Poezi nga Desantila Qerimaj. C

Poezi nga Desantila Qerimaj. C
 
 
 
***
 
Tu afrova mbasi ra shi i rrëmbyem
hija e tij mbështolli rreth meje
largësitë që më torturuen.
Gishtat tuej në qafë,
prekje e gjatë e natyrës, brishtësisht.
 
Qe edhe ujvarat që rrodhën gjakut
si kupa me shijen e dashunisë…
Në diellin që jashtë u shue i përflakun,
dhe heshtja jeme asht bota që krihet në mue,
mbledhë freskinë që ma mori vera,
rrënojat, pllambët mbushë me fushën e luftës,
lëvizë qiellës, a lëkurës për në format e panjoftuna të trishtimit…
Nata buron prej pyjeve shpirtnorë
un udhtoj mrendë teje, jam lufta e ngrohtë,
kalatë nuk mbajnë ma flamuj,
kufijt nuk më perkasin,
tek fjalës i çlirohet fryma…
shprehun në nji natë të qetë si kjo,
nji natë si tana të tjerat.
 
 
 
***
 
Ritmi i pemës që u tha,
më duket se jetoi aq gjatë
sa nuk i besoj ikjeve, nuk e besoj ma
as emocionin e brishtë
që përmblidhte ura të kalueshme dikur.
Në mue shigjetat tregojnë drejtime të hueja,
ku zemra tejkalon hartat,
ku rruga e kthimit asht ma e gjatë se e nisjes
e fjalët tona janë yje që shpërthejnë prej prekjes ,
tue përqafue botën prrallore të dëshirës.
Rastësisht mu kujtue rruga e thellë
aty ku ditët me diell janë bosh…
si nji gjeografi e pamasë me mue banore të vetme.
 
Ndoshta era e dimnave të kaluem
ndoshta melodia e ndjenjës që pritëm
na tregoi se jeta dhe vetmia,
s’kanë ndonji stinë,
por zemra që ndryshojnë.
 
 
 
***
 
Ti ke me kapërcye rrumujën e qiellës rritë në ty,
atë qiell ku dritoret e diellit kanë me kenë terr sa ma s’ka,
ke me u rrokullisë kohës ku u shkruen nokturne
me dimën të randë ndër buzë,
plasje stinësh ku bota ish fantazi e paformueme,
njimend e lumtun…
Makiazhi i shprishun, ka me tu dukë nji ditë
asgja që femnës i tjetërson shpirtin,
e fjalës shkamb, të cilën asnji brengë e jotja
nuk muejt me e lëmue ma shum se ç’ishte,
ka me i lindë pranvera bash ndër sytë e nades tanë pikllim…
Hijeve të zemrës tande,
kanë me i mbi pemët që i’a mbyte gjethet,
mureve të mykun ku krijove fole zogjsh imagjinarë
ke me u mbështetë, trupmbyllun në vedi,
për me jetue në mue…
Për me i’u dhanë gjithçkasë që të jepet
e ke me më thanë:
nuk të kam njoftë atëherë…
 
 
 
***
 
Kam mësue vendin e humbjes
aty ku gjurmët e kota prishin brigje
edhe pse nostalgjia
zhurmon veç për vedin e pashoq.
Bota po dorzohet ,
në pikën ku zemra takohet me hutimin ,
dhe shkëlqimi i errsinës çahet ndër shpatulla
me aromën e puthjes që mbet për shekuj në qafë.
Dielli u pre në nuanca nën lëkurën teme…
janë thikat që të shkëpusin ty prej kujtimit,
asht dhimbja e ndejun dhe venat e flakuna
dhe prekja që s’mbante ma pranverë.
 
 
 
***
 
Asgja e madhe nuk u tha
dyert që presin i kam stivue…
në udhtime imagjinare
me frikën e fluturimit
ma të madhe se të shembjes.
Brazdat e ndjenjave ma kujtuen
lodhjen e zanit dhe andjen e qiellës të pastër
si degë vjeshte rreth frymës,
hapat e pamposhtun të natyrës,
mrendë saj asht zemra,
drita e natës ma të randë.
 
Ulë mbi shpirt
ti tejkalon masat që kam përfundue
nji herë, dy, tre…
S’më mbet veç me pa,
sytë tuej pa formë të njoftun
e kuptimin tem ku pushon
tik-taku i ritmit të vjetruem.
 
 
 
***
 
E piva me fund,
ndjenjën e gishtave të brishtë
derdhë lëkurës, mandej mbështolla
dhuratë për natën teme
tablotë me nuanca të zeza.
 
Kam krijue shum herë gjana të kota,
dhe i kam besue kotsisë,
deti… e burgosi rrenën e luleve
priste me i dhanë dënimin që nuk njihja.
Ti the se n’se flas me shkronjat
bota ka me kuptue,
të besova ty por jo botës!
U afrova nji hap larg honit,
dhe gjithkush ishte rutina e “paformë”
përveç ledhatimit…
gjithçka njisoj, njerëzit gëzojnë.
Vrava pllumbat e mesazhet e lira
tue u dergjë pasqyrave si frikë që s’njeh hapsinat.
Tash nuk di, çka me ba me lirinë e kuptimit?
Me flokët që tufa tufa premtojnë kohën,
nesër, nesër kam me i zbukurue,
dhe kam me kenë ajo që duhet me kenë.
 
Çdo nesër vjen dhe unë mbes vajza e fjalës,
parregullsia e çastit kalendarik
tue dashtë refrenin tand të viteve…
Kam me të kërkue gjithsesi, grue.
 
 
 
***
 
Shkruej veç për ndjenjat
e nuk di ku bien orët
diku në buzë a dashni
vende ku koha mbyt data.
Di që zemra vdes
tue veshë kostumet e jashtme,
rreze të shpejta.
Harroj se lëkura ka shtatë lumenj,
aty vuejtja merr vrull të ndryshëm
derisa depërton… depërton,
dhimbshëm, përpiktë
nën lëkurën e parë.
U shkri nata për hijet pa tingull,
gjallnia e pulsit për pritesën e agimit
dicka që lidh vetveten me ikjen.
Sytë janë njisoj balli buzët
dega e puthjes që mbet mbas,
gabimi i ngricës,
e kuptimi i diellit të nesërm
u rrethue për verë.
 
Lidhja, e zemres që vdes
me zemrën që asht gjallë
mbijeton dhe hesht.
 
 
 
***
 
Kto dritoret e vogla!
Ku s’vjen drita e asnji kohe deri te ti
as terri i vuejtjeve që të tjerët hangrën me shpirt,
tue krijue vizionin e vërtetë të natës .
Tejzgjatja e shiut s’pat asnji kuptim
në shijet që ti si ndërrove as i rrite
por i mbajte si trofe të rreme
për me i mbushë njomishtet
me andrra të nëpërkambuna .
Skamja fillon prej syve,
se nuk mund ta japësh atë dashuni që se sheh,
e nuk mund ti fikësh pamjet që të thajnë durimin
me ashkla dimnore,
hjedhë ndër saksia që vera harron me ujitë.
Edhe n’se i hodhe ti… thatsinës ujë të bollshëm
asht dora e ndjenjës që rritë diçka,
theksi i buzëve që dinë me puthë,
deri në buzqeshjen që të mbyt.
Ditët e netët janë shkrue para teje,
por me mësue me lexue kohën
duhet gjuha e mrendisë.
E ti s’mund ta mësosh,
për pa u mendue se dashnia për njierin
asht ma e madhja.
 
 
 
***
 
Hapat tuej pushuen
në gjethet e dimnave të shumtë…
Dhe un nuk të prita ma!
 
Ju dhashë erës, ftyrës të drandofileve,
ku dijta e sigurtë çka më krijon ngjyra e ajri,
çka krijon qielli perëndues
mbi shpatullat e lamtumirës
që për shekuj mbet i njajtë në sytë e mi.
Mbushë me figura të tkurruna
pak e ka pak çdo stinë
heshtja jote asht gjak i bardhë
por ti bahesh pjesë ujit, pa-ngjyra e gjallë,
që përzien fjalë të shkreta.
Un zhytem në formën tonë të mbramë,
gjej barë veshun me disa jetë dhe e pastroj,
si t’ishte lëkura jeme në ndryshim.
Në mundsha kshtu me u kthye fëmi
me të kujtue der’ në fund.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s