:
-Si Butrinti s’ka të dytë !

Por ajo përtej nga lindja,
mbante të ngulur vështrimin:
-Ja, andej nga lind mëngjesi,
është Troja, qyteti i diellit.

Në pallatin mbretëror,
me mend bridhte cep më cep:
Troja ishte si një ëndërr,
ishte madhështia vetë.

Një lot si një gur i rëndë,
që zbret shpatit me vërtik,
nga syri i saj i trishtuar,
ra dhe u bë copë e çikë.

Me ca fjalë si plagë malli,
e theu heshtjen e vet:
-Troja, dhimbja jonë e madhe,
do na ndjekë pas përjetë.

 

NË NJË LULE

Fytyra e natyrës,
frymëmarrja e jetës,
buzëqeshja e fëmijës,
vërtetësia e ngjyrave,
pasqyra e dritës,
parajsa e syrit,
mjaltorja e bletëve.
Në një lule të vetme…

 

NË KLASË MBETI NJË VEND BOSH

Në klasë mbeti një vend bosh,
iku shoqja, më e mira,
të dhemb shpirti ta shikosh,
vendin që la bosh Edlira.

Pa Edlirën fytyrëqeshur
dhe banka na duket ndryshe,
është e varfër një bankë bosh,
si folezë pa dallëndyshe.

E kishim pranë të gëzuar,
si varkëz mbi valë të detit,
e shpuri në tjetër vend,
dallgë e egër e kurbetit.

Vendi i saj vazhdon rri bosh,
heshti fjala, drita, ngjyra
dhe një pyetje na merr osh:
-Kur do kthehet prapë Edlira?

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s