Poezi nga Sabit Rrustemi

Poezi nga Sabit Rrustemi

 

PARA MËKATIT TIM TË PAFALSHËM

Udhës me korniza të blerta stinësh
rrethuar
hija ime më ka mbetur
atij shtegut që m’sillte në prehërin tënd
ku më flladiste puhiza e flokëve tua

Qenka zhbërë fare dhe gardhi ku kërceja
ku shpesh më grisej këmisha
ajo lëkurë e panxirë prej diellit
për t’u shtrirë një grimë te rrënjët tua

Ajo dridhmë e prekjeve
ende më trandë edhe në ëndërr

Sa këndshëm dukej ajo buzëqeshje
në sytë e mi
ajo tufnajë flokësh që miklohej ndjenjash
e prehje kërkonte poreve të këtij trupi
që drojshëm t’afrohet
pas sa e sa kohësh

E shijshme ishe për Zotin
kur m’pikoje duarve e m’i lëngëzoje buzët
fundvjeshtave në të sosur

Kujtimet e dikurshme ende vlojnë
këtyre shenjave
që nuk i shlyejnë as motet
anise nuk jam më ai çapkëni
që edhe me hijen e vet shtyhej
cili më parë do të afrohej
trupit të të katrrisej

I rishfaqur krejt papritur
s’di pse t’i shprush plagët tash

Ti nuk ma falë braktisjen
harresën
e vonesën e ardhjes

As dhe më të voglën kujtesë
përmes ndonjë ere
rige shiu
a bisht dallëndysheje

Të ka ikur mendjesh edhe fytyra ime
edhe ajo shushuritje gjethesh kur vija
ajo shije e hershme e një të dashuri

Sa herë më shkunde thirrjesh
përmes ëndrrave
më kërkove e më prite me padurim
derisa u shterre si ajo bërthamë ftoni
aty te honi…

S’ke pse të më falësh
a të më lësh të prehem nën thinjat tua
mua që dalëzotësi yt s’u bëra
nga dhëmbi i pamëshirshëm i kohës
nuk të shpëtova

Thjeshtë si ai fajtori i rrëfimeve të heshtura
nuk më dilte shpirti
pa u përulë
para mëkatit tim të pafalshëm
që ndaj teje bëra

 

PËR ZEMRAT QË PRESIN

Nga një ëndërr e harruar na prishet gjumi
mesnatave kur ndërrojnë emrat e ditëve
për t’i thënë mirëmëngjes ditës që posa hyri

Me një raki të sertë shpie i kthjellim sytë
me portretin ëndërr ditëenatë

S’lihet ardhja pafundësisht në pritje
duke u sorollatur pjesëve të paecura të sekondës

Pa zhurmë dalim qetësinë thyejmë
me maja gishtërinjsh
hapat e fjetur shpërgjumin

Një derë të hapur diku gjejmë
ndonjë dritare mëtutje

Me një fjalë goje
pa e trandur shumë
pritjen me çarçaf të bardhë e mbulojnë

Fli ti tash
fli
i themi

Agu i ardhjes për zemrat që presin
për shpirtërat që duhen edhe pa e thënë
jemi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s