MISTERI I TRADHTISË OSE HIJESIMI I DASHURISË ( Juan Asensio, Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit. Përktheu nga frëngjishtja Anila Xhekaliu. Buzuku, Prishtinë 2017 ) / Nga: Prof Anton Nikë Berisha

MISTERI I TRADHTISË OSE HIJESIMI I DASHURISË

Juan Asensio, Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit. Përktheu nga frëngjishtja Anila Xhekaliu. Buzuku, Prishtinë 2017

 

Nga: Prof Anton Nikë Berisha

“Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit” e shkrimtarit frëng, Juan Asensio, është një vepër për shumëçka e veçantë që i thyen rregullat e llojit të pastër letrar: nuk është një roman i mirëfilltë modern, siç do të mund të cilësohej në bazë të stilit dominues dhe të gjuhës me të cilën është përftuar, as një ese i hartuar me gjuhën përkatëse të vështrimit, të kritikës. Në qenësinë e saj është një vepër poetike e gërshetuar dhe e përshkuar me përbërës të stilit të esesë me nuancime filozofike (për fat pa rënë në spekulimin filozofik), ku shkrimtari nuk synon ta saktësojë e as ta zgjidhë përfundimisht çështjen e pazgjidhshme të tradhtisë së Judë Iskariotit, as ta qartësojë figurën e tij biblike, as të dëshmojë se ai është autor i gjithëdijshëm, që jep mendime të prera për ta përligjur të “vërtetën” e tradhtisë (“Kush vë bast për të vërtetën është në anën e Judës, nuk mund të bëjë ndryshe, dhe po të donte”, f. 39), pra të marrë apriori një qëndrim përfillës ose mohues. Në veprën e vet Asensio gjakon të shqiptojë Judë Iskariotin si mishërim të natyrës së njeriut, të jetës dhe të fatit, edhe pse figurën e tij e cilëson “Një guvë e errët. Një pus pa fund […] Tokë pjellore me të gjitha njomjet e imagjinatës” (f. 97-98).

Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit

Gjithë rrëfimi është një kërkim, një gërmim i aktit të tradhtisë së Judës, që njëherit është dhe fati i shumë personave si ai që kanë tradhtuar ose e kanë përfillur tradhtinë.

Cila është e vërteta e tradhtisë së Judë Iskariotit dhe deri ku mund të shkohet në ndriçimin e saj? Në tekstin e veprës thuhet: “Të gjesh të vërtetën, qenka të tërhiqesh nga pragu që të shikosh pa ndihmën e pasqyrës, më në fund fytyrë për fytyrë e faqe për faqe” (f. 39).

Shkrimtari Asensio me qëllim e degëzon simbolikën e aktit të tradhtisë së Judë Iskariotit, jo vetëm në kuptimin “historik”, ku sipas Besëlidhjes së Re, ai e tradhtoi Krishtin (për ta vrarë pastaj edhe veten, akt që nxit dyshimin: “tradhtari a vetëndëshkohet”?, f. 41). Pra, tradhtia, që merr një simbolikë të veçantë me Judën, “Birin e natës”, kapërcen kohën e tij “historike” për arsye se “Çifuti endacak përveç kësaj, me të cilin e kemi ngatërruar shpesh Judën, a nuk është druga e kthimit të përjetshëm, rreth i pafundësisë sizifiane?” (f. 44). Me veprën e vet Asensio u kundërvihet sidomos disa shkrimtarëve frëngë (ata i ka në shënjestër), të cilët e marrin tradhtinë e Judë Iskariotit si një akt të kryer, të vërtetë, pa përimtuar thellë rrjedhën e mirëfilltë të tradhtisë.

Figura e Judë Iskariotit në vepër vështrohet nga disa këndvështrime, po dhe si pasojë e mëkatit të njeriut, e prirjeve të mendjes e të shpirtit të tij, të themi të instinktit që herë-herë e drejton: “Mos nuk është tjetër (mëkati) veçse një prag jetëshkurtër mes të Mirës dhe të Asgjësë” (f. 36).

Figura e Judës në rrjedhë të kohëve e ka shtuar dhe mbishtresuar deri në pafundësi simbolikën. Asensio si pikënisje, jo rastësisht, i kthehet “burimit”: aktit të tradhtisë së Judës ndaj Krishtit, që parashenjëzohet (tradhtia) nga vetë Krishti në Darkën e mbramë, po në vijim të veprës tradhtia ndërlidhet e vështrohet në lidhje të ngushtë me jetën e njeriut në përgjithësi. “[…] nuk do të ketë tani e tutje tjetër veç një qëllim të vetëm: të tregojnë jo vetëm që Juda është apostulli i vetëm që pati kuptuar realisht që Krishti, nga dobësia apo mungesa e gjykimit politik, kishte nevojë për të që të përmbushte plotësisht misionin e tij, por që të pohonte gjithashtu që nuk mund ta mallkojmë atë që ndihmoi me aq përkushtim të shkëlqyer veprën e Zotit” (f. 97). Pra, përmes rrëfimit poetik Asensio e bën pyetjen e qenësishme: aktin e Judës duhet marrë si tradhti ose si dashuri ndaj Krishtit? A mos është fatkeqësia e Judë Iskariotit – fatkeqësia e njeriut si dje, si sot? Tradhtia bëhet për shkak të urrejtjes ose të dashurisë ose ato i japin vijimisht njëra-tjetrës? Po mëkati i përket vetëm atij që e bën ose edhe tjetrit që e nxit atë?

Juan Asensio

Pra, në vend ta pohojë (ta zhveshë) ose ta mohojë aktin e tradhtisë së Judë Iskariotit, shkrimtari e bën atë më “kompleks”; i jep një përmasë më të gjerë, qenësore që përligjet nga vetë bota e njeriut, fati i tij. Nga mënyra e qasjes dhe e vështrimit të aktit të tradhtisë së Judës, lind pyetja: kemi të bëjmë me Judën e shpifur ose të vërtetë? Judën e një çasti konkret historik ose Judën – judenjtë e rrjedhës vertikale, nga ekzistimi i njeriut? Në rrëfimin shumështresor të Asensios kjo gjë nuk thuhet në mënyrë të thjeshtë: në të shumtën e rasteve, me qëllim, autori i lë të hapura çështjet ose në mënyra të ndryshme mundëson nënkuptimin e tyre: “Kur e zbulojmë (një diçka), nuk është më gjë prej gjëje”(f. 36).

Për apostullin e pa besë (f. 90) dimë pak për arsye se, siç pohon Gjoni, “nata ishte çatia e tij” (f. 93). Dimë vetëm për aktin e tradhtisë së tij. Autori jep variante dhe aspekte të mundshme të saj, po shpesh, përmes rrëfimit të tij të shtresëzuar (shih, fjala vjen, f. 120), ironizon, jo vetëm kur i përmend ata (shkrimtarët sidomos) që në veprat e tyre kanë folur për Judën dhe aktin e tij të tradhtisë, po edhe ata që e kanë përfillur atë pa u thelluar në të.

Përmes një rrëfimi të menduar e të peshuar, dalin në dritë shumë mëdyshje, po bëhen edhe një varg pyetjesh, pjesa e madhe e të cilave mbesin pa përgjigje të mirëfilltë ose jepen variante përgjigjesh, jo pse autori nuk e ka të qartë se çka do të thotë, po lë të kuptohet se tradhtia e Judës s’ka qenë një akt i thjeshtë, i rëndomtë, ashtu siç duan ta marrin disa, t’i besojnë tradhtisë vetëm në bazë të mendimit të tyre, pa e përimtuar aktin e tradhtinë së Judës, pa u marrë me shkaqet dhe arsyet e tradhtisë. Me vlerësimet e tilla tradhtojnë dhe vetë. Këtu pikërisht duhet kërkuar arsyen pse s’kemi një rrëfimtar të parë ose të dytë ose rrëfimin vetëm në veten e parë, të dytë ose të tretë: në vepër rrëfimi është i degëzuar në një shumësi zërash, që, për nga rëndësia, nuk i nënshtrohen hierarkisë, po përligjen dhe funksionojnë sipas kodit të barazisë e të njëjtësimit dhe në vepër shndërrohet në një tërësi, e cila vetëm si e tillë ndikon thellësisht në lexuesin: sa e pushton, aq dhe e trondit; njëherit e nxit të mendojë për veten e për veprimin e vet, të bëhet i vetëdijshëm për atë që mendon dhe vepron.

Përkthyesja e librit:  Anila Xhekaliu

Në veprën “Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit” teksti s’ka asnjëherë vetëm një kuptim, po dëshmon shumësinë. Nëse Adami e Eva e bënë mëkatin e parë, pse e përfillën dhe bënë mëkat dhe të tjerët? A është brenda qenies së njeriut prirja për të bërë mëkat, për të tradhtuar, për ta shpallur tjetrin tradhtar apo për të tradhtuar vetë?! Si e pranojmë (apo duhet ta përfillim e pranojmë) mendimin se një herë e përgjithmonë “Adami u dha gjesteve tona dorën e dhunës e dhembshurisë duke dashur Evën” (f. 18).

Shkrimtari Asensio e hartoi veprën “Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit” për ata që u besojnë ose nuk u besojnë fjalëve (“Fjalët janë akrepë të fshehur nën gjuhët tuaja të gurta. Fjalët janë nepërka. Fjalët tuaja janë krijesa zvarritëse të natës”, f. 52); për ata që i besojnë ose nuk i besojnë heshtjes, që i dinë gjërat e mësuara nga Bibla dhe nga literatura tjetër biblike teologjike, po edhe për ata që e kanë logjikën e tyre për dukuritë e ndryshme (edhe për Judën), që hedhin ose shmangin nga “kalaja” gurët e tyre të mbindërtimit (palimpsestit); ai që gabon është më i madh se ai që s’ka guxuar (vepruar) asgjë? (f. 59).

“Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit” e Asensios është hartuar mbi një logjikë sa të thellë aq dhe të lartësuar. Në të trajtohet tema e tradhtisë, që e përcolli njeriun nga fillimi i ekzistimit dhe që u mishërua në mënyrë të veçantë në figurën e Judë Iskariotit (koha e Krishtit). Kjo, natyrisht, nuk ndodhi vetëm me fajin e Judës, i cili  a nuk tha se është: “Krishti i zi i mjerimit tuaj” (f. 62). Vepra dëshmon se autori i saj ka çka të thotë dhe di çka të thotë dhe ajo që është më e rëndësishmja, e thotë me një gjuhë të pasur e me një stil të ngritur, të punuar me shumë përkushtim. Tekefundit, nuk mund të jetë ndryshe: veprat e mëdha shkruhen me një stil të ngritur e të mëvetësishëm.

Për të vënë komunikim të mirëfilltë me tekstin e veprës, kërkohet edhe dije, edhe përkushtim; nuk mjafton vetëm të dish atë që tashmë është e njohur: se Judë Iskarioti ishte tradhtar; gjurmohet dhe hulumtohet jehona e tradhtisë së tij: “Juda, më i thellë se gremina e kohëve të lashta” (f. 59); përimtohet me mjeshtëri thelbi i veprimit të tradhtisë; arsyeja e shtytjes ose nevoja të bëhet tradhtia. Me një fjalë, kërkohet një përvojë e madhe për ta lexuar tekstin poetik të përftuar nga Asensio, ku mendimet ballafaqohen e përplasën në mënyrë jo të rëndomtë; dukuritë i cilëson paradoksi, misteri, asgjëja (kur ngatërrohet “shpirti me njeriun”), ku gjërat dhe mendimet shprehen përmes një rrëfimi, të përdorim një shprehje të futbollit bashkëkohor, total, pra është tjetër nga tekstet e stilit patetik dhe retorik tradicional, të huaja për këtë vepër.

Në qoftë se mendimin që e ndeshim në vepër “Sa më i bukur është një tekst, aq më shumë është i papërkthyeshëm. Shtoj madje aq sa më shumë është i papërkthyeshëm, aq më pak ka nevojë të përkthehet” e ndërlidhim me leximin dhe me nevojën e vënies së komunikimit të kësaj vepre me lexuesin, atëherë mund të thuhet: sa më shumë që bëjmë përpjekje të vëmë komunikim me tekstin, aq më tepër vërejmë se ai është i paskajshëm, siç ngjet, natyrisht, me tekstet e mirëfillta poetike që përftohen me përkushtim dhe dije, ashtu siç thotë dhe Thomas Eliot: “[…] shpesh është e vërtetë se vetëm nëse shkon shumë larg mund të zbulosh se sa larg mund të shkosh”.

Në fund po them se “Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit” e Juan Asensios është vepër për shumëçka e vlefshme dhe nxitëse; ajo e vë lexuesin në komunikim gjallërik me qenësitë e jetës dhe të fatit të njeriut si mëkatar, të njohjes dhe të tragjikes së tij. Anila Xhekaliu ka bërë një përkthim cilësor të një teksti poetik jashtëzakonisht të ndërliqshëm dhe të vështirë të bartet në një strukturë tjetër gjuhësore shprehëse.

Prishtinë, prill 2017

 

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s