Kur dita dhe nata ishin gjetiu ( Fragmente) / Nga: Pirro Shtika

Kur dita dhe nata ishin gjetiu

 

Nga: Pirro Shtika

Lajmi i shpresës

Deri atë çast, ditët kishin rrjedhur të gjitha njësoj, kur je i papunë ato i ngjajnë tmerrësisht njera tjetrës dhe sidomos kur vjen mëngjesi e ndjen më shumë monotoninë, sepse një çast të duket se do të ngrihesh si përherë, do të lahesh, vishesh e bëhesh gati për në punë, pastaj kujtohesh që gjithë kjo i përkiste të kaluarës dhe zhyteshe në dëshpërim. Nëse kapërceje pragun e shtëpisë, ishte thjesht për ta plotësuar në detaje papunësinë, duke u sorollatur në qendër të qytetit. Shumë shpejt, ndryshoi edhe pamja e fytyrës së bashkqytetarëve të mij. Në rrugë shikoje njerëz të vrenjtur si koha, njerëz të ngrysur që qëndronin indiferent karshi saj sepse ndiheshin të pafuqishëm për ta ndryshuar. Gjithkush drejtohej nga hallet, rrugëve të tij, me shpresën e ndonjë lajmi të mirë, paditur se ç’ishte ky lajm e si duhej të ishte, ndoshta dinin vetëm se ky lajm i mirë, ishte bërë shumë i vyer, si një diamant, apo si ujët e pakët në shkretëtirë. Një lajm i mirë, një shpresë e re për mbijetesë. Gjithkush e kërkonte, por ai rrinte indiferent, kushedi ku, egoist, mosmirënjohës dhe nuk afrohej kollaj.

Në një prej ditëve, me Skënderin, u takuam te ‘”kolltukët’’ dhe më premtoi se do të më çonte në Greqi. Natyrisht nuk i besova shumë, por te e fundit nuk ishte kohë për tu thelluar në arsyetime, ishte kohë kur bverpihej instiktivisht.

Nuk e diskutova me të, pasi e vërteta te ai lë shumë për të dëshiruar, mu duk si një shaka, ashtu siç rëndom bënim me këtë shok. Po shakaja  e rëndomtë, si për çudi, po shtrohej për zgjidhje. Dhe atë ditë, pas disa orësh, pritej të vinte një përgjigje. Po, ose jo! Shpresë për më mirë, apo një vdekje e ngadaltë, që shuhej rrugëve të papunësisë. Ikje, përtej vendit, qytetit, lagjes, shtëpisë, ku linda dhe u rrita, për një jetë më të mirë, të ndryshme, apo një jetë mizerje, varfëri, ankth papunësie, stresi i një jete rutinë e pa vlerë, të cilat ishin ngjizur bashkë dhe nuk shkuleshin për qamet. Të rrosh, apo të mos rrosh, ishte vërtet një çështje jetësore e jo thjesht hamletiane, për retorikë letrare, sikundër e përdorim zakonisht duke i dhënë ngjyrë shakaje. Qyteti po vdiste heshtur. Ngjyrat po davariteshin dhe zbeheshin vazhdimisht. Qyteti po jetonte agoninë e vet, e bashkë me të, koha kishte ngrirë dhe marrë ngjyrë argjendi. Ishte një vorbull mendimesh që kundërshtonin njëra tjetrën e që rrezikonin vërtet të më mbanin peng përjetë, nëse nuk do të guxoja, nuk do të sfidoja të ardhmen, e natyrisht në kësi rastesh duhet një dozë e mirë marrëzie.

Familja

Gruan në veçanti, por edhe mua, kjo ndodhi na gjeti mjaft të papërgatitur për këtë provë. Çuditërisht nuk e kisha bërë bisedë me askënd, jo vetëm me gruan, por as dhe me vjehrrin e vjehrrën, jo vetëm me prindërit e mij, por, as me vëllanë dhe motrën, jo vetëm me kunatën dhe baxhanakun tim, por as me shokët e mij më të ngushtë. Edhe pse nuk jam mësuar ta shes lëkurën e ariut pa vrarë ariun, por, disa ditë pas takimit e shkova ndër mend dhe bëra disa përgatitje paraprake, mundësova numra telefonash të disa miqve dhe shokëve, që kishin kohë të ikur në Greqi. Por këto sajoheshin, thjesht, për ndonjë bisedë telefonike dhe disa informacione që mund të më vlenin, nëse ishin përshtatur mirë me punë dhe në përgjithësi në mendësi e me kulturën e domosdoshme. Nuk futja këtu gjuhën greke, që ishte vërtet një histori më vete. Ndërkohë, nisa një kurs paraprak, por jo  të rregullt, me një shokun tim, i cili e dinte mjaft mirë greqishten.

Pas përplasjesh mes mendimesh dhe veprimesh,  më shumë me heshtjen, se sa me zgjidhjen, i drejtohem gruas me pavendosmërinë time.

“Ta provoj  dhe unë njëherë kurbetin, pa copë le të bëhet, si thua ti?”

Gruaja, që ende nuk e kishte kuptuar befasinë e bisedës më të çuditëshme, më të çuditëshme nuk e di në ç’kohë por jo tani, mu përgjigj:

“Ti e di, në se ke koçia, shko dhe provoje!?”

“Domethënë ma jep lejen të shkoj!” e provokoj edhe njëherë.

“Atë e di ti, mua mos më ngatërro me këto të papritura të fshehta, kujton se, unë do ta kem më të lehtë me dy fëmijë të vegjël?” tha duke më treguar të dy vajzat që flinin pranë njëra tjetrës.

“Mirë,”  fola me gjysëm zëri dhe sytë e përlotur dhe për të mos e dhënë veten, shkoj për të rregulluar diçka në bufeja përballë, ose bëra kështu sepse më duhej të gëlltisja emocionet që po më mbytnin e mbi të gjitha të mendoja diçka të qenë.

“Unë nuk të shtyj, por siç e shikon jemi të dy të papunë,”…

Heshtja na pushtoi të dyve. Heshtja dhe mëdyshja  janë si fëmijët siamezë të ngjashëm por dhe të dallueshëm nga njëri tjetri. Si të bëj ? Duhet marrë një vendim?  Tani!  Ose kurrë!  Si?!

I afrohem ngadalë dhe e puth në ballë. Kjo ishte edhe marrje vendimi, i atypëratyshëm sepse, të menduarit shumë në këto raste është i rrezikshëm, nuk të nxjerr gjëkundi, pra, sa më shumë të mendoja aq më e vështirë do të më dukej, por në çast ktheva  vështrimin nga vajzat dhe i thashë vetes:

“Ç’jetë do të kenë me dy prindër pa punë?”

“Kur?” pyeti ajo e zbehtë në fytyrë gjë që ma vështirësonte çdo fjalë.

“Mirë atëhere, të nxitojmë, se koha nuk pret,” lëshova fjalë njëra pas tjetrës duke mbytur atë gjendje të rëndë emocionale që mund të më paralizonte. “Në ora 12 më presin te turizmi. Si thua?” pyeta për ta provokuar sepse dukej hapur ngurrimi i saj.

Heshtje. Koha qëndron për momentin. Minutat kalojnë ngadalë. E dija që për atë, ndryshe nga sa tha më parë, nuk do të ishte kaq e thjeshtë, ndaj edhe prita disa sekonda që u dukën më të gjatat e jetës sime.

“Hajt na vaftë mbarë. Nuk se është qindpërqind e sigurtë, por po e provoj njëherë.”

Nuk e lashë me kaq. Pavendosmëria dhe frika që më pati kapur nga ky vendim, më tepër emocional se sa i planifikuar, kërkonte një shtysë të re. Gruaja, me të cilën kërkoja ta ndaja këtë vendim, ishte e papërgatitur për një përgjigje të prerë. E lashë në atë gjejndje. Dal me vrull dhe hyj te dhoma e prindërve .

“Hee … mirmëngjes,” përshëndes shpejt e shpejt. Kisha frikë se mos mbarohej ajri, ngaqë më dukej sikur prej ankthit po thithja më shumë se ç’duhej.

“Them të nisem për në Greqi sot,” thashë papritur përshëndetjen e tyre.

“Siii!”, shqiptuan pasthirmën të dy me një zë. “S’na ke thënë për një vendim të tillë kurrë, As e ke diskutuar apo shtruar për zgjidhje, si e vendose kaq shpejt?”

“Ja ashtu, si pa dashur dhe si pa kujtuar po e vendos tani. Kam një variant të tillë dhe pa shumë shpenzime. Do të më çojë një shok … ashtu, pa para, të paktën kështu më ka premtuar shumë kohë më parë,” fola duke u munduar të jem sa më i qetë në sytë e tyre, duke i fshehur emocionet dhe frikën që të kap kur nisesh drejt të panjohurës, duhej tu kurseja shqetësimin që zakonisht e bën zemrën e prindit të dridhet e shpirtin të fërgëllojë.

Të dy u panë sy ndër sy e, me një gojë thirrën.

“Po Mira e di këtë vendim?” shtoi mamaja.

“Po, sot e mësoi dhe ajo, pak minuta  më parë.”

“Ç’bëhet kështu o Zot, ç’po na dëgjojnë veshët dhe ç’po na shikojnë sytë!”

Të dy u panë sërish sy më sy, pastaj u kthyen në drejtimin tim.  Në sytë e dy prindërve të mij pashë një pikëllim të madh. Diçka deshin të zhbironin, mbase vendosmërinë time. Isha i gatshëm vërtet për një aventurë të tillë, jo aq e padëgjuar në dukje, nga ato që përflitej në çdo familje, por edhe në  radio e televizion, gazeta e kudo.

“Do ta provoj njëherë, nuk është fare e sigurt, të shohim, mbase na kursejnë në doganë dhe nuk na qasin, prandaj mos e merrni seriozisht këtë punë,” thashë dhe ju dola në krah. “Hajde mama, bëna një kafe ta pijmë bashkë. Pak raki kam matanë dhe e festojmë si me thënë.”

Në qoshe të dhomës, në një krevat të vogël, ishte mbeska ime disa muajshe më e madhe se e vogla ime. Pranë saj motra po mundohej ta vinte në gjumë.

Edhe pse bënim kujdes, zhurmërimat e përgatitjeve, çuan në zgjimin e dy fëmijëve. E vogla si gjithnjë e niste me të qarë. Vajza e madhe, shumë e përkushtuar ndaj të voglës i vinte pranë dhe e puthte ku të mundte. Çanta u bë gati. E lehtë, disa ndresa, dy bluza të leshta dimërore, dy këmishë, dy palë pantallona, xhinset për punë, atletet, portofoli, shami, dhe sëfundi një sanduiç i thjeshtë i mbështjellë me gazetë. Kaq më kujtohet hë per hë. Koha kalonte me shpejtësi. Erdhi dhe ora e ndarjes. Pasi u puthëm dhe i përqafova shpejt e shpejt duke dalë në shkallë, ju përsëris me zë të dredhur:

“Hajt, mos e merrni seriozisht, mbase për nja dy orë do të dukem përsëri. Po e provojmë si gjithë bota. Ika. Mirëupafshin! Adio.”

“Babi, ku po shkon?” pyeti vajza e madhe krejt papritur, ndërsa kaloi vështrimin së pari nga e jëma dhe pastaj mbi prindërit e mij të lotuar. Vajza e vogël kishtë kohë që nuk pushonte së qari.

“Në punë,” i them, “mos u mërzit, do të kthehem shpejt, mundohu të ndihmosh mamin dhe mos ju ndaj motrës së vogël, mos e ler të qajë, në rregull? hajt, edhe njëherë mirëupafshin!”

 

Vazhdon…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s