ËNDRRA NË ËNDRRA / Fragment nga romani “Miri i lagjes sime” të autorit Aqif ISAKU

ËNDRRA NË ËNDRRA

 


Fragment nga romani “Miri i lagjes sime” të autorit Aqif ISAKU

Pas sjelljeve të mira të Mirit, ëndrrat filluan që ta shoqërojnë më shpesh, por jo si gjer më tani. Kësaj radhe pak më ndryshe dhe me mision të caktuar.
Po t`u thosha se ata janë intriguese, kureshtare, befasuese…, do të mendonit se tallem me ju apo jam çmendur, por ashtu është. Ai ëndërron në ëndrrën që sheh! Sheh ëndërr brenda ëndrrës! Këtë privilegj mund ta ketë vetëm ledhatari i tyre e askush tjetër.
Po ja që ëndrrat Mirin e kanë zgjedhur të përkëdhelur të tyre, ato i vijnë edhe më të çuditshme se të çuditshmet; me njëmijë e një befasi, të bukura e të ëmbla, lozonjare e të qeshura dhe në çdo moment të gatshme që t`ia plotësonin dëshirat, vetëm e vetëm që i llastuari i tyre të jetë i lumtur.
Miri si Miri, me miliona dëshira, sa për fillim deshi që çdo natë nga një ëndërr t`ua dhuronte shokëve që edhe ata të përjetojnë çaste të bukura, por jo gjithherë. Ai i dirigjon ëndrrat. Është dirigjuesi i ëndrrave në ëndrra! Fort mirë e di se kujt dhe kur t`ia çojë, por gjithmonë të ndryshme: herë të ëmbla e të mira, e herë të këqija e trishtuese.
E pse Miri vepron kështu me shokët?!
Vepron sepse ai do që të lëvdohet se mund ta dijë se çfarë ëndrrash ka ëndërrua secili prej tyre. Ndaj, ëndrrat çdo natë kur i vinin në syçka i sillnin me qindra ëndrra që t`ua shpërndajë shokëve.
Një javë ëndrrat e provuan Mirin Zemërmirin se çfarë fshihet në shpirtin e tij. Vepronin ashtu siç i dirigjonte ai dhe ia shoqëronin shokët. I gëzonin dhe befasonin me përjetime të bukura, me shëtitje përrallore anekënd botës, por edhe i hidhëronin dhe i trishtonin aq sa që nuk dëshironin t`u vijnë kurrë.
Ndërkaq, shokët pas ëndrrave të çoroditura që ua dërgonte Miri, dukeshin tamam si ëndrrat e ëndërruara: herë të qeshur, herë të trishtuar, pikërisht ashtu siç dëshironte ai.
Heroi i ëndrrave në ëndrra një javë u kënaq, sepse më në fund ia arriti që të luajë si të dojë me shokët. Ndjehej ngadhënjimtar ndaj tyre. Ecte kokëlartë, krekosej, sikur lagjja të ishte vetëm e tij, madje i dukej edhe e vogël dhe filloi shokëve t`u lëvdohet se mund ta qëllojë se çfarë ëndrre ka parë secili prej tyre.
Në fillim shokët e qeshnin, por kur Gonit i tregoi se ç`kishte ëndërrua natën e kaluar, filluan ta shikojnë me habi.
E lajkatari ynë u premtoi se brenda një jave do t`ua tregojë të gjithëve, secilit veç e veç ëndrrat të cilat i kanë shoqëruar ata.
Dhe, çdo mëngjes të tubuar në oborrin e shkollës, siç u morën vesh, Miri i tregonte ëndrrat e secilit fëmijë, ndërsa ata gojëhapur e me kujdes dëgjonin fjalët që dilnin nga goja e tij.
Kur Albi e pyeti se nga e di se kush çfarë ka ëndërrua, iu përgjigj:
– E di, ngase unë shoh ëndrra në ëndrra dhe i urdhëroja që të vijnë edhe tek ju. Unë e caktoja se cili çfarë ëndrre duhet të shohë. E për të parë ëndrra të këtilla duhet të jesh zemërmirë, i ëmbël e aq më tepër ledhatar i tyre, apo jo Albi?! – iu drejtua Albit me ëmbëlsi.
Ndërsa shokët të mahnitur me Mirin dhe ëndrrat e tij të çoroditura, ikën të qeshur nëpër shtëpitë e tyre, duke shpresuar se ndoshta edhe ata do ta kenë fatin që t`i vizitojnë ëndrra të tilla.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s