Poezi nga Lumo Kolleshi
Ditëlindjet pa urim
Kaq vite që nuk flas dot me babain,
Fjalët nga skela më bien si gurët,
Tretur është në atë breg dorë e ustait
E malli ka zënë myshk ndër drurët.
Pa urim e kam lënë ditëlindjen në të parën e majit,
Një keci manar nuk ka kush t’i japë më qumësht.
Po prapë e ringrija fjalën përmbi skelë,
Në vend të babait,i madhi vëlla,të uroja ty,
Se te dy erdhët në jetë në pranverë,
Se ditëlindjen në një ditë e kishit të dy.
Tani fjalëve u shkoqen rrokjet nëpër erë
E telefoni s’më hyn aspak në sy.
Tani veç emrin tënd dhimbje kam aty
Qerpikët mbledhin e mbledhin kripë për të dy.
JAM ENDE NË PRILL
Jam ende në prill
E sytë më bëhen bletë,
Humbasin mes lulesh e nuk duan të kthehen në shtrat.
Jam ende në prill
E ndjek si i marrë gjelbërimin
Që ngjitet pa protezë drejt malit të lartë.
Jam ende ne prill
Dhe sofrën u shtroj dallëndysheve,
U jap leje të ndërtojnë foletë në ballkonin tim.
Jam ende në prill
E dritaret i hap me kanat,
Bilbilat ta djegin dhomën e gjumit.
Jam ende në prill
Dhe kuajve të erërave
Kërkoj t’u gjej një nallban.
Jam ende në prill
Dhe reve tekanjoze
Këmishën e zezë dua t’ua gris.
Jam ende në prill
E Paganinin e muajve e dua
Të luaje kapriçot me mua.
***
Premtimi u shkel
e dhëmbët u ngulën mbi mollën e Edenit.
Dhimbshëm e me çezma gjaku shikoj prapë një Abel,
një Kain që prish çatinë e qiellit.
FATI IM
Tek merrja fatin tim për dore,dimër ishte.
Që kishte ngrirë,s’më tha askush.
Tërë jetën ia lexoj jetës romanin “Akull, rrezik rrëshqitje”
E fatit mendjen dot nuk po ia mbush.