Leonorë / Nga: Ornela MUSABELLIU


Leonorë

 

Nga: Ornela Musabelliu

Zhveshjen e nisi që te dhoma e gjumit. Përshkoi korridorin e gjatë, anashkaloi pasqyrën e madhe pa ia hedhur sytë e, kur u gjend përpara banjës, ishte e tëra lakuriq. Vitet nuk ia kishin zbehur linjat e bukura, ndonëse lëkura nuk kishte më freskinë e dikurshme e në vend të gjinjve kishte veç dy shenja qepjeje të thella, horizontale. Por uji i ngrohtë i vaskës nuk i diskriminoi asnjë centimetër të lëkurës. E përqafoi dhe ledhatoi aq këndshëm, sa iu dorëzua paqësisht. E tëra!
I shoqi hapi derën dhe hyri brenda me një zarf, që postieri ia kishte lënë në dorë, gjendur përballë pikërish në çastin kur ai zbriti nga makina.
Nëpër këmbë iu ngatërrua këmisha e saj e natës. E ngriti gjithë bezdi, hoqi këpucët, veshi pantoflat e eci drejt dhomës së gjumit. Ngriti edhe penuarin e verdhë, me vazon e lulediellit të Van Gogut, printuar në shpinë, që dergjej në mes të dhomës, e i flaku të dyja mbi shtratin e prishur.
– Leonorë, ç’janë këto rroba në tokë? Përse nuk është rregulluar krevati? – por nuk mori asnjë përgjigje. Mbajti vesh mos dëgjonte zhurmën e dushit nga banja e dhomës së gjumit: asgjë. Gjithsesi i hodhi një sy. Bëri nga korridori dhe në mes të tij pa mbathjet e bardha. I kapi me majat e gishtave, fytyrërrudhur, dhe brriti:
– Leonorë!
Asnjë pipëtimë. As qentë. Zakonisht e ndienin sapo parkonte makinën; lehnin e zhurmonin derisa merrnin shenjën për qetësi nga e zonja e shtëpisë.
Me sa dukej, nuk ishin fare. Duhet t’i ketë nxjerrë shëtitje, mendoi, ndonëse orari ishte i pazakonshëm. Leonorë e dinte mirë që ai kthehej nga spitali një orë pas mesdite e kur nuk ishte në punë duhej të ishte patjetër në shtëpi t’i shërbente drekën. Hanin në heshtje. Pastaj ajo merrej me rregullimet e pastrimet, ndërsa i shoqi çlodhej ca, deri sa mbyllej në zyrën e tij mjekësore, ku për katër orë hynin e dilnin pacientë me lloj-lloj hallesh. Leonorë ishte infermiere. Punonte me turne në spitalin e Luvenit, por që prej pesë vjetësh, herë pas here, merrte pushime të zgjatura për shkak të seancave të kimioterapisë. Ndihej e lodhur, por në shtëpi nuk arrinte thuajse kurrë të çlodhej. I shoqi, maniak i pastërtisë, gjente përherë diçka edhe pasi largohej vajza që i ndihmonte dy herë në javë me pastrimin.
E kish shoqëruar të shoqen veç dy herë në spital: kur i ishte dashur të rrinte ca kohë, pasi ia hoqën gjinjtë dhe i filluan kimioterapinë, dhe kur sëmundja iu rishfaq. Nuk e kishte parë më derën e spitalit, ndonëse Leonorë i ishte lutur që ta shoqëronte gjatë seancave, se ndihej e pafuqishme për t’i dhënë makinës.
– Mund të marrësh taksi, – i qe përgjigjur ftohtë e që atëherë, gruaja nuk ia kërkoi më.
Të paktën i shoqi e kish marrë mundimin të justifikohej me faktin se nuk kish më kohë të lirë tani që po kalonte në një fazë tjetër të karrierës. Me natyrën e ftohtë e të sertë edhe mund të mos i thosh asnjë gjysmë fjale. Sapo kishte mbaruar studimet në një degë të re dhe nga mjek i përgjithshëm kishte kaluar në hetimin mjekësor. “Ti duhet të jesh krenare, që edhe në këtë moshë vazhdoj ende të studioj e të kërkoj diçka më të mirë për vete dhe ju”, i pat thënë dhe Leonorës nuk i mbeti gjë tjetër veç t’i ishte “mirënjohëse”.
Kur Leonorë u sëmur herën e parë, i biri, Kris, katërmbëdhjetë vjeç, shfaqi shenjat e para të depresionit. I bindur se e ëma do vdiste shpejt, filloi të urrente të atin. As tek rritej nuk kishte përjetuar ndonjë lidhje të fortë me të. Gjithë ç’donte në atë shtëpi ishte e ëma dhe dy qentë pastorë belgë, që Leonorë ia kishte bërë dhuratë për tetë-vjetorin. Pas lutjesh e përgjërimesh të shumta, më në fund i ati i kishte lejuar t’i mbanin brenda në shtëpi, por me kushtin që mos të shihte asnjë qime në sallon apo kuzhinë. Kris dhe Leonorë pastronin gjithë kohës e, kur ata nuk ishin në shtëpi, të gjorat kafshë rrinin brenda një kafazi të madh prej hekuri, ku gënjeheshin me ca kocka plastike e karamele për qentë.
Leonorë e çoi menjëherë te psikologu. Sforcohej edhe më shumë në shtëpi, që t’i linte të birit të kuptonte se ajo ishte mirë e asgjë e keqe nuk do të ndodhte. Madje filloi punën edhe më shpejt nga ç’i kishin thënë doktorët, me orar të reduktuar. Sa u duk se Kris e mori veten, Leonorës iu rikthyen gjëndrat tumorale, atij depresioni, ndërsa të atit iu prish edhe më shumë humori.
Një pasdite vonë, Kris dhe Leonorë u kthyen nga shëtitja me qentë; doktori po mbyllte derën e jashtme pas shpinës së klientit. Pastorët, që atë moment e gjetën hapur garazhin, që të lidhte me lavanderinë dhe në krahun tjetër me klinikën, u dhanë këmbëve e hynë gjithë potere deri në kabinet. Një pacient i moshuar, që priste në paradhomë, i ndolli dhe i përkëdheli, por sakaq u dëgjua e bërtitura e doktorit, që u hakërrehej bashkëshortes dhe të birit. Leonorë u ngut t’i merrte, duke kërkuar falje, por toni i egër i doktorit i struku poshtë këmbëve të plakut e nuk iu bindën as asaj. Gruaja i tërhoqi qentë gjithë nervozizëm e bëri për nga lavanderia, që nëpërmjet një dere të nxirrte në kuzhinë. Pikërisht atë çast u dëgjua Kris:
– Uroj të vdesësh ti e jo ajo! – i ulëriu në fytyrë të atit. – Dhe mbaje mend: nëse ajo vdes, nuk dua të t’i shoh sytë më!
Që atëherë, atë e bir nuk flisnin me njëri-tjetrin; edhe kur së ëmës i duhej të shtrohej në spital e ngeleshin vetëm të dy, edhe kur iu desh ta përsëriste vitin shkollor, edhe pas një viti, kur u nis për në universitet, në Luven. Por doktori e çoi edhe më tej hakmarrjen; ndërpreu çdo pagesë fature për të birin.
– Jam i lumtur që arrita të vij në universitet, – i tha së ëmës, ndërsa të dy pastronin dhomën e tij të konviktit, – jo vetëm që do jem larg tij, por edhe larg teje.
Leonorë nuk deshi t’u besonte veshëve. Me sy të çakërdisur e pyeti:
– Përse?!
– Sepse ti kurrë nuk e more mundimin të na shpëtoje nga ferri i tij! Përse nuk ndahesh? E di që e urren; ta ka nxirë e shkurtuar jetën!
Leonorës iu qep goja. Donte t’i thoshte se pikërisht prej tij nuk e kishte lënë të shoqin; kish frikë mos vdiste e nuk donte ta linte vetëm, por heshti. Ndjeu se kishte gabuar nga dashuria për të birin dhe në vend që ta mbronte e kish çuar me duart e veta në një botë të errët, ku edhe ajo po ndihej si hije.
Rrugën nga Luven në Bruksel e bëri pa mendje. U kujtua që ishte në timon veçse kur hapi garazhdin e futi makinën brenda.
Gjithë natën nuk mbylli sy. Në mëngjes, pasi ndjeu të shoqin të dilte, u ngrit nga shtrati, që prej vitesh e përdorte veç për të fjetur, shkoi në banjo dhe pa veten në pasqyrë. Sytë i ishin futur brenda zgavrave e në vend të tyre iu duk se pa dy kopsa ngjyrë hiri. Shtroi me dorë flokët e rrallë, që mezi ishin rritur pak pas seancës së fundit të kimioterapisë, dhe ndjeu dëshirën të bënte një vaskë.
Nuk do t’ia fal më trupin kësaj vaske, mendoi dhe u drodh nga mendimi se pas saj do ta përdorte doktori. Lidhi mirë penuarin, shkoi te banja në fund të korridorit, hapi ujin e vaskës, doli, ushqeu qentë, i nxori në kopsht dhe vuri ekspresin. Nxori nga rafti kutitë me ilaçe, gëlltiti ca, piu kafen, duke parë nga dritarja e madhe kafshët që luanin, e u kthye në dhomë.

Doktori hapi zarfin, që sipër mbante emrin e së shoqes, i hodhi një sy të shpejtë dhe u ndal aty ku shkruhej:
“Sëmundja ka përparuar…”.
As e ha, as e lë, mendoi dhe e hodhi letrën me nervozizëm mbi banakun e kuzhinës. Atëherë vuri re kutitë e derdhura të barnave. Pa që ishin qetësuesit, që i biri kishte përdorur përpara se t’ia zëvendësonin.
– Leonorë! – thirri dhe doli në oborr, me shpresën se do ta gjente aty. Te këmbët iu ngatërruan gjithë potere dy pastorët, që deri atëherë e kishin gërvishtur krejt derën e kopshtit për të hyrë brenda, por ai nuk i kishte vënë re. Dera hermetike nuk lejonte të hynte brenda asnjë zhurmë.
Qentë e shtynë me forcë e hynë. Rendën drejt kuzhinës, dolën në korridor e hapën derën e banjës, duke e goditur fort. Doktori hyri pas tyre gjithnjë duke bërtitur, por te pragu shtangu.
Leonora iu duk e bukur për herë të parë në jetën e vet.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: