Poezi nga Xhemal Gora
I PRENË PISHAT …
(pas vendimit të bashkisë për prerjen e pishave
te “bar Rinia” në Fier)
I prenë pishat,
në lulishte te Bar Rinia…
I prenë…
Qyteti mbeti cullak, pa mushkri!
Dhimbja, në formë dallge
mbuloi lagjet, qytetin…
Mjegullat e kujtimeve,
si mjerimi i pëllumbave dhe zogjve,
që aty kishin cerdhet,
ikën, duke klithur në arrati…
Lot sysh të pa njohur,
si xixëllima yjesh nëpër kujtime,
shkunden degëve nga gjethet rënë përdhe…
Kush thotë se drurët s’ndjejnë…
Rrathëve të trungjeve janë të gjitha kohët,
bisedat, fjalimet, shpresat,
këngët, zhgënjimet, përmbytjet, tërmetet…
takimet… puthjet…
Oh… qëndrës mos ia prisni pishat…
Të gjitha mblidhen, kryqëzohen dhe marrin jetë,
kur vimë atje…
Në mes trendafilave, mëngjes dhe mbrëmje,
miljona cicërima dashurishë…
mes ylberësh, freskia, gjelbërimi…
Një bisedë miqsh,
në orën e kafes në qëndër,
mes pishash në ditë pushimi…
Dasmat, lindjet, përcjelljet,
të gjitha… në rrathët e trungjeve…
Dhe tymrat e luftrave, klithmat për liri…
Dhe humbja e shpresës, zhgënjimet,
ishin stacione pushimi…
këtu te ti…
i përcillje dhe prisje
dëshpërimin…varfërinë…
nën hijen e freskisë magjike,
Ku fjalës i humbiste kuptimi…
Ku zëri s’dinte të fliste…
Tani… në bashki…dikush hodhi firmën…
(të pa ngopur nga babëzia…)
Nga gropat që do të hapin,
aty në qëndër, në kryqëzim,
do t’ju shkulin rrënjët…
Të varrosin për të shuar (dhe betonuar)
gjithë dashuritë dhe dhimbjet
e kujtesës së qytetit tim…!
21 Maj, 2017