A ia vlen të ndalosh boshësinë? / Nga Rezart Palluqi

A ia vlen të ndalosh boshësinë?

 

Nga Rezart Palluqi

Një shtëpi që është bosh nuk ka nevojë ta shembësh. Ajo shembet  vetvetiu. Mirëpo disa njerëz të djallëzuar dolën dhe thanë se këtë shtëpi boshe, ne duhet ta shpallim “të ndaluar”. Pak a shumë kështu tingëlloi në veshët e mi edhe pamfleti që u hodh këtë javë për të ndaluar filmat e kinostudios enveriste. Ky pamflet bëhet më tragjik por edhe qesharak po të marrim parasysh se atë e shpërndau një shkrimtar, goxha i zoti për të bërë prozë. Ndaj dhe kjo akuzë bëhet jo vetëm komplekse por edhe vetvrasëse. Sepse shkrimtari do t’ishte njeriu i fundit në këtë botë që do të përpiqej të ndalonte disa vepra artistike. Mua përshembull nuk më shqetëson fakti nëse librat e Enver Hoxhës radhiten në të njëjtin raft me librat e mi. Edhe nëse lexuesi zgjedh për librat e Enver Hoxhës e anashkalon të mitë, prap unë nuk do të rrëmbeja borinë dhe të ulërija: librat e Enver Hoxhës duhen hedhur ne zjarr. Ose ato duhen ndaluar sepse janë të dëmshëm për psikën njerëzore, ashtu sic tha shkrimtari për filmat enveristë.

Unë do të kërkoja arsyet përse lexuesi sillet kështu? Është propaganda që i bën regjimi librave të tij? Është e dobët proza ime? Apo regjimi më përjashton mua ngaqë më sheh si rival i yjeve të saj letrarë? Këto dhe qindra pyetje te tjera do t’i beja vetvetes derisa te gjeja aryset.

Por le të kthehemi tek problemi që cekëm më lart. Teorikisht shkrimtari ka të drejtë dhe nuk ka të drejtë. Ka të drejtë, ngaqë në fakt filmat enveristë janë të dëmshëm sidomos tek moshat, 60-70-80 vjecare, ia kanë shpëlarë trutë. Pjesa më e madhe e tyre ushqejnë një lloj nostalgjie që deri diku është e kuptueshme dhe e pranueshme. Mirëpo nëse ne këtyre brezave dhe atyre më të rinjve, do t’u kishim transmentuar mbas viteve 91, në ekranet televizive dhe të kinemave filma pa ideologji politike, racizëm dhe urrejtje ndaj njeriut perëndimor, atëherë dobësia e tyre për filmat e Kinostudios do të ishte zvogëluar, pakësuar mjaft. Sepse janë të njëjtit njerëz/breza që i shijojnë në maksimum filmat perëndimorë ku humanizmi dhe drama njerëzore ecin dorë për dore. Ku njeriu pranohet me të mirat dhe të metat e tij.

Mua nuk më ka shkuar asnjëherë nëpër mend që të them: librat e shkrimtarëve socrealiste duhen ndaluar. Përkundrazi, pjesa më e madhe e tyre duhen ruajtur për të shërbyer në të ardhmen si shëmbëlltyra më e zezë e artit skematik, të ndrydhur, anti-njerëzor, fobist, hakmarrës, smirëzi, artificial, pompoz, etjer. Përballë tij jam përpjekur, dhe këtë besoj se duhet ta bëjë cdo shkrimar duke përfshirë edhe shkrimtarin në fjalë, që të krijoj letërsi moderne, ku njeriu i lirë nuk urrehet ekstremisht, sic ndodhi në filmat enveristë. Ja që, shkrimtari në fjalë, bën një gabim të dyfishtë. 1) Ulërin që filmat e Enver Hoxhës të ndalohen. 2) fut hundët në odën kinematografike dhe merr persiper përgjegjësi që duhej t’i merrte aktori mbas viteve 1991. Janë aktorët ata që duhej dhe duhet të krijojnë filma të nuancuar dhe aty të shpalosin dhjetra dramat ndër shekuj të popullit shqiptar. Nëse ata do ta kishin bërë këtë, atëherë teleshikuesi nuk do të ngjiste si miza në mjaltë tek filmat enveristë. Dikush do të më thotë: epo Ministria nuk financon filma të rinj, por përpiqet qëllimisht që të mbajë gjallë filmat enveristë. Nëse kjo akuzë qëndron, atëherë le të bashkohen aktorët/regjisorët dhe protestojnë ndaj Ministrisë.

Bota e artit na ka mësuar se veprat që janë ndaluar kudo nëpër botë, kanë pasur vlera të mëdha, por që njeriu në kohën që ato u krijuan, nuk i pranoi përshkak të mungesës së evoluimit. Mirëpo të ndalosh dicka që ka vetëm vlerë interpretuese, sic janë filmat enveristë, vecse i jep ato vlera që ato nuk i kanë. Ndaj dhe shkrimtari në fjalë sipas mendimit tim këtë akuzë e ka bërë me porosi enveriste. Që të viktimizohen filmat enveristë. Dhe kur ndodh kjo, atëherë edhe muti, nëse e shpallin të ndaluar, bëhet “joshës” dhe jo më filmat enveristë. Ata nuk duhen ndaluar kurrë. Janë pjesë e Shqipërisë së përcudnuar gjysmëshekullore enveriste. Sic e thashë më lart, problemi nuk zgjidhet duke e ndaluar dicka. Veprat boshe i skarcon koha dhe brezat që vijnë të cilët duhet të krijojnë art shumë më të mirë. Atëherë, lexuesi i vetëdijësuar prej prozës së lirë, do t’i anashkalojë librat e Enver Hoxhës dhe dhjetra bilbilëve të tij letrarë. Kjo do të kish ndodhur me siguri, nëse kinematografia pas viteve 1991 do të kishte bërë filma me cilësi artistike dhe vlera të thella humane.

Për aq sa kohë nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë këtë, ne jo vetëm që nuk duhet t’i ndalojmë filmat enveristë, por nuk do të kemi të drejtë që as t’i akuzojmë shikuesit e tyre. Sepse kur nuk ke këpucë të reja, këpucët e vjetra, sado të shqyera të jenë, sado që aty mund të kenë ngrohur vezët gjarpërinjtë, ne nuk do t’i hidhnim ato kurrë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s