Rreth krijimtarisë së poetit dhe shkrimtarit Luan Kurti ( Krijimtari e trazimeve dhe dyzimeve përtej “vijës së kuqe” ) / Nga: Hyqmet Hasko

Rreth krijimtarisë së poetit dhe shkrimtarit Rreth krijimtarisë së poetit dhe shkrimtarit Luan Kurti

Krijimtari e trazimeve dhe dyzimeve përtej “vijës së kuqe”

Nga: Hyqmet Hasko

Shkrimtar, poet, analist investigues me një penë të mprehtë ku nxjerr në pah plagët dhe problematikat më të mprehta shoqërore, etike, kulturologjike e politike të shoqërisë shqiptare në këtë tranzicion të vështirë, Luan Kurti vetëportretizohet si një letrar dhe publicist i angazhuar me fatet e vendit të tij, me tentativat sizifiane të atdheut të tij, për të dalë nga vorbullat e përkeqësuara të një realiteti jo dhe aq dashamirës ndaj shqiptarëve.
Kamera e tij vëzhguese dhe investiguese iu qaset realiteteve në udhëkryq të kësaj shoqërie, që në rrekjen e saj për të kapur kohën e humbur, në atë ngutjen e vet të natyrshme dhe shpesh infatile, jo rrallë lë pas shije të hidhura konflikti, dyzimi, zhgënjimi, pamundësie për të ndërtuar ura të qëndrueshme ku të mund të kalojnë tolerance, harmonia dhe bashkëjetesa e gjithëfarëshme.
Botimet e Luan Kurtit janë: “Ndaleni anijen”-tregime e novela”, “Rroj nga dashuria”-poezi, “Udhëve të botës”-roman, “Dehje pranverore”-poezi, “Flaka”, roman, “Mall”-poezi, “Vorbulla e mëkatit”-roman, “Aislin”-poezi dhe “Jetë e mohuar”-roman.
Poezia është një nga përcjelljet më serioze të krijimtarisë së larmishme të Kurtit, ku bie në sy një figuracion xixëllues, ndjesi të holla, zhgënjimi, dhimbja dhe rebelimi qytetar, antikonformizmi, tablo të gjalla jetësore, akuarele, mesazhe, polisemi figurash dhe trajtave të imazhit poetik. Kontrapunkti dhe befasimi, si elementë të rëndësishëm të mozaikut poetic, e bëjnë poezinë e Kurtit të freskët dhe me frymë moderniteti.
Kurti e përdor fabulën poetike për të depërtuar në histori, në përditshmëri, duke depërtuar përtej çdo sipërfaqeje të lëmuar, deri thellë në lëkurë, në poret e kohës dhe ankthin sindromik të bashkëkohësve. Poeti fokuson në vargun e tij përditshmërinë, botën globale, projeksionin e gjërave në dukje të vogla e të zakonshme si shtrati ku ai vendos vektorin e tij poetik, por që e bëjnë poezinë e këtij poeti të ndjerë e të freskët, me një lexim që të zgjon afeksion.
Në njëri vëllim poetik në tjetrin ka një dehje të poetit me fjalën e ëmbël dhe kumbuese poezi, një raport midis reales dhe transhendentes, midis unit dhe jashtësisë, midis të ndodhurave të autorit dhe përditshmërisë sonë, të ngarkuar me mall, trishtim, idil, vetmi dhe kërkime të pareshtura në shpirtin e së bukurës. Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell ky poet, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve.
Poezia e Kurtit është një poezi mozaik, ku enumeracioni, zhvendosjet e gjendjeve në kohë dhe hapësirë, kërkimet spontane e të vetvetishme në dukuritë që ai i njeh mjaft mirë, janë pjesë e kameras së tij vëzhguese e interpretative poetike.

Luan Kurti
Poezia e Luan Kurtit është një poezi e gjendjeve lirike, dehëse dhe moderniste, me një fantazi të vrullshme, me një kompleks figurash dhe trajtash që e bëjnë atë të freskët dhe me mesazhe të forta.
Gjendjet e saj janë kujtesat, emocionet, përjetimet, ankthi dhe vetmia, që poeti ka marrë nga vendlindja e tij, nga Shqipëria e izoluar dhe në udhkryq, për të ridimensionuar një realitet tjetër etsetik dhimbje e shprese, malli e mungese, transparence e mjegulle, që është veçori e një poeti me nerv dhe sqimë. Një thelb, ajo është një poezi e trazimeve dhe dyzimeve, e mungesave dhe përjetimeve moderne, e ritmeve të përndezura që sjellin një kontrapunt gjendjesh dhe emocionesh të vrullshme, poezi që buron nga shpirti I thellë njerëzor dhe shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij.
Që në tregimet e para të botuara në në disa organe shtypi e portale dhe të përmbledhura më vonë në vëllimin me tregime e novella “Ndaleni anijen” duket dora e kujdesshme e një tregimtari me sqimë, që di të prekë “telat e ngjarjes” dhe t’i japë rrëfimit diçka nga ngrohtësia e shpirtit të tij. Kjo natyrshmëri, ky sponatinitet, do t’i shërbejë mirëfilli shkrimtarit në përvojën e mëvonëshme në gjininë e romanit, ku kërkon të shtrijë frymëzim dhe mesazhet e tij shkrimtari.
Në faqet e shqetësuara e të rrjedhshme të prozës së Luan Kurtit preken me një stil të magjishëm, arësyet më të thella të humanizmit e të shpirtit dhe këtu rrëfimet e marrin një frymëmarrje të jashtëzakonsh¬me.
Pas katër romaneve të suksesshëm, ku ka përvijuar një profil të spikatur narrativ, me tiparet dalluese të një rrëfimi të butë e të shtruar deri në lirizëm poetik, Luan Kurti vjen me romanin e tij të katërt, që sapo ka dalë në qarkullim “Dashuria mision drejt të pamundurës”, botim i shtëpisë Botuese Gran Prind, Tiranë 2017.
Nëse në romanet e tij “Udhëve të botës”, “Flaka” “Vorbullat e mëkatit” dhe “Jetë e mohuar” shkrimtari fokuson tema të ndryshme sociale, etike dhe dashurore e ku përvijohen raportet e unit me shpirtin dhe jashtësinë, vorbullat marramendëse të kalimit të shoqërisë sonë nga monopartitzimi në sfidat e pluralizmit dhe lirisë, në romanin e tij të fundit “Dashuria mision drejt të pamundurës”, nga vetë titulli dashuria përcillet si një apoteozë e shpirtit binjak, e cila në luftë me rutinën, pengesat shoqërore, frenimin që vjen nga pushteti okult maskilist dhe feminist dhe nga të gjitha derivatet e tyre të fshehta apo të hapura,
Tema e romanit, ajo e familjes shqiptare në tranzicion, i jep dorë shkrimtarit për të depërtuar në një të ashtuquajtur “zonë heshtje”, ku zakonisht shkrimtarët nuk tentojnë të hyjnë, për shkak të asaj inercie poetike që zakonisht ka shoqëruar për shekuj e vazhdon të shoqërojë këtë temë delikate.
Dramat e heshtura dhe të pabuja të dy çifteve të martuar që eksplorojnë në jetën e tyre martesore e dashurore, në ato skuta të errëta e që mezi pranohen ose nuk pranohen kurrë nga ata vetë por deri diku as nga të tjerët, përbën linjën e narracionit romanesk, që rrjedhë herë butë e shtruar e herë me dialogje e monologje të vrullshëm, që iu përgjigjen ndjenjave dhe emocioneve të kërleshura të personazheve.
“Dashuria nuk ekziston Aleksa, replikoi me imazhin e saj,-vetëm seksi, dëshira për të joshur, për të qenë në qendër të vëmendjes, e plotësuar. Dashuria është hormonale, zgjon pasionet, nuk ka bazë të qëndrueshme, kurse urrejtja përcakton qëllimet, është bio. Dashuro urrejtjen dhe mos urre dashurinë”, konkludoi dhe u ndje i kënaqur me postulatin”. (Luan Kurti, Dashuria mission drejt të pamundurës”, faqe 28).
Ky roman është një kërkim i shkrimtarit në “zonën e ndaluar” të qenies sonë ekzistenciale, në atë zonë, ku për hir të inercisë së traditës së fasadave, shumë gjëra, të cilat klithin në thellësitë tona, nuk thuhen, anashkalohen dhe kthehen në mënyra demagogjike të të menduarit dhe të të sjellurit në raportet erotike, dashurore dhe martesore.
Jeta nuk është bardhë e zi; skemat këmbëhen dhe ritmet pasojnë njëri-tjetrin, herë të vrullshëm e spontanë e herë të ngadaltë e tekanjozë, dashuria shpesh ngjan me një valë të egërsuar në një det të hapur, që duhet kapërcyer me kurajë, por ia vlen të provosh, ia vlen të sakrifikosh dhe të ndiesh pulsin e jetës të të përfshijë në të njëjtën gjatësi vale me shpirtin tënd binjak.
Kjo temë, e konsideruar si “vijë e kuqe” i jep dorë shkrimtarit për të na dhënë një mesazh të fortë, se dashuria e vërtetë, më shumë se flirt, më shumë se aventurë erotike dhe përmbushje e kënaqësisë, është një mision, një mison i vështirë që shkon drejt të pamundurës.
Luan Kurti është një shkrimtar me profil serioz, vepra e të cilit hyn natyrshëm dhe zë vendin që i takon në letrat tona kombëtare, tashmë në lulëzim dhe të çliruara nga komplekset dhe paranojat jashtëletrare, që e patën mbajtur peng për një kohë të gjatë dhe tash në liri, secili shkrimtar, rend të kapë kohën e humbur, për të vënë një gurë në shtëpinë e madhe të letërsisë, që pret e përcjellë mysafirë nga të gjitha kohët e në të gjitha kohët.
H…@..B..H.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s