Poezi nga Erget Cenolli

Poezi nga Erget Cenolli
 
 
Dielli në të perënduar
 
Dielli në buzëmbrëmje
Ka aromë portokalli.
Rrezet e tij janë fuqidobëta
Si krahët e një Samsoni me flokë të prerë.
Pamja e gjigandit, e zbehtë…
Si e një fëmije, që i ka munguar qumështi i nënës.
Dielli në perëndim,
Ka pamjen e përskuqur të një grindaveci të plakur.
 
 
 
Hijehumbur
 
Në breg të një liqeni hija më mbeti,
Mes kallamishtesh m’u fsheh,
U krodh në ujërat dallgëzorë.
Në freskinë e mëngjesit, ku këmbë njeriu s’ka,
Symbyllazi luan me mua si fëmijë djallëzor.
Unë hesht, mbetur pa hije, me gishtin në buzë,
Zemërimin përtyp si çamçakiz.
Me guriçka qëlloj dallgët, në fakt hijen time qëlloj…
Të isha çafkë a kafshë deti do të doja;
Në qafë e në hije, hijen time të kafshoj!
Në breg të një gjoli, hija ime më braktisi,
Mes guackash-fosile në ranishte humbi?
Apo iku në mërgim, pas një mjelme qafëgjatë?!
Me sy pëllumbi çdo agim, horizontin e vështroj,
E vajtoj… e vajtoj… hijen time, që-me-natë…
 
Shënim. Togfjalëshi “me sy pëllumbi” është huazuar nga Lasgush Poradeci.
 
 
 
Dimër në shpirtin tënd
 
Ç’dëborë që puplonte nga qielli atë ditë!
Ujqërit skërmisnin dhëmbët në pritë,
Delet e shushatura blegërinin në vathë,
Ariu gërhiste mbuluar me gjethn’ e thatë.
Ti pranë zjarrit u qase instiktivisht,
Mes flakësh pe dëborën, që të binte në shpirt.
Të acarta t’u bënë ndijimet, dalë-nga-dalë,
E zemra zu shndërrohej në një akullnajë.
Mendimeve të tua, gjethet kishin rënë,
Pyjet, krejt të zhveshur, mërdhirë nën hënë,
Te ti kishte mbrritur dimri pa kthim,
Erë e marrë fryu; të degdisi në harrim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s