Poezi nga Sabit Idrizi
ANARKI
Ua lëshuam shumë frerin ëndrrave të përdala
E tash s’po mund ta bëjmë zap kohën
Shih si na u ҫmend liria
Jam i vetëdijshëm se jam bërë i mërzitshëm me publikimin e shpeshtë të kësaj poezie trivargëshe këtu, por nuk po durohem pa e postuar saherë që po kam trazime shpirtërore nga mbrapshtitë tona.
NË LOJËN E DALLGËVE
Në lojën përmbytëse të dallgëve
Ti mund të jesh veç njëri breg i ëndrrës
Bregu tjetër nuk je
Siç nuk është as vetë bregu tjetër
Që po na mashtron me ardhje-shkuarjet
Me shkuarje-ardhjet e anijeve të panumërta
Që s’janë gjë tjetër
Veçse një iluzion
I ndërtuar mbi madhështinë e rreme të detit.
SA LARG
Sa larg
O Zot sa larg
Nga adresa e të sotmes
Nga adresa e të nesërmes sime
Këta miq të djeshëm prej shkume
Që po ma hanë kaq bulçisht
Të ardhmen e fëmijëve.