Kur dita dhe nata ishin gjetiu / Nga: Pirro Shtika

Kur dita dhe nata ishin gjetiu

 

Nga: Pirro Shtika

***

Ëndër shtegëtuese

Këmbanat e kishave të qytetit filluan në korr ding dongun e tyre. Edhe pse përshtypja e parë ishte se këmbonin sejcila me partiturën e vet, të dirigjuar nga mjeshtëri i madh Mitropolia e qytetit, ishin një thirrje thuajse e harruar por që vinte si jehonë e diçkaje të njohur, në shpirtin e besimtarëve. Dhjetra njerëz mbledhur rreth saj, e vetmja strukturë e pa shëmbur, por e përkujdesur dhe e shndërruar në muze, nguteshin duke u shtrënguar kush e kush të dilte në krye, për tu bërë protagonistë të  pagëzimit të rradhës. U përfshiva edhe unë nga ajo rrymë njerzish por pa pasur tagrin të shtyhesha, sikundër të tjerët, për tu ndodhur në krye të saj.

Kishte kaluar mjaft kohë nga vizita e parë, e hershme kur pata hyrë, jo si besimtar, por si kurreshtar në kishën e Mitropolisë së qytetit, pa dy kullat e larta të kambanares si dhe kubenë ngjyrë  tunxhi të mbërthyer nga llamarinistët duarartë korçarë. Nga një kishë e vërtetë ajo u kthye brenda disa vitesh në një muze mesjetar ikonografik, ku u strehuan dhjetra dhe qindra ikona, ikonostase, shëndanë dhe matriale me vlera te mëdha jo vetëm historike, por kulturore dhe ikonografike nga mjaft autorë nga mbarë vendi.  Kurreshtja më e madhe ishte të shikoja një mikun tim, dikur puntor në uzinë dhe tashmë i veshur me rasën e zezë të priftit. At Jani apo prift Joani siç dhe përflitej në rrethin shoqëror të besimtarëve të rinj dhe ata të vjetër që e kishin  fshehur për 30 vjet besimin e tyre për Zotin. At Joani, kishte mundur të bënte një kurs teologjik në një shkollë të re që nxirrte priftërinj brenda gjashtëmuajve. Stoik dhe  i heshtur qëndronte në krye të sallës kryesore pranë ikonostatit të madh me dy qirinj të mëdhenj të ndezur në duart e tij. Mjaft fytyra të njohura më shtynin me brryl dhe trup pa më dhënë mundësi të dilja në krye, madje,  më devijonin drejt fundit të kolonës së kurreshtarëve. Fytyrat e tyre, sa herë që ktheheshin nga unë, shpërvilnin një pamje të çuditëshme ku qenë mbledhur të gjitha ndjenjat, habitëse, therrëse, shtrembëruese, herë herë kërcënuese, të gatshëm për tu përleshur në çastin më të parë, nëse gjenin një pretekst, qoftë edhe mjaft të vogël e të thjeshtë.

“Po ky ç’djallin do në këtë pagëzim ?! Jo vetëm që s’ka besuar  gjithë jetën , jo vetëm se ka qënë një nga ithtarët e propagandës ateiste, por ç’nuk ka bërë, për t’i mbajtur larg kishës, besimtarët e gjorë?”

“Hyaa, jazëk të qoftë, ka edhe  kurajën t’i afrohet  kishës!”

“A, s’ishte ky që shuante qirinjtë, në mes të natës, kur ne i ndiznim midis ferrave dhe trendafilave të egër tek shën Maria?”

“Një jetë na bëri propagandë se feja është opium për popullin dhe dëngla të tjera, e tani!…”

“Rapi, o Rapi, afroju, mos rri kaq larg.”

“Kush e ka emrin Rapi, të vijë këtu pranë, të mbajë llambadhen, qiririn e madh,” dikush me zërin bariton i mëshoi më fort thirrjes së parë.

“Çudi, si ka mundësi, vetë prifti, at Joani, po  e thërret, me emrin e tij? Këta tipa në çdo sistem, bien më këmbë, dinë ta dredhin ore vëlla, nuk shikon me sa respekt po e thërret vetë prifti ynë, at Joani?”

U përpoqa të çaj para, të shkoja në drejtim të zërave që më ftonin të ndodhesha pranë, ose nga sa kuptova të dilja në krye të rradhës.

Pa pritur e kuptuar midis njerzve që mbanin qirinjtë në duar u krijua një e çarë që në gjithë gjatësinë e tij po merrte formën e një korridori dhe në krye të tij, përkundrejt, u shfaq me veladonin e zi, flokët paksa të gjatë, të lidhur pas me një llastikë shtrënguese, mjekrën ende të parritur, por të freskët edhe pse aty këtu me nuancë në gri, sytë rrethuar nga një skelet i verdhë ari, vetë at Joani. Krahët e ngritur përpjetë duke i tundur më  bënin shënjën që të afrohesha te ai. U nisa me hap të ngadaltë dhe mjaft i sigurtë duke sfiduar përreth këdo që pëshpëriste e lënçonte me zë të lartë. Vargu si me magji hapej në të majtë e në të djathtë duke zgjeruar dhe thelluar korridorin e sajuar në çast,  dhe mua më dukej sikur po zvogëlohesha ndoshta ishte thjesht përshtypje, por, në të dy anët muri i njerzve po lartësohej aq sa mu duk vetja si Moisiu që udhëhiqte popullin e tij drejt tokës së premtuar. Pastaj, befas, muri filloi të lëvizë dhe pamja po deformohej, shpërfytyrohej, po merrte trajtën e një cikloni, apo tornadoje, që mblidhte pas vetes gjithçka sa gjente në rrugën e vet, ikonostasin, ikonat e mëdha, llambadarët dhe shëndanët me qirinj të ndezur, më tej deformimi i vetë at Joanit në krye dhe gjithë grupi që ndodhej pas tij, u shpërbënë dhe çdo gjë po shembej me tmerr. Mendova se ishte fundi, ose do të ndodhesha i mbuluar nga gërmadha ose do të mbytesha nga vërshimi i ujrave e i gjithçkaje tjetër, brenda asaj hinke të ngushtë që po më merrte frymën, gjithçka filloi të ndryshohej përveç frikës sime që po rritej gjithmonë e më shumë. Ndërkohë, trajtat e çrregullta filluan të dridhen e lëvizin si këmbët e një oktapodhi, e zëri apo zërat ndryshonin duke ndjekur valëzimin e turmës së njerzve që shpesh hapej e mbyllej si një fisarmonike në përpjekjet për të qenë sa më afër kreut.

“Rraaaapppiii … Rraaaaapiii!”

Zëri, fillimisht i mbytur, sikurse është kur vjen nga larg, më pas u bë më i thellë, por kur përshkoi xhamin dhe perden e trashë, si në një filtër të dyfishtë, mbushi dhomën dhe u fut drejt e në timpanin e veshit tim duke marrë notat e një timbri të njohur.

“Rapi ..Rapi …o Rapiiii!”

Pas saj një e shkundur prej supit më përmendi dhe shkëputi nga magjia e gjumit të thellë që më kishte kapur. Nga largësi kohe, sa herë e kujtoj atë mëngjes, më vjen për të qeshur, sepse e krahasoj me ëndrrën e Sulos te filmi “Kapedani”, por te filmi ishte një komedi, ndërsa për mua dikur, nata dhe gjumi, ishin një makth pa fund që ngatërronte bile edhe ditën me natën.

“Ç’është?!” u hodha përpjetë i trembur por dhe i lehtësuar njëherësh. Nuk isha mbytur.

Kthej shikimin nga supi ku pak sekonda më parë ishte mbështetur një dorë. Mora frymë thellë kur pashë gruan.

“Dikush po të thërret nga jashtë,” tha ajo.

“Kush?” pyeta i çuditur.

“Nuk e di, shiko vetë,” foli sërish gruaja por këtë rradhë më ton më të lartë, por edhe e merakosur. “Shpejt se do të na zgjojë vajzat.”

Pa e bërë dysh, dola me vrap në  ballkon për të parë. Ishte Skënder Hysi, një puntori im i dikurshëm, tornitor në  uzinë.

“Hëmo, ç’kemi, si është puna?  Nuk të ka dalë gjumi pak si shpejt,” them i besdisur nga kjo thirrje që me natë. Kështu po më dukej mua, pasi kisha rënë për te fjetur rreth orës tre të mëngjesit.

“Mirmëngjes!” ma ktheu po me zë të lartë, pastaj filloi menjëherë të shfajësohej. “Sëpari ora i ka kaluar të nëntat?!’’ ‘’ Sëdyti’’, çoi më lart zërin e tij, “hidh pasaportën shpejt e shpejt dhe bëhu gati për në Greqi! Hajde, hajde, nxito, mos më rri si hu gardhi!”

Edhe pse më ra si rrufeja në qiell të pastër, diçka mu kujtua. Për një çast shtanga, por e mblodha veten shpejt,  hyra vërtik  brenda, sigurisht i nxitur edhe nga i ftohti mëngjesor.

“Ç’është?” pyeti gruaja plot merak sikur t’i kishte parë ajo ëndrrat e ankthshme e jo unë.

“Asgjë! Më kërkon pasaportën për në Greqi !”

“Greqi ?  Kur?”

“Sot, mbase në drekë, nuk e di?”  fola gati i çoroditur, duke shkuar drejt  e te bufeja për të kontrolluar në një kuti ku mbanim dokumentat, çertifikatat, faturat e energjisë, librezat e sigurimit etj, si dhe pasaportën time në fjalë. “Të shpjegoj më vonë,” thashë më i qetë kur gjeta çfarë kërkoja duke dalë sërish në ballkon edhe pse e dija që gratë nga natyra nuk kanë shumë durim të presin kur mësojnë se je duke bërë diçka.

“Prite dhe kujdes mos bjerë në baltë!” thirra dhe e lëshova në ajër ndërsa pritsja me njëfarë ankthi rënien mirë e bukur, i zakontë kur gjërat marrin kthesë papritur.

Kënoja e priti, i hoqi llastikën dhe mbështjellësen  e gazetës, e hapi dhe pa e ngritur kokën lart, thirri:

“Bosh ma hodhe, pa asnjë lek?! Ver dhe një diçka tjetër, ta zemë një dhjetëmilekshe, mos do që të ta ve unë nga xhepi im?”

“Mirë, mirë,” i thashë duke qeshur. Lëshova një kartmonedhë që filloi të bjerë me përtesë. E njihja me dhëmbë e dhëmballë Kënon, por më pas, gjatë rrëfimit, do të jepet mundësia për ta njohur më mirë.

“Sqarohemi më vonë,” thirri i kënaqur, e, pasi mori paratë u zhduk sa hap e mbyll sytë.

Nuk shkoi as një orë dhe pasaporta ishte sërish në duart e mia. Në faqen e katërt të saj pashë një vizë për në shtetin fqinj, Greqi, të ngjashme me atë që kishte marrë vjehrra me vjehrrin tim para dy vjetësh.

Ndërkohë, u kujtova që e kisha lënë gruan në pritje e duke i treguar pasaportën e sqarova fije e për pe, sikundër i premtova.

 

Vazhdon…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s