Poezi nga Vjollca Ajasllari – Koni
ZEMËR NËNE
Klithi zemër e nënës mbajtur në dorë!
Kështu e thotë legjenda,
Uf! U lëndove bir, rënkoi nëna e gjorë,
Si ta kishte zemrën në kraharor!
Kështu është shpirti i nënës
Për jetët që dhuron,
Edhe pse zemërshkulur,
Me dashuri i mbulon.
Nuk dua të mbetem Legjendë,
Po dua që, Ti im bir ta dish,
Sa të kam frymën, të frymoj,
Në gjoksin tim do të rrish.
TI SHEKULL…
Do të doja të jetoja në Epokën e Gurit
Ku zjarrin ta ndizja nga stralli,
Ti shekull “modern” ke veç “fasadën”
Brendësi ke boshësinë, MJERIM!
URATA IME
Me shqiponjën do doja të jem mbi Tomorr,
E t’ju shoh me radhë sa t’më shuhet malli,
Shpirtin tim të brishtë çdo ditë t’ ju dërgoj,
Kudo që ju ndodheni edhe matanë oqeanit.
Me shpejtësinë e rrufesë e ngrohtësinë e zjarrit,
Urimin tim dërgoj në çdo zemër shqiptari,
Se mbi çdo gjë që kemi është atdheu,
Në jetë të jetëve ky amanet i të parëve.
UJËVARË SHPIRTI
Ujëvarë e shpirtit të trishtuar,
Sa sy ke larë deri më sot?
Për hallin tim të përvëluar,
Si nuk derdhe një pikë lot?
Më lan faqet, nuk më pyet,
Bryma lulet nuk freskon!
Je burim i shpirtit të shterur,
Zjarri i dhimbjes më shkrumbon.
E ndjej peshen në vetmi,
Koha gjurmët thonë shëron,
Dergjem, prehem në agoni,
Në pritje të shpresës koha m’ shkon.
Shkëputur nga vëllimi poetik “Ti, Qindvjetësh”