Ironi / Tregim nga Teuta Keli

Ironi
 
 
Tregim nga Teuta Keli
 
-Mirëmëngjes!
-Mirëmëngjes, i foli ajo me qetësi. Po të prisja të zgjoheshe, që të pinim kafen e mëngjesit bashkë.
-Po me prisnit mua?! i foli ai si i trembur. Po ju, kush jeni, që po më priskeni për kafen e mëngjesit? Mos ndoshta pastruesja e re e shtëpisë?
-Qënke zgjuar me humor sot, i foli ajo dhe vazhdoi të mblidhte nëpër shtëpi disa rroba të hedhura rremujë prej fëmijëve. Ajo ktheu kokën dhe pa që ai nuk kishte lëvizur aspak nga vendi ku kishte shqiptuar fjalët e fundit. Si për ta shkundur atë prej mendimeve dhe për ta nxitur që të flas prapë, iu përgjigj:
-Në fakt jam e njëjta pastruese që keni pasur prej njëzet vitesh. Nuk më keni ndërruar, se jeni mësuar me mënyrën time të pastrimit dhe përveç se pastruese, këtu jam e punësuar edhe si bashkëshortja juaj, këtë rol e bëj me kohë të pjesshme, atëhere kur më lejohet…
Ai ia nguli sytë, si për t’i kërkuar llogari në mënyrë të egër, se përse ajo, një pastruese që nuk mbahej as mend, tallej me seriozitetin e tij.
-Nuk po e kuptoj aspak këtë që më the, i foli ai ashpër. Nëse ti je pastruese, vazhdo pastro, pa m’u mbushur mendja që të ndërroj, se kjo shtëpia ime nuk shquhet për ndonjë pastërti kush e di se çfarë, prandaj lëri fjalët dhe futju punës…
Ajo u tremb dhe shumë shpejt u fut në rolin e pastrueses. Sikur vërtetë ta ndërronin, ku do duhej të pastronte ajo…?! Nëse do shkonte të pastronte gjetiu, a do i duhej që të pastronte edhe për njëzet vite të tjera? Do të qendronte gjatë edhe atje? Sepse ajo nuk dinte të ndahej, nuk ndahej dot as nga rolet që nuk i pëlqenin. I bënte të gjitha pjesë të vetes dhe ashtu brenda vetes i jepte forma të tjera më të mira, me të cilat mund të përshtatej, mund të jetonte…
Pasi u end ca gjatë nëpër mendimet e veta, duke i ndarë dhe veçuar ato në grupe dhe bashkësi të paemërta, u kujtua që gjithë kjo endje e madhe mendimesh i kishin ardhur prej tij…
U kujtua, ishte edhe ai në dhomë, ktheu kokën për të parë se çfarë po bënte. Ai kishte ngrirë tek i njëjti çast, tek ai i mëparshmi dhe ishte duke folur dhe rifolur sërish të njëjtat fjalë: Kush je ti? Je pastruesja? Je e njëjta?
Ajo e pa më me kujdes dhe më pas u tremb prej mendimit të saj: “Si nuk e mendova më parë? Ai mund të jetë sëmurë? Tani, papritmas atij mund t’i jetë shfaqur një amnezi e një lloji të veçantë, mund të ketë harruar vetëm një person, pikërisht mua. Ç’lloj amnezie mund të jetë kjo? A ndodh? Nëse ndodh, pse duhet të ndodhi pikërisht në këtë familje dhe pikërisht tek ky lloj personi, që po quhej “pastruese”?!
Po ç’rëndësi ka, diku duhet të ndodhte dhe ja ndodhi këtu: në këtë pjesë toke, në këtë pjesë kohe dhe në këtë pjesë njeriu….
Nëse vërtetë kjo është arsyeja, atëhere duhet t’i rikthejë kujtesën, une jam harruar dhe unë duhet t’ia rikthejë kujtesën atij…
Ajo ju afrua pranë me dhimbsuri, i foli shumë ëmbël:
-Jam unë, nuk më mban mend. Jam e njëjta si dje, si njëzet vite më parë, si sot…
Ajo kaloi flokët pas supeve dhe ndjeu që atij i kishte thënë një gënjeshtër, vetëm një gënjeshtër, ashtu kot sa për ta qetësuar. Ajo nuk ishte më e njëjta dhe nuk kishte mbetur asgjë prej asaj që ajo ishte në njëzet vite të shkuara. Asgjë e jashtme, çdo gjë ishte shpërfytyruar, ndryshuar, rrudhur e plakur prej ditëve dhe netëve të shumta, por të gjitha kishin kaluar me atë, vetëm me atë. Ai këtë duhet ta mbante mend.
Ajo pa brenda vetes, u mundua që të gjente diçka aty, diçka të mbetur që mund t’ia kthente atij kujtesën. U mundua, por as aty asgjë nuk kishte mbetur, asgjë e njëjtë. Kishin kaluar kaq shumë ndjenja, kaq shumë ulje-ngritje humori, qejfprishje, sa ajo nuk mundte të nxirrte asgjë të bukur së brendshmi për t’ia dhuruar atij, për t’u dukur e bukur, së paku të dukej e bukur…
Pasi askund nuk gjeti gjë, ajo i ulëriu atij në fytyrë:
-Ti duhet të më mbash mend, se duhet! Fakti që nuk kam asgjë të ngjashme me njëzet vite të shkuara të detyron ty akoma më shumë, që të më mbash mend. Nëse ti tani vuan nga humbja e kujtesës, nëse sot, tani, ti humb çdo lloj kujtimi tjetër, je i detyruar që mua të më mbash mend dhe duhet të më mbash mend, tani….! Aty brenda teje janë njëzet vitet e mia të jetës, te cilat nuk po i gjej dot brenda vetes, prandaj kujtohu….!
Ajo ulëriu me sa i mbante volumi i zërit. Nuk e kishte ditur që kishte kaq shume zë, kurrë nuk e kishte përdorur dhe në të vërtetë nuk e dinte se e kishte atë. Bërtiti aq shumë, sa zëri i saj depërtoi edhe muret e shtëpive fqinje. Nuk e vrau mendjen për këtë, se pikërisht aty, brenda shtëpisë së saj, atë po e mohonin…
Ai u spraps, rrudhi vetullat dhe më pas e pushtoi qetësia, thua sikur zëri i saj e shkundi nga gjumi dhe nga ftohtësia e mëparshme.
-Unë thashë që nuk më kujtohesh, por jo që nuk më kujtohesh fare, tha ai. Ti je e njëjta pastruese që unë kam pasur prej njëzet vitesh, më kujtohesh, e njëjta je, edhe pse ke ndryshuar shumë…
Ai doli nga kuzhina duke tërhequr lehtë derën e saj, por zhurmën e kësaj dere ajo e ndjeu gjatë. Me pas ai e rihapi derën dhe duke i buzëqeshur i tha:
-Hë pra, se bëra shaka, si për të thënë “mirëmëngjes”, dhe sot mos me prit se do vonohem, ashtu kam ca punë…
Ai u largua, tërhoqi derën e jashtme me zhurmë të rëndë dhe mori me vete edhe ndjenjën e humorit, të cilin vetëm ai e ndjeu…
Ajo ndenji aty dhe pikërisht në atë çast, ai i solli asaj kujtesën e asaj çfarë ajo kishte harruar gjatë njëzet viteve të fundit të jetës…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s