Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

TANI QË SHPIRTIN MA GRABITËT

Ju po rrëmbeni çfarë gjeni nga unë,
Fjalët e pathëna e ëndrrat e trishta.
Edhe pse po më ktheni në një cung,
S’lutem:-Mos m’i merrni të gjitha!

Vargjet e bërë për shpirtra të tjerë,
Rimat ku kam fshehur tërë mallet.
M’i shkulët egër, e më latë djerrë,
Sërish s’lutem:-Të paktën vargjet!

Unë s’pyeta:- Pse m’i pretë degët?
E as për dhimbjet e mia s’bëra zë.
Se përgjigjen tuaj e dija më herët,
-Gjithçka është jona, ti s’ke asgjë!

Po kur të më vijë çasti për të ikur,
Dhe pjesë të mia do t’i shoh tek ju.
Ashtu gjysmak do çohem papritur:
-I vdekuri nuk mund të iki kështu!

E do pyes ju që më bëtë shumëfish,
Ndërsa pas, më ndiqni në heshtje.
-Vërtet ndoshta jeta ime, juaja ish’
Më thoni:-E kujt është kjo vdekje?

E nga supet ku më mbani do zbres,
Me dënesat tuaja, pa fund do luaj.
Ju ma vodhët shpirtin, pjesë-pjesë,
Ndërsa tani jam unë në mortin tuaj!

 

BALADË PËR ATA QË S’U VRANË NË LUFTË

Mund të vriteshim vite më parë,
Para një muaji, a ndoshta dhe dje.
Ata që pas nesh mbetën të gjallë,
Me kohë do na mbulonin me dhè.

Mund të vriteshim sapo nisi lufta,
Para një çasti mund të ishte fundi.
E s’do bënim as sherre e zhurma,
Si grinden ata që si mori plumbi.

As të ikurit s’i nxirrnim nga dheu,
Kur të ndenjurat ndjenin dridhjet.
As edhe brinjët që varri i mprehu,
Si kthenim në gozhdë për karriget.

As punët s’linim për ndere të kota,
Që për ta, të vinim lule në mermer.
As pyesnim për fjalët që thotë bota,
Fundja vdekja e di vetë se kë merr.

As si zamkë s’do bëheshim të butë,
As për poste s’do t’i shisnim gratë.
Ne mund të vriteshim dhe në luftë,
Po u vranë të tjerë, ne s’ patëm fat.

 

MOTRAT

Si imazhe yjesh enden në eter,
Po katër heqin dorë nga vetja.
E kjo në jetë ndodhë njëherë,
Ditën që martohet e pesta!

Në pasqyrë, nuk rrinë gjatë,
Druhen njëlloj, njëra e tjetra.
Druhen se mos bëhen shkak,
E nuk ndrin sa duhet e pesta.

Natën e fundit,grisin shpirtin,
Bëjnë modele flokësh në letra.
Shpikin të kuq, rimel shpikin,
Të zbukurohet vetëm e pesta.

Kur të gjithë sytë shohin atë,
Të katër motrat ndihen të qeta.
E njëra prej tyre dëgjon një zë,
Po ti, kur do bëhesh “e pesta”?

Ajo në çast kthehet në ëndërr,
Thotë ca fjalë, jo aq të thjeshta:
-Atë ditë që ti, do jesh dhëndër,
Atë ditë, unë do jem “e pesta”!

 

DUKE NDJEKUR TY

Duhet të di gjithçka, në detaj,
Për avionët, lartësitë e frikën.
Sa kohë që atje, diku në skaj,
Është një grua që si mall ikën.

Për trenat që harbohen si kuaj,
E malin e shqyejnë me dalldi.
Sa kohë që pas xhamit, e huaj,
Është një grua, ikur në arrati.

Dhe të njomë cepin e shamisë,
Në ëndrra që e mundin burrin.
Sa kohë në trenin që u gremisë,
Është një grua që ma heqë trurin.

Të di për sëmundjet, gjithçka,
Kur vijnë papritur, nëpër natë.
Sa kohë që pranë teje, në krah,
Është një grua që thua s’dihat.

Për qelizat dhe për indet e butë,
E që duhet me frymë të preken.
Sa kohë duke u lutur:-Më puth!
Është një grua që rivretë veten.

Pastaj të gjej ku shfaqen plagët,
Në pore, në gjinj. Ah jo në gjinj!
Sa kohë që, ndërsa si ule armët,
Është një grua që s’fle në brinjë.

Dhe kur frikën ta kem lënë pas,
A ankthet që i kisha në mendje.
Të flak tej çarçafët, të të rivras,
Të prish gjumin se më çmende!

 

GRIMCAT TONA

Po, ne jemi mijëra grimca të ndara,
Dhe kur në pluhur bëhemi harresë.
Sërish e nisim ndarjen nga e para,
Grimcat që mbeten ndajmë në mes.

Ca grimca s’dihet ku ikën si malle.
Në dashuri, zënë peng nga të tjerë.
Ca grimca me kohë janë në varre,
Po emri ynë nuk është në mermer.

Ca grimca të tjera i ka lodhë udha,
Qafën thefshin, si duam në portë.
Se janë imazhe grash që si putha,
A imazhe burrash! Për ty flas kot!

Ulemi të dy përball si pas një lufte,
Të shohim sa gjëra i kemi mangët.
Po s’të pyes për grimcat që humbe,
E ty në gulçe loti, të kthehen fjalët.

Pastaj zgjat dorën tek ty, si fshehur,
Ti shikimin fshehur, mbi mua tretë.
Unë jam grimca që të kam mbetur,
E ti e vetmja grimcë, në një skelet.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s