VAJTIMI I BURRAVE PILURJOTË / Sprovë nga Timo Mërkuri

VAJTIMI I BURRAVE PILURJOTË

 

Sprovë nga Timo Mërkuri

Në datën 10.07.2020  vdiq në moshën 62 vjeçare Thoma Çipa nga Piluri. Vdekja ndodhi në mesnatë dhe në mëngjez familja hapi mortin sipas traditave pilurjote, pavarësisht se i ndjeri ndodhej  familjarisht emigrant në Patra të Greqisë prej disa vitesh dhe në çastet e mortit pilurjotët e pranishëm ishin të pakët. Sipas traditave të herëshme pilurjote, vëllai i të ndjerit, Polo Çipa zuri vajin në dhomën e burrave ku i ligjëronte të vëllait:

“O Thoma o vëlla, o Thoma

Ylli që dil në saba, o vëlla,

Po ç’ishte këjo hata, o vëlla

Plag e rrëndë e dot se mba, o vëlla,

Bota na kishte sevda,[1] o vëlla

Seç ma theve njërin kra’, oooo  vëllaaaa!”

1- Teksti i mësipërm vajtohej mes ngashërimeve e lotëve, pavarësisht se në dhomën tjetër gratë kishin zënë vajin me kujë e ligjërime. Mosha e të ndjerit, që s’kishte qasje me vdekjen, vdekja e ndodhur në kurbet larg njerëzve të afërm e të dashur, larg  bashkëfshatarëve, miqve dhe të njohurve e shtonin zezonën e ligjërimeve të grave, por pavarësisht kësaj, vajtimit të Polo Çipës për të vëllanë i rezervohej vëmëndja dhe radha e nderit. Kjo vëmëndje dhe ky nderim vinte jo nga fakti i vlerësimit të tekstit apo “bukurisë[2]” së vajtimit. Shkaku ishte tjetër, vajtimi i Polo Çipës ishte “vajtim i burrave”, një rit mortor tepër i hershëm shqiptar, që në vise të tjera  është haruar, madje edhe në shumë fshatra të krahinës së Himarës nuk praktikohet më. Vetëm në Pilur  ky zakon ka rrënjë të thella në kohë e të gjëra në praktikim, si ai rrapi në mes të fshatit, ndaj dhe erërat e modernitetit i rrëzojnë gjethet e i thyejnë degë, por rrënjët nuk ja shkulin dot.                                   Rrastet e ralla ku zbatohet ky rit, misteri që buron nga hershmëria e tij si dhe qasja me “gjamën

e burrave” janë më se të mjaftueshme për të tërhequr vëmëndjen e studiuesve të dokeve zakonore shqiptare.

2-Në dukjen e parë, riti i “vajtimit të burrave” duket se bie ndesh me formulimin zakonor sipas të cilit “burrat nuk qajnë”. Këtu ndoshta duhet të sqarojmë dallimin midis kuptimit të foljes “qaj” me foljen “vajtoj”, të cilat në dukje të parë janë identike por që në kuptimin zakonor janë shumë të ndryshme me njera tjetrën

Të “qash” do të thotë të nxjerrësh apo të lehtësosh me klithma e lotë dhimbjen tënde  fizike apo shpirtërore  të shkaktuar nga ndonjë goditje e jashtëme, e cila të ka lënë plagë në trup apo shpirt. Përkundër kësaj, të “vajtosh” do të thotë që dhimbjen tënde (vetëm) shpirtërore, nëpërmjet vajtimit me ligje, ta shndrosh në lartësim të personit, vdekja e të cilit  ta shkaktoi këtë dhimbje. Vajtimtari nuk ka plagë fizike që të ndikojnë në dhimbjen e tij, veç atyre që i shkakton vetes në zbatim të ritit mortor, si goditje me grusht gjoksit apo cënim i fytyrës e kokës.

3- Vajtimi i burrave në Pilur ështe një rit dhe praktikim i zakonshëm në çdo mort,. Ndryshon itensiteti emocional i vajtimeve i cili varet nga mosha e të ndjerit, mënyra e vdekjes së tij dhe nga aftësia e talenti i vajtuesit. Në këtë  kontekst,  vdekja e një të riu vajtohet me gjëmë e logori me ton të lartë. përkundër vajtimit të “shtruar” në vdekjen e  një plaku. Kështu, vdekja nga një vrasje apo fatkeqsi e menjëherëshme  ka një ngarkesë emocionale më të madhe se sa vdekja e një të sëmuri që ka lënguar në krevat muaj e vite me rradhë etj.  Ajo që duhet theksuar është fakti se çdo shtëpi[3] që ka patur mort, ka përjetuar “vajtime burrash” krahas ligjërimit të grave. Thjeshtë, në mes të ceremonisë mortore, në mes të dhomës së burrave, tepër natyrshëm, një burrë i familjes ngrihet në këmbë ose ulet në mes të dhomës e zë vajin me ligje për të ndjerin. Pasi vajton fillimisht në dhomën e burrave, niset me vaj në buzë në dhomën e grave, të cilat e rritin itensitetin dhe tonalitetin e vajtimeve të tyre, duke dramatizuar skajshëm situatën.

Është tepër i zakonshëm ky moment në mortet e fshatit tim. I pazakontë do të konsiderohet mungesa e këtij vajtimi.

4- Në pamje të parë duket se vajtimi i burrave është një vajtim vetmitar, një vajtim ivetmuar, vajtim i një njeriu të vetëm dhe për pasojë është një shmangie e traditës së të vajtuarit kolektiv të popullit tonë. Kështu duket  në pamje të parë.

Në familjet pilurjote, “vajtimi i burrave” nuk është vajtim i një burri të vetëm. Këtë vajtim mund ta nisë një burrë i familjes, por natyrshëm mund ta shoqërojë dhe një apo dy burra të tjerë të familjes ose që kanë ardhur për ngushëllim, nqse ata e përdorin këtë rit, dmth nqse dinë të vajtojnë. Kur themi që “e shoqërojnë një apo dy burra të tjerë të familjes” nuk “fshihemi” pas rasteve kur të gjithë djemtë vajtojnë bashkërisht prindin e vdekur, por flasim për  bashkim në vajtim të familjarëve dhe burrave që kanë ardhur për të bërë zakonin (ritin) mortor.

Le ta shohim nga një këndvështrim tjetër ritin zakonor: kur pilurjotët shkojnë për ngushëllim[4], ata nisen si grupe burrash[5] dhe në momentin që afrohen rreth pesedhjetë metra pranë shtëpisë së mortit, nisin “vajtimin e burrave”. Në këtë vajtim ata  përmëndin  cilësitë pozitive të të ndjerit, miqësinë e tyre me atë dhe  dhimbjen e tyre për vdekjen e tij. Këtë vajtim e bëjnë të gjithë bashkë, në formë kolektive, nën një rregull të pashkruar, sipas të cilit njeri prej tyre ligjëron vargun e parë dhe grupi e shoqëron me “iso” vajtimi dhe me goditje të gjoksit me grushte e gjeste të tjera. Ky fakt është dëshmi e pakundërshtueshme se edhe “vajtimi i burrave”,  njësoj si vajtimi i grave është formë e vajtimit kolektiv e popullit shqiptar.

5- “Vajtimi i burrave” të Pilurit ka qasje me “gjamën e burrave” në krahinat e veriut dhe me vajtimin e Lekë Dukagjinit dhe të ushtrisë shqiptare në sheshin e Lezhës, ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit. Aty Lekë Dukagjini doli para ushtrisë, ra në gjunjë, goditi tokën me pëllëmbën e dorës së djathtë, pastaj goditi gjoksin me dy grushta njeri pas tjetrit, u ngrit në këmbë dhe me gjeste vetëdëmtimi në fytyrë  hodhi një hap përpara dhe nisi të shqiptonte formula  dhimbjeje për vdekjen e “atit, të prijësit, të zotit të Arbërisë” dhe se “tani ata mbetën jetim” etj. Pas shpinës së tij, gjithë ushtria shqiptare përsëritëte lëvizjet, gjestet e fjalët e Lek Dukagjinit, i cili pastaj bënte lëvizjen e dytë duke rënë në gjunjë e duke goditur përsëri tokën, për tu ngritur prapë dhe duke ecur në këtë mënyrë drejt Katedrales, ku ishte trupi

Skënderbeut.

6-Disa studiues, këtë ditë e quajnë si ditën kur filloi të aplikohej zakoni  “gjama e burrave”. Vlerësimi i ditës së vdekjes së Skënderbeut si dita kur filloi aplikimi i ritit të “gjama e burrave” është gabim i madh, sepse në këtë kohë riti i “gjamës së burrave” ishte futur në Kanun ( Kanuni i Lekë Dukagjinit) pasi ishte debatuar në Kuvendin e Dibrës qysh në gjallje të Skënderbeut. Ndërkohë ka një anë tjetër negative cilësimi si datlindje e këtij riti dita e vdekjes së Skënderbeut. Riti i “gjamës së burrave” është “binjak” me ritin e “vajtimit të burrave”. Dikur ka qënë i njëjtë gjer në imtësi[6] si dy degë të një peme, por ndryshimet mes krahinave si pasojë e zjarrit të pushtuesit dhe ngricës së robërisë turke, bëri që njërës degë të mos i ritet filizi apo tjetrës ti përzhiten gjethet, duke pësuar ndryshime dytësore mes tyre. Kështu “vajtimi i burrave” ndryshon nga “gjama e burrave” se te “vajtimi i burrave” kemi vajtim me ligje ndërsa te “gjama e burrave” kemi vetëm shqiptime të formulave të caktuara me kanun. Gjestilacionet janë gati të njëjta, vetkuptohet që kanë ardhur duke u zbutur në kohën tonë. Në thelb, të dy ritet  janë akoma identike, pavarësisht se duken  si dy degë peme pas një zjarri, sepse i ushqen e njëjta  rrënjë peme. Këto rite, për nga identiteti, janë rite mortore të herëshme shqiptare, parailire dhe ushtrohen kolektivisht.

7-Ndërsa themi se riti i vajtimit kolektiv është një rit parailir, duke e cilësuar datën e vajtimit të Lekë Dukagjinit si datë e lindjes së ritit mortor të “gjamës së burrave” ne e afrojmë datlindjen e këtij riti mortor në mesjetë, duke i mohuar epoka jete.  Dhe po të shohim se “vajtimi me ligje” është burimi i këngës sonë iso-polifonike si shumëzërrësh popullor, duke shkurtuar kohën e ekzistencës së këtij riti vajtimor, ne shkurtojmë padrejtësisht edhe  kohën e jetës së këngës sonë . Pra, me “një të rënë të lapsit” fshijmë epoka të tëra historike dhe kulturore të popullit tonë duke rënë në kurthin e tezave se “shqiptarët janë të ardhur von në ballkan”.

8- Doket tona zakonore, ritet mortore, këngët dhe vetë historia e jonë nuk ka filluar në mesjetë, sado e lavdishme të jetë epoka që cilësohet. Mesjeta është një kapitull i historisë sonë me sukseset dhe disfaktat e saj, por historia e jonë është një libër me shumë kapituj, leximi i të cilëve është detyrë dhe detyrim para se të nisim të shkruajmë për tema të tilla madhore, që konfigurojnë tiparet e kombit tonë.

9- Riti mortor i “vajtimit të burrave” në rastin tonë nuk u bë në Pilur por u bë në Patra të Greqisë ku kishte emigruar familjarisht i ndjeri, bashkë me prindërit. Duke e ballafaquar me rastin e “gjamës së burrave” që ju bë Martin Camajt në fshatin e tij ku familja organizoi ceremoninë e “gjamës së burrave” mbi rrobat që poeti pati dërguar paraprakisht nga Gjermania, duket se ka një shmangie të kodit zakonor në rastin pilurjot.

Martin Camaj, shkrimtari dhe albanologu i shquar shqiptar. që kaloi një pjesë të mirë të jetës në Gjermani me një karrierë të ethshme akademike, ku dhe ndërroi jetë më 1992, është vajtuar me gjamë burrash në familjen e tij ku ai edhe është vajtuar me lot e kujë prej grash e burrash njëherësh, duke qëndruar i pajetë para tyre në shtëpinë e lindjes, jo me trup por me kostum.

Vajtimi mbi petkat e Martin Camaj është bërë sipas konceptit që “morti bëhët në shtëpinë e të ndjerit”, pavarësisht se ku vdes ai. Kështu u është bërë morti në Shqipëri mijra e mijra nizamëve shqiptarë që  janë vrarë nëpër luftërat turke shkretëtirave të Arabisë dhe kanë qënë të pranishëm  vetëm me shpirt, si zogj mbi shtëpitë e tyre..

Në rastin tonë, vdekja ndodhi në Patra të Greqisë, ku i ndjeri kishte shtëpinë dhe familjen e tij bashkë me prindërit. Shtëpia në Patra, pavarësisht me qera, e blerë apo e ndërtuar prej të ndjerit ku banonte ai vetë me familjen dhe prindërit, plotësonte  kuadrin e formulimit “shtëpi dhe familje” që kërkon riti mortor. Piluri mbetet thjeshtë fshat i origjinës, aty pas mjegullës, që shndrohet në vesë dhe lotë dritareve dhe luleve të shtëpive të boshatisura.

[1] Ka kuptimin…Bota na kishte zili…

[2] Vajtoi bukur… themi për ndonjë vajtore që vajton me tekst  të arirë dhe zë  të bukur (melodi) vajtimi. Thuhet ndryshe dhe…me lloj vajtimi.

[3] Në përmbledhjen time “Ku hardhia pikon vesë” me këngë, vaje e bejte pilurjote, botim I MILOSA Sarandë  2012 kam publikuar disa vajtime të tim eti për vëllain, nënën dhe xhaxhain tim, kështu që nuk është nevoja ta zgjeroj listën e vajtimeve të burrave në këtë shkrim.

[4] …nëpër fshatra  të tjera , larg vendbanimit të tyre.

[5]  Natyrshëm që kanë marrë dhe gra me vete, por ne flasim për ritin e burrave.

[6] Në vajtimin e Skënderbeut veç ushtarëve dukagjinas apo krutanë, ishin edhe ushtarët himariotë dhe epirotë të cilët bënin ritin e “vajtimit të burrave” apo “gjamën e burrave” njëherësh me pjesën tjetër të ushtrisë.

Sarandë, më  12-14 07.2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s