Simbioza e epikes dhe lirikës në poezinë e Adem Zaplluzhës / Nga: Edmond Shallvari

Simbioza e epikes dhe lirikës në poezinë e Adem Zaplluzhës

 

Nga: Edmond Shallvari

Është e pamundur të veçoj atë që në poezinë e poetit prodhimtar Adem Zaplluzha është ngjizur përmes fjalës në varg dhe vargut ne poezi: simbiozën epiko-lirike që përbën jo vetëm boshtin por edhe meridianët e paralelet e planetit të tij poetik. Kur njihesh me librat e një autori, e shumta qe mund të përmbaje ana sasiore botuese mund të vërtitet poshtë qindëshit. Bile e shikon disi me dyshim sasinë e madhe të librave të botuar. Në mendje të vjen paragjykimi se autori sado i talentuar qoftë, në kaq sasi librash me siguri do ketë përsëritur veten. Kam në kompjuter dorëshkrimin e librit të 198-te, pa pretenduar se kam lexuar 197-e të tjerët, por prej tyre kam lexuar dhjetëra e dhjetëra poezi faqeve të internetit e në veçanti në facebook. Pavarësisht nga ky lexim i bollshëm, them se dhe vetëm përmes këtij libri, shuhen si me magji dyshimet e paragjykimet e çastit.

Konkluzioni? Të vetmen gjë që Ademi përsërit në krijimtari, është muza dhe talenti i tij.

I veçantë dhe origjinal në gjithçka, bile dhe në titujt e librave dhe të poezive. Tituj që ngjajnë si prolog, vazhdim apo epilog vargu në poezitë e shkruara e të pashkruara ende. “ZGJIMI I DHEMBJEVE TË FJETURA”, është titulli i librit te ri. Titull simbolik, metaforik që të lë hapësirë fantazie brenda dritë errësirës së jetës së individit, shoqërisë dhe vendit. Dhe i zhytur kësaj fantazie, autori të jep çelësin me tre kode për të hapur tre portat e ferr-parajsës që përmban libri i ndarë në tre cikle, por që janë në ngjizje mes tyre.

Kodi i pare, “Furtuna dukej si një kalë i çmendur”, hap portën e parë dhe lexuesi si një marathonomak vihet në startin e një gare të gjate në fushën e metaforave. Them gare, falë aftësisë së autorit për ta bërë lexuesin të ndjehet protagonist sa real aq dhe metaforik në materien e dukshme e të padukshme të universit natyral e njerëzor. E prek, e ndjen dhe vepron në çdo pjesë të këtij universi, sikur të jesh i veshur me fuqi të mbinatyrshme. Por kjo fuqi, sipas autorit, ashtu si dhe në mitet me perënditë e Olimpit, nëse tejkalohet tej mundësisë sonë mund të kthehet në bumerang.

…..

Nga rrënjët e ullinjve

Shtrydhëm palcën e trungjeve

Sa që gjelbërimi qeshte me ironi

…..

…Nga një zog nate

Kuptuam se e pamundura

Gjendet në shpirtin e fluturimit

“SHIU ATË ÇAST RIGONTE”

Autori përmes simbolikes dhe metaforës e jeton kohën përtej kufijve të jetës. Përmes këtij kapërcimi kohor, lexuesit i parakalojnë si në film imazhet e historisë me ngjarje e protagoniste anonime, sa njerëzore aq dhe me fuqi titanike, me fitore e humbje jetësh, vendbanimesh, identitetesh etj. Autori flet me malet, pemët, zogjtë e natës e të ditës, kaprojtë e kuajt, shiun, furtunën, zjarrin dhe akullin, dashurinë dhe urrejtjen, ëndrrat dhe shpresën.

“Ëndërrova dymijë vjet

Dhe po aq vite të trishtuara

Kalova nëpër zhgjëndrrat e vrara”

“PATËN MBJELLË TË HUAJT”

Poezia e Ademit ngjan dhe me kapitujt e pambaruar të një romani. Në jo pak prej tyre autorit i gjendet pranë gjyshja dhe gjyshi. Një thënie, këshillë apo rrëfenjë e tyre, janë për autorin burim i pashtershëm ku ai shuan etjen poetike. Janë mikrofabula, ide, figura, mesazhe, këshilla e urtësi, që autori i zgjon dhe i vesh me bukurinë e artit poetik.

“Të duket sikur autori i bën bashkë autorë në vargje.

Tregonte gjyshja ime

Tregonte për klithmat e drunjve

Por acaret s’kishin shpirt

Ngrinin gjakun e rrënjëve

Ngrinin ëndrrat e pa ëndërruara”

“NGRININ GJAKUN E RRËNJËVE”

 

“Më ka treguar gjyshi im

Për fluturat e shirave

Sa herë që është ngrysur qielli

Nga shpirti i diellit

Kanë fluturuar zogjtë e bardhë”

“FLUTURAT E SHIRAVE”

Me kodin e dytë “Dëgjohen sazet e një kohe”, çelësi hap portën e dytë të ferr-parajsës. I vetmi “cenim” i simbiozës epiko-lirike që vihet re pas hapjes së kësaj porte, është raporti brenda saj, ku lexuesi ndjen më tepër epikën, por vetëm kaq, sepse edhe brenda këtij mbizotërimi, ndjehet fryma lirike. Ndodh njëlloj si me fenomenet e natyrës, ku mes vranësisë në qiell dhe breshrit që bie, papritur diku mes reve shfaqet qoftë dhe e zbetë drita e diellit. Kështu dhe autori, edhe në momentet më epike të vargjeve, ku shpirti vuan dhe shpërthen ndaj fatit të mbrapshtë qe ka ndjekur vendlindjen të lakmuar dhe të dhunuar nga pushtues të afërt e të largët, ka aftësinë e veçantë e të rrallë të veshjes së epikës me lirikë dhe të lirikës me epikë.

“Pak shi dhe dy grusht dashuri

I duhen pemëve të thara

Më kujtohet buka e thekrës

Kur e thyente nëna

Natën e tretë të kërshëndellave”

“MBI PLASARITJET E KËSAJ TOKE”

Nuk e teproj, sepse nuk e kam zakon ta teproj në elozhe sado e arritur të jetë një poezi, por nuk mund ta kaloj as me pak fjalë të thjeshta vlerësuese aftësinë e autorit në gdhendjen e fjalës në varg, aq sa të bën ta perceptosh poezinë njëlloj sikur të kesh përpara syve skulpturën e saj. Pra, për mua, autori në të njëjtën kohë e skulpturon poezinë dhe e poetizon skulpturën.

“Ky mal pa gjuhë dhe gjak

Me xhelozi kujdeset

Për të gjitha sekretet

Dhe historinë e atdheut tim

Që u lindën nga mishi e guri”

“SA DI ME HESHTË KY MAL”

Poezia e Ademit ka dhe mushtin e mikroeseve, sikurse dhe të thënieve aforistike. Dhe jo vetëm kaq. Ajo energjon pozitivizëm edhe kur errësohet nga hiri i zjarrit të luftërave, edhe kur ngjan me një shkretëtirë me oazë të tharë. Autorit nuk i mungon ylberi poetik edhe kur mbizotëron e zeza, jo ajo e natës, por e errësirës nga eklipsi i diellit të lirisë dhe paqes njerëzore.

“Besoj se herët a vonë

Edhe ne do gjejmë një tjetër stinë

Ku lulet e saj

Mund t’i emërojmë në gjuhën

Tonë të bukur

S’mund të na pengojë askush të dashurojmë”

“DEGËT PËRJETUAN METAMORFOZË”

 

“Më duket se u mësova

Me dimrat e acartë

Sa herë kaloj rrugëve të qytetit

Me pallton time prej dhembjeve

Shoh një pranverë diku në horizont”

“ME PALLTON TIME PREJ DHEMBJEVE”

I ndodhur mes një kohe dhe hapësire sa konkrete aq dhe abstrakte, mes një

realiteti sa real aq dhe ireal, të vjen në dorë çelësi me kodin e tretë, “Nëse zgjohet të nesërmen” dhe hapja e portës se tretë të ferr-parajsës të “thith” brenda një tjetër labirint vargjesh epiko-lirike. Simbioza epiko-lirike në këtë hapësirë është me e ekuilibruar, ndonëse kalon përmes oscilacioneve ekuilibruese. Sepse s’mund te ndodhe ndryshe. Sepse e tille është jeta, i tillë është realiteti dhe autori nuk mund t’i tjetërsojë sipas dëshirës, siç ndodh shpesh rëndom në jo pak poetë e ne jo pak poezi. E vetmja gjë që mund të bëjë dhe që poeti Adem Zaplluzha e ka aftësinë ta bëjë, është veshja me artin poetik të gjithë çkaje qe e ngacmon në mendje e shpirt.

Adem Zaplluzha

Modelimi figurativ i veshjes poetike është një nga tiparet thelbësore në poezinë e autorit. Falë kësaj aftësie, arrihet një ngjizje në dukje metafizike e gjithë formave dhe llojeve ekzistuese të materies. Arrihet të shpirtërohet materia jo e gjallë, sikurse të ç’shpirtërohet shpirtërorja. E gjitha kjo e determinuar nga misioni i njeriut-poet dhe poetit-njeri.

“Ky mal i thinjur qenka i verbër

Sa shumë i shëmbëllen

Kuajve kur hingëllojnë nga uria

Sa shumë i shëmbëllen njerëzve

Kur flasin për të kaluarën”

“KISHTE DALË NË BEJLEG ME ZANAT”

 

“Shikoj përreth kodrinave

Tej e përtej hapësirës

Bredhin mjegullat e plumbta

Krakëllimat e korbave një kohë të gjatë

Mbuluan qiellin e katranosur

Dielli sivjet s’lindi në tokën tonë”

“BREDHIN MJEGULLAT E PLUMBTA”

E megjithatë autorin nuk e mbizotëron dëshpërimi dhe pesimizmi nga kohëzgjatja e së keqes, errësirës, ferrit, përkundrazi, ai i parakalon nëpër vargje vetëm si dëshmi të ekzistencës së tyre dhe përballjes, ndeshjes e ngadhënjimit mbi to të së mirës. Nuk po ndalem për ilustrim përmes vargjeve epike, sepse fare bukur e gjen këtë dhe në liriken e poetit. Është një simbioze e ngjitur kaq bukur, sa zor te ndahet dhe analizohet me vete nga analistet dhe kritiket e artit poetik.

“Më kujtohen plakat e lagjes

Secila i kalonte të shtatëdhjetat

Por kjo moshë e shtyrë

Nuk ishte pengesë për të kënduar

Deri vonë në mbrëmje

Psalmin e dashurisë

E di fare mirë më kujtohen

Vashat që s’këndonin asnjëherë

Por ishin në gjendje

Të dashurohen nga shtatë herë në ditë

Pa ditur se si këndohen

Psalmet e dashurisë nën çatinë e kishës”

“MË KUJTOHEN PLAKAT E LAGJES”

Për poezinë e poetit Adem Zaplluzha kanë shkruar jo pak kolegë të penës dhe pena të njohura në fushën e kritikës dhe studimeve të artit poetik, por unë, duke kërkuar falje për mos përmendjen e tyre në këtë shkrim, njoh me mirë mikun e nderuar, poetin, përkthyesin, esseistin dhe studiuesin e shquar, Vangjush Ziko. Të them të drejtën u ndjeva ngushtë kur në bisedë me autorin mora përsipër barrën e rëndë për të shkruar për këtë libër të ri, por e qetësoj veten tani, sepse në fund të fundit arrita të hedh në letër mbresat dhe mendimet e mia jo si kritik e studiues, por thjesht si lexues dhe mik i penës se poetit Adem Zaplluzha.

Dikush mund të pyes hapur apo fshehtazi se si ka mundësi që në kaq prodhimtari poetike mos ketë dhe vend për vërejtje e kritike. Sigurisht që ka të drejtë të pyes, sikurse është po aq e vërtetë që nuk ka poet të jetë në të njëjtin nivel lartësie në gjithë arsenalin e tij poetik. Për këtë “zbulim” disnivelesh nuk dua të hyj në kompetencat e kompetenteve, që ndryshe nga mua, nuk mbeten vetëm në konstatime nivelesh e vlerash, por i hulumtojnë dhe i argumentojnë ato. Për mua mjafton dhe tepron pozitivizmin që ndjeva e ndjej si në leximin e parë, ashtu dhe në të dytin, të tretin… Falë këtij pozitivizmi, buroi lirshëm nga shpirti dhe ky shkrim modest për librin e 198-të të poetit më prodhimtar që kam njohur deri më sot, Adem Zaplluzha.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s