Pablo Neruda
Kalendari poetik: Pablo Neruda (1904-1973)
Më 12 korrik është data e lindjes së Ricardo Eliécer Neftalí Reyes Basoalto, i njohur botërisht me emrin e tij artistik Pablo Neruda, poet dhe diplomat kilian, i quajtur nga Gabriel García Márquez “poeti më i madh i shekullit XX, për të gjitha gjuhët”. Fitues i çmimit Nobel në vitin 1971. Kam mbi njëqint shqipërime prej Nerudës dhe mendoj të botoj një përmbledhje poetike. Ja përzgjedhja ime nga ç’kam prej Nerudës:
KAM URI PËR GOJËN TËNDE
Kam uri për gojën tënde, zërin, flokët e tu,
shkoj rrugëve i uritur, i heshtur,
buka nuk më mban, agimi turbulluar më gjen,
tingullin e lëngshëm të këmbëve të tua kërkoj.
I uritur jam për qeshjen tënde gurgulluese,
për duart e tua ngjyrë grunajash të harlisura,
kam uri për xhevahirin e zbehtë të thonjve të tu,
dua të ha lëkurën tënde si bajame e freskët.
Dua të ha rrufenë e djegur në bukurinë tënde,
hundën mbretëreshë në atë fytyrë të bukur,
dua të ha hijen bredharake të qerpikëve të tu.
I uritur shkoj e vij muzgun duke nuhatur,
duke të gjurmuar, zemrën tënde të ngrohtë duke kërkuar,
si një puma në Quitratùe*-në e vetmuar.
Quitratùe-një qytet i vogël në jug të Kilit
© shqipëroi Maksim Rakipaj