Universi i fjalës në vëllimin poetik: Kundërpërfytyrimi” të Natasha Lakos / Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Universi i fjalës në vëllimin poetik: Kundërpërfytyrimi” të Natasha Lakos
 
 
Nga: Zhuljeta Grabocka Çina
 
“Kur avitet bota, trupi hap gjinjtë” nëpërmjet këtij imazhi lëvizës makbethian poetja Natasha Lako hap vëllimin e saj “Kundërpërfytyrimi”. Dhe lexuesit të kulturuar i kujtohen elementet nëntekstuale deradianë në kryevargun tek “Këngët e Milosaos” : “Dheu kishte ndërruar lisat/ ujë të ri të detit/ kaltëronte në ditë të re.
Një takim poetik prijetarësh i pakohë në universin e fjalës. Poetja hyn përsëri në tempull e poezisë shqipe si poetja e parë femër përherë me një guxim të ri poetik. Ashtu siç ka ndodhur me çdo vëllim të saj plot risi e origjinalitet. Ajo e ridimensionon poezinë e saj drejt fuqisë përshkruese duke krijuar tashmë shkollën e saj poetike. Natasha Lako përfaqëson zërin poetik femëror më të fuqishëm prej gjysëm shekulli. Një zë emancipues dhe shpirtëror që tejkaloi zvetnimin e konformizmin e dy periudhave të zhvillimit të poezisë bashkëkohore mbas viteve ’70 të shekullit XX dhe dekadave të para të fillimit të shekullit të ri. Ajo, krahas krijuesve modernë në prozë, është përfaqësuese e modernitetit poetik duke përvijuar tiparet më të qënësishme të tij.
 
Përtej vështrimit diakronik të vëllimeve të saj, në sinkroni çdo vëllim ka specifikat e veta dhe përfaqëson rrugën e formimit poetik unikal. Të ambientuar me këndpërfytyrimin mëmësor të ngjizjes së krijesës poetike, prej një “Safo moderne të letërsisë shqipe”. Lexuesi në vëllimin e fundit do të shijojë peshën e pa përsëritshme të fjalës si shenjim edhe pafundësisë së mundësive të asocimeve ndjesore:
 
Fjalën e dua kope, për të mbetur gjithnjë nomade/….dhe… gruan e pashfaqur ende, që vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje…/ Me fuqinë e shenjëzimit të “fjalës lehonë” deri në tërholljet e saj plot të papritura, plot thellësi mendimi e përjetimesh, rritëm e muzikalitet …/që në këngë nuk ka hyrë dhe kur mendon, – do të shprehet poetja “boshësinë e fjalëve plot gjilpëra dhe karfica” …/duke përmbysur sirtarin për të hyrë në intimiteti e njeriut…/ e përndritur në atë labirint ”ku del gjithnjë briri i një filli të një drite tjetër” …/Si për gjërat e vjedhura të kthehemi edhe njëherë nga fillimi, – nënvizon ajo tek poezia “Zonja të bukura”
 
Natasha Lako
 
Me këtë përmbysje rinovuese, poetja sheh mundësi të pafundme shprehjeje e akte komunikimi verbial. Poezia e kundërpërfytyrimit e shpenguar deri në mrekulli, vërtet e shpalos stoicizmin e pretenduar prej poetes. Çdo poezi është një sprovë me vete tonaliteti edhe strukturimi. Aksioni i saj poetik, i ndihmuar prej talentit të lindur e intuitës së përfituar krijuese, e fokuson lehtësisht kameran e saj lëvizëse drejt njeriut universial e natyrës universiale. Poezia e Natashës është e drejtpërdrejtë në kufirin e masës së abstragimit. Ndjesitë emocionale të përjetimit janë drithërues për lexuesin. Duke luajtur bukur me detajin, poetja realizon distancën e një poezia konforte e të lirë pa inponuar interpretim e moralizim. Qartësia e shprehjes, pranvëniet e detajeve brenda poezisë me një thellësi të admirueshme, të lejojnë të vlerësosh dhe të intrepretosh këndimin poetik që është sa i vjetër e mitik në origjinë, aq edhe modern e mbresëlënës në ripërtëritje të vazhdueshme. Poetja të krijon mundësinë për ta parë atë gjatë gjithë ekzistencës së shfaqes së tij artistike. Pikërisht tek këndimi/ vargëzimi ajo rimerr format e narracionit epiko-lirik si një barde e ndërgjegjshme për të modernizuar thelbin ekzistencial e kulturor të shfaqes së tij. Qetësia olimpike e përshkrimeve të gjeografisë shpirtërore poetike në plazmin e vetëdijshëm e suprizues erëborziloku e përshkon gjithë vëllimin. Ai rrjedh i ndjerë e jo i kërkuar e i stisur, është i pa sforcuar por i vetë shpallur me një muzikalitet pritës e jo vetmitar. Mendimi metaforik I fabulës poetike rizgjohet nëpërmjet imazheve të përsëritura metonimikë. Vargëzimi i kulturuar, gjerësia epike e përshkrimit krijojnë një poetikë të strukturuar estetikisht. Palimsesi i portretizimit të njeriut në projektim të shumësisë së tij prozaike nuk e ka penguar poeten të shprehë relativitetin e së bukurës edhe së mirës, neutralitetin e paqjes edhe urrejtjes barbare. Në qerfullën e vargut të saj mbështillet e vërteta si vetë jeta në përkohshmërinë e përjetësinë e saj. Tërësia e poezive të vëllimit është testamenti poetik i Natasha Lakos në të cilin poetja ka ende shumë për të shkruar…
 
Hija e Kullës së Babilonisë bie ende mbi çdo metaforë, bie mbi trupin e çdo gjuhe, bie mbi të gjithë botën atje ku jeta e njeriut thotë fjalën e vet! Kundërpërfytyrimi është gjurma e asaj që ishim e duhet të jemi.
 
…nuk do të kishte kënduar Huancita/ më i sigurt në botë, sikur të mos ishte/ kundërpërfytyrimi.
Po çelin kumbullat e mbushura me lule të bardha, të imta.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s