KLITHMAT E VAJZAVE / Tregim nga Vullnet Mato

KLITHMAT E VAJZAVE

 

Tregim nga Vullnet Mato

Pas daljes në pension, profesor doktori Misto u ngujua në shtëpi dhe filloi të jetonte me lëmoshën e njohur që përfitonte armata e plakur në betejat e socializmit, pasi kishte arritur e rraskapitur në kufijtë e ëndrrës. I vinte keq vetëm se, duke u marrë me shkencë, nuk kishte siguruar dot aq para sa të mbushte serbatorin e veturës së tij “Reno”. Një shkatërrirë të cilën ia kishin falur disa shkencëtarë të huaj dhe tani ishte plakur si vet i zoti.
Ishte e diel pasdite, kur mjeku i dëgjuar përcolli djalin student te autobusi i Greqisë. Aty para veturës së tij u shfaq papritmas një djalosh disi i çuditshëm. Me pak mjekër harkore të shkurtër, me flokë paksa të gjatë dhe me sytë si dy xixëllonja, që i pulsonin pareshtur nën vetullat e zeza, ai e pyeti:
-A mund të më çoni deri te rruga e Elbasanit, të marr disa shokë që më presin?
Mjeku e vërejti ftohtë dhe ia ktheu në çast:
-Nuk jam taksist.
-S’ka problem, unë paguaj mirë.- tha djaloshi syxixë me një ton disi të butë.
-E sa paguan, zotrote?
-Pesëdhjetëmijë lekë. – premtoi ai me një shprehje të qartë vendosmërie.
Profesor Doktori u mendua një grimë. Ishte një shumë sa gjysma e pensionit mujor të tij. Me të mund të shtronte një darkë familjare të pasur, apo të mbushte serbatorin për disa ditë. E vërejti të panjohurin edhe një herë nga koka te këmbët, ku i përthyheshin pantallonat bluxhins, pastaj vendosi.
-Dakord, veçse duhet të nismi shpejt, se kam lënë një detyrim për time shoqe.
-Pa problem, – tha djaloshi i çuditshëm.
Dritat e rrugicave mungonin në disa shtylla dhe projektorët e dobët të “Renosë” lodronin mbi fasadat që ndërroheshin njëra pas tjetrës. Duke manovruar timonin rrugëve për të dalë nga qendra e Tiranës. Kur makina kaloi ngrehinën e Fakultetit të Filologjisë, dhe po ngjiteshin në të përpjetën përskaj parkut të pyllëzuar, mjeku Misto e pyeti me ton tingëllues të panjohurin e heshtur:
– Ku i ke shokët ?
– Ja dhe pak. – tha ai qetësisht.
Doktori tundi kryet, shtrëngoi buzët pak i habitur dhe e shigjetoi me sy pyetës.
-Mirë, po, a mund ta di me ç’punë merresh?
Djaloshi i hodhi një vështrim zhbirues dhe nuk i ktheu përgjigje në çast. U përkul pakëz mbi të, për t’ia shquar më mirë tiparet dhe pastaj i tha:
-Po ti që më pyet mua, ç’punë bën?
-Jam mjek në pension…
Atëherë i panjohuri lëshoi trupin e tendosur, mbështeti shpinën dhe nënqeshi lehtë.
-A, ha, ty doktor po të tregoj të vërtetën lakuriq: Shesim vajza…
-Si ? Vajza ?… Ku i gjeni që i shisni?…
-I blejmë.
-Nga kush?
-Nga dashnorët, nga ata që i rrëmbejnë…Ne vetëm blejmë dhe shesim.
– Jo more! Dhe sa i blini?
– Katër, deri pesëmijë dollarë…
Doktori mbodhi supet dhe shtrëngoi buzët.
-Me një fjalë, vajzat qenkan malli kryesor i tregut tuaj!…- tha ai me ton vibrues.
-Pse habitesh, mor jahu, ato janë malli më i shtrenjtë e më i kërkuar sot. Një vajzë vlen sa për pesë vagonë me domate apo speca për eksport…
Duke e përtypur me vështirësi kuptimin e kësaj barasvlershmërie, doktori Misto kapërdiu pështymën me sy të shqyer përmbi të panjohurin. Dhe atë çast pati ndjesinë sikur të kishte në sediljen pranë një hienë të zezë, së cilës i zbardhnin vetëm dhëmbët dhe i xixëllinin sytë tinëzar.
-Nuk më thua, ç’i bëni gjithë ato para?- kureshti doktori i indinjuar.
-Ngremë apartamente për t’i shitur.
-Dhe s’keni frikë nga policia?…
Trafikanti nënqeshi sërish me qesëndi.
-He, he, policia! Pse, ata s’duan para?…
-Disa mund të duan, po ka edhe të tjerë që mund t’u kapin.
-S’jemi aq budallenj sa ata…Ruhemi…
-Sidoqoftë, përderisa s’përdorni makinën tuaj, taksistët edhe mund t’ju kallëzojnë.
Trafikanti nënqeshi me një shprehje ironie të dukshme.
-Le të llapin. Lodhen kot. Kemi njeriun tonë në ministrinë e brendshme. Mjafton të mos na kapin me makinë personale. Me taksi vajzat udhëtojnë dhe s’ka bythë polici të na ndalojë, se e pëson…
Doktor Mistoja u mendua trishtueshëm një copë herë.
-Me një fjalë, sonte më bëtë edhe mua trafikant prostitutash… – tha pas pak me një ton të dëshpëruar dhe ndjeu, se iu tkurr zemra.
Djaloshi aty për aty ideoi një propozim, nga i cili sytë iu gjallëruan befas dhe u kthye përgjysmë nga doktori.
-Po të duash, doktor, mund të lidhesh me ne të punojmë bashkë, se me ty s’ka zot që dyshon për ne. Dhe shko që sonte hidhe në brimën e halesë librezën e pensionit! Hë, si thua?…
Shkëlqimi i rreptë i syve të doktorit tani u ngul mbi ballin e tij.
-Varrose atë mendim, nuk është punë e pastër kjo, more djalë! Nuk është punë e ndershme…
Trafikanti qeshi me një qesëndi të sforcuar.
-Varet si ta kuptosh…Ja, ti je i ndershëm, doktor, po nderi yt s’ta mbush dot barkun me të ngrënë e me të pirë. Po erdhe me mua do të marrësh aq para, sa s’i ke parë as në ëndërr…
Doktori Misto u zu ngushtë dhe heshti një çast. Kjo ofertë trafikantësh i shkërmoqi të gjitha themelet e krenarisë së tij dhe tani e kundroi me dyshim të frikshëm. Kishte marrë një rrugë, greminat e së cilës mund të ishin të llahtarshme për moshën dhe dinjitetin e tij.
-Ku do shkojmë, se dolëm nga Tirana?- i tha me padurim të dukshëm.
-Ja, edhe pak, aty përtej !…
-The në rrugën e Elbasanit, jo deri në Elbasan…
-Mos ki merak, or burrë! Ja, aty në të dalë të Saukut…
Ndërsa ideja e rrezikut përparonte bashkë me ritmin konstant të katër rrotave, doktori mendoi, se përsëritja e merakut të tij do ta bënte frikacak në sytë e trafikantit dhe iu desh të mposhtë turbullimin. Heshti përfundimisht, duke pritur fundin e mistershëm, me një ritëm zemre të ndjeshëm dhe frymëmarrje të rënduar. Gënjeshtra po i paraprinte së vërtetës… Nuk u duhej besuar njerëzve të tillë për ca para të fëlliqura… Por ai gjithnjë ishte udhëhequr nga mendime të guximshme dhe s’mund të ishte ndryshe, veçse një guximtar i rrezikuar shpesh.
Hapësirat në të dy krahët e rrugës nxinin dhe tashmë mjeku filloi të mendojë seriozisht, se çfarë duhej të bënte për të dalë nga ai qerthull i frikshëm ku kishte hyrë papandehur. Shqisat e tij u bënë veçanërisht të ndjeshme dhe të gjitha oshilacionet e mendimeve, i silleshin vetëm tek e keqja e pritshme. Por pasi ecën edhe disa minuta, më së fundi trafikanti shënoi me gisht një shtëpi, dritat e së cilës tani vezullonin në afërsi. Ai zbriti te dera e ndërtesës dykatëshe dhe i tha të priste se do të kthehej shpejt.
Ndërkohë doktori dëgjoi nga jashtë një zallamahi klithmash vajzërore: “O mami mooooj!” Britma meshkujsh: “Eja, moj zuskë se të vdiqa!”. Fshikullime dhe kërcënime të shoqëruara me togfjalësha sharjesh tepër të rënda. Kuptohej qartë se ato fatkeqe kundërshtonin energjikisht të dilnin natën nga shtëpia, ndonëse goditeshin me forcë dhe me shkulme fjalësh banale. Doktorit iu këput zemra në kraharor. Në përfytyrimin e tij, ajo shtëpi e veçuar ishte gracka mijëradollarëshe, ku binin ato vajza të mjera, të mbledhura nga rrethinat e Tiranës, të cilat më pas u shiteshin trafikantëve tutorë, për t’i shpërndarë nëpër semaforët e shteteve fqinjë, ku tregtohej mishi i bardhë. Befas e ndjeu veten të rënë në kthetrat e pista të kësaj kategorie njerëzish, që zuzëronin aq poshtërsisht me vajzat e komunitetit të varfëruar. Dhe me shpirtin e tyre skllavërues e kriminal, ata sfidonin të gjitha ligjet e rregullat morale të shoqërisë… Atëherë doktori mendoi, se tani ishte rasti t’ia mbathte për t’u shmangur nga ndonjë e papritur e rrezikshme, që mund të sillte e keqja brutale e tyre. Por u step befas dhe i shkuan mornica në shtyllën kurrizore. Solli ndërmend, se ata mund të ishin të armatosur dhe patjetër do të shtinin mbi të, për të mos u zbuluar baza e trafikimit.
Sakaq u hap dera e jashtme dhe djaloshi trafikant u kthye vet i dytë, duke gulçuar si bishë e uritur nga zemërimi. Madje ai tjetri, me tipare të errëta, shpërtheu edhe frazën e fundit pak metra larg veturës:
-Kurvat e mutit! Kujtojnë se janë blerë për t’u bërë princesha! Nesër ua tregoj unë qejfin, do t’i palloj prapë me karadajak, sa t’u dalë shkumë nga by…!
Ata hipën nxitimthi dhe i thanë të nisej, se nuk mund të merrnin njerëz të tjerë atë natë. Doktori krejt i çoroditur i dha gaz makinës dhe pas pak dolën në rrugën kryesore.
Një grimë herë nuk u ndie asnjë zë brenda veturës ku zotëroi heshtja ogurzezë. Drejtimi i mjetit u bë tani mjaft i vështirë për doktor Miston. Atij i duhej që herë pas here të mbante nën kontroll me anën e pasqyrës trafikantin me pamje murgu, që ishte në sediljen e dytë. Ai ishte i shëndoshë sa një dem. Dhe demi i zi që kishte zënë pritë pas shpinës së tij, mund t’i hidhej përsipër me ndonjë thikë, për ta eleminuar si dëshmitar të asaj strofke djajsh.
– Sa e ke pensionin? – theu befas heshtjen e tendosur trafikanti i parë.
-Rreth dyqindmijë lekë të vjetra. -tha doktori duke pastruar zërin e ngecur nga dilemat.
– He, he, he ! – qeshën ata të dy njëherësh, sikur të ishin çliruar papritmas nga një makth i rëndë.
-Aq ne i pimë kafe e konjak në mëngjes…- gogësiu trafikanti i dytë me kërkëllimë gazi.
-Sonte pensionin e muajit do të ta paguajmë ne! – u krenua trafikant i parë, ndërsa po afroheshin te banesat e dendura të lagjes së hyrjes.
-Jo, jo. Ju më jepni pazarin dhe jemi në rregull bashkë.- ia ktheu mjeku me modesti.
-Ja, ja, tani shpejt, sa të na çosh te ai pallati i madh që po ndërtojmë!… -tha trafikanti i parë duke shënuar me gisht në thellësi të rrugës.
Ata zbritën njëri pas tjetrit dhe te xhami i hapur i dritares, ai i zgjati bujarisht një kartëmonedhë njëqindollarëshe.
Doktori në çast futi dorë në xhep, për të kthyer reston.
-Mbaje ! – thanë ata të dy në një gojë.
-Jo, jo, s’dua të përfitoj para nga ju. -kundërshtoi doktori me ton të prerë. Dhe u ktheu pesëdhjetëmijë lekë shqiptare.
-Mbaji, mor jahu! Hallall t’i bëftë zoti! …
-U lutem! Dua të ndahemi pastër. – tha doktori duke ua lënë në dorë kusurin prej gjysmë pensioni.
Atëherë trafikanti i parë u përkul te dritarja fare pranë dhe i tha nën zë:
-Doktor, kam fol me ty, si me të pas robin e shtëpisë, po harrova me të thanë, se ata që llapin për ne, marrin dënim shumë të randë!…
Doktor Mistoja ndjeu një sekretim të hidhur në gojë, si të ishte goditur me grusht në tëmtha. U kapërdi me mundim, e shigjetoi me një vështrim përbuzës dhe, me nervat të tendosura në mënyrë elastike, i dha makinës përpara. Duke shkelur pedalin e gazit deri në fund, në një mënyrë krejt të papritur, atij iu duk sikur këtë natë ndjeu për herë të parë fillimin e sëmundjeve të përbindshme të pleqërisë dhe donte të shkëputej prej tyre sa më parë.
Sapo arriti në shtëpi, vuri re, se gruaja po e priste jashtë, pasi kishte dëgjuar qysh larg zhurmën e njohur të “Renosë ”.
– Me fal grua, u vonova se çova dy pasagjerë deri në Sauk!
-Kur s’më pushoi zemra sonte, të lumtë ty me këtë guxim prej të çmenduri ! -i tha ajo pikë e vrer në fytyrë, duke mbajtur gjoksin me dorë.
-Pa shiko, moj! -i tundi ai para syve kartëmonedhën amerikane, duke u rrekur të dukej në qejf. -Nesër shko na e mbush shtëpinë me ushqime, se do ia shtrojmë!
Ajo psherëtiu e lehtësuar dhe ai parkoi te oborri i rrethuar “Renonë”që avullonte nga nxehtësia. Por nuk i hiqeshin nga mendja e s’i shqiteshin nga veshët ato klithmat rrëqethëse të atyre vajzave të mjera, të tregtuara si mish i bardhë për kasapët e kontinentit. Ishin ca klithma të përvajshme me oshilacione të dhimbshme, që u ngjanin blegërimave të atyre qengjave të veçuar për në kasaphanë. Ato klithmat vrastare, me goditje plumbi, që mbart të qenurit prind, iu vërsulën doktorit egërsisht qysh në fillim të herës, kur u gjend padashur pranë asaj llumishtje njerëzore dhe nuk iu ndanë pothuaj deri vonë, kur mezi e zuri gjumi me mendimin e hidhur: “Mjerë kush ka vajza sot, kur askush s’e di ç’ka rezervuar e ardhmja për to!”
Të nesërmen gruaja shkoi duke gazmuar te dyqani i shkëmbit e valutave, të thyente kartëmonedhën e t’i drejtohej, dyqanit ushqimor.
-Është fallco! – i tha kambisti me një ton therës të tmerrshëm, duke ia lëshuar menjëherë mbi dorë, sikur të ishte një copë teneqe e tejnxehur.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s