NJËMIJË VJET ÇAMËRI ( Parathënie per vepren e zgjedhur në gjashtë vëllime “1000 vjet Çamëri”të romancierit Arben Kondi ) / Nga: Prof.dr.Resmi Osmani

NJËMIJË VJET ÇAMËRI         

Parathënie per vepren e zgjedhur në gjashtë vëllime  “1000 vjet Çamëri”të romancierit Arben Kondi  

 

Nga: Prof.dr.Resmi Osmani  

1

Çamëria në Shqipërinë e poshtme,e ndodhur në kufirin jugor te Ilirisë me emrin e lashtë Thesprotia,në përbërje të Pelasgjisë, me brigjet e magjishme të lagura nga Joni i kaltër,qiellndritur me kodra të buta ullibleruara, e fusha të begata! Thesprotia e lashtë e mbretit Fedhon ishte Tokë mitike: e orakullit të Dodonës që fliste me zërin e perëndive, e lumit Akeron, ku varkëtari karont  përcillte shpirtërat në botën e përtejme, e elimëve gjigandë, atdheu i Pirro Burrit, i mbretëreshave Olimpia dhe Daidame, filiza pellazgo-ilirikë nga trungu i Akilit legjendar. Toka e çamëve, pasardhës të tyre, luftëtarë trima, punëtorë e liridashës.Çamëria me shumë bukuri dhe shumë histori, toka e trimave dhe prijësve  kordhëtarë: Gjin Bua Shpatës,Dionis Filozofit, Marko Boçarit, Lule Çaparit, e politikanit dhe shtetarit Abedin Dino, dijetarit mendjendritur rilindasit Hasan Tahsini, e poetit Muhamet Çami(Kuçuku) e Dora d’istrias(Elena Gjika) e trimit legjendar Muharrem Rushiti mësuesit demokrat revolucionar Sali Çeka e deri te heroi Ali Demi.

E vogël Çamëria por të shumtë  burrat e gratë e shquar të saj.

E vogël Çamëria, por e lashtë dhe e lavdishme historia e saj.Zjarri i lirisë është mbajtur përherë i ndezur dhe pema e saj është vaditur me gjak shqiptar.Duke qënë në kufi të botës greke, në rrjedhat e kohës, në udhëkryqet e historisë, ajo është lakmuar për të qënë zotrim i perandorive: romake, bizantine, dyndjeve sllave,otomane dhe pas krijimit të shtetit grek, synimit të tij dhe doktrinave të megali idesë dhe panhelenizmit. Në gjithë këta mijëvjeçarë, në vorbullën e zhvillimeve historike, shqiptarët e çamërisë, të detyruar nga rrethanat, kanë luftuar në mbrojtje të territorit, pronës, jetës, të ekzistencës, gjuhës e kombësisë, të lirisë.Nëntoka e Çamërisë eshtë mbjellë me eshtrat e të rënëve dhe mbitoka është vaditur me gjakun e tyre që është derdhur lumë. Pas shkëputjes nga trungu i shtetit amë më 1913, nga traktati famëkeq i Londrës që ia aneksoi Greqisë, Çamëria iu nënshtrua politikave koloniale dhe shkombëtarëzimit e asimilimit, që arriti kulmin me genocidin e përgjakshëm  dhe zbimin masiv të popullatës nga trojet çame në vitet 1944-45, duke e shpopulluar krahinën dhe mjeruar e zhytur në  vuajtje popullatën e saj me kalvarin e mundimshëm. Ajo plagë ka mbetur ende e hapur dhe s’ka për t’u harruar kurrë.

Kauza për Çamërinë është shtruar për zgjidhje.Ajo është sa kombëtare, aq humane dhe po aq politike, që kërkon angazhimin dhe ndihmesën e të gjithëve.

2

Brezi i ri i shqiptarëve të Çamërisë dhe gjithë bashkëkombasit e tjerë  kanë disa mundësi ta njohin historinë e krahinës: nga rrëfimet e prindërve, që e rrëfejnë atë plot mall dashuri e dhimbje, si një amanet të të parëve, nga folklori, këngët, vallet që janë bukuri më vete, nga studimet dhe publikimet e historianëve dhe dietarëve… dhe letërsia artistike, që edhe pse e bazuar te historia, e paraqet atë me art, në aspektin ideo-estetik dhe emocional, që ngjall përjetime  emocionale dhe plotëson shkallën e njohjes.Çamëria është e pasur në talente, janë të shumtë poetët e prozatorët bshkëkohorë, por për mendimin tim, më i spikaturi dhe i dalluari ndër ta është Arben Kondi.

Arben Kondi, i takon shkrimtarëve të pas viteve 90-të. Ndofta ai është nga të vetmit shkrimtarë, poet e publicist, që krijimtarinë e tij të begatë ia ka kushtuar tërësisht çështjes tonë kombëtare dhe etnisë. Çështja jonë kombëtare ende e pazgjidhur, është poli manjetik që ka tërhequr dhe tërheq krijimtarinë e tij të shumanshme, atë poetike, publicistikën, udhëpërshkrimet, tregimet dhe veçanërisht romanet. Dy janë kahet kahet kryesore të këndvështrimit artistik të këtij autori: Çamëria martire dhe Kosova.

Me Çamërinë, shkrimtarin e lidhin shumë fije:Së pari ajo e gjakut, gjenetike, rrënjët e trungut të tij familjar. Është nga Shalësi I Konispolit, nga ajo pjesë e vogël Çamërie që mbeti Brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë londineze më 1913. Edhe pse I lindur në Tiranë, ai u rrit në familjen e vet me tradita atdhetare, e cila, me kujdesin e të atit Sejdi Kondi, e ushqeu me dashurinë për vendlindjen, Çamërinë, për Kosovën dhe gjithë bashkatdhetarët tanë jashtë trojeve, në Iliridë, Luginën e Preshevës e Mal të Zi, gjithë trojet e grabitura me dhunë, për të cilat ishte derdhur shumë gjak. Ai u rrit e u burrërua me besimin e patundur se kauza e drejtë e shqiptarëve, dhe veçanërisht ajo çame, aspirate e popullatës së kësaj krahine për të gëzuar vendlindjen,tokën e origjinës dhe vatrat e të parëve, është e drejtë njerzore e ligjshme dhe se heret a vonë ajo do të triumfojë.Në ditët tona, pas pavarësimit të Kosovës, kauza çame është shtruar për zgjidhje. Si e tillë ajo është objekt i partive politike, i Shoqatës Atdhetare Politike Çamëria dhe i mbarë shqiptarëve, kudo që janë.Për të duhet të militojnë të gjithë, sikush me mjetet dhe aftësitë e mundësitë e veta.

3

Shkrimtari Arben Kondi, në shërbim të kësaj kauze ka vënë artin e vet, artin e fjalës së bukur e të mençur, artin e fjalës së shkruar. Janë të shumtë librat që ky autor I ka kushtuar Çamërisë dhe problemit çam: Eseja udhëpërshkruese”Rikthim në Çamëri”, “Epiri në një këndvështrim të ri”, “Shqipëria etnike ose njohja e vetvetes, që përbëjnë një triptik sa historic e me vlera njohëse, por edhe me art, bukuri dhe domethënie të drejtpërdrejtë. Vend të veçantë zenë romanet, që edhe pse të shkruar jo në radhë sipas kronologjisë, tashmë që janë plotësuar ,kanë zenë vendin e tyre në tablonë historike duke përfshirë  një periudhë gati njëmijë vjeçare! Nis me “Gjin Bue Shpata-ky princ I madh shqiptar”,”Dionisi i Paramithisë”, “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”, “Shqipterovrasësi Napoleon Zerva” , ”Rikthim në Çamëri”, për t’u mbyllur me romanin “Mëhalla e muhaxhirëve”.

Në këto vepra, në një hapësirë kohore që nis nga mesjeta e hershme në trojet e Vajenetisë( Çamërisë mesjetare) me luftrat kundër pushtuesve sllavë, e më pas atyr turq dhe aleatëve të tyre grekë, kryengritjen antiosmane të prirë nga Dionis Filozofi, Kryengritjet e mëdha antiturke të prira nga kapedanët e mëdhenj të Çamërisë dhe Toskërisë, politikat e hershme për helenizimin dhe asimilimin e popullatës së çamërisë nga misionarë te kishës si Kozma Etoliani, dhe mbërrin në ditët tona, në masakrat dhe barbarinë genocidiale zerviste. Dhe së fundi “Mëhalla e muhaxhirëve” Trajton fatin e çamëve të shperngulur nga trojet e tyre.

Kësisoj, kjo është një vepër e plotë, një korpus artistik monumental që na shpie te rrënjët tona, që ta dimë kush jemi, nga vijmë dhe të dimë se ku shkojmë. Nëpërmjet subjekteve historik dhe ngjarjeve reale, në lëvizjet politike dhe sallonet diplomatike, në selinë e patrikanës fanariote dhe labirintet e errëta të shovinizmit Helen, në fushat e luftës dhe gjakderdhjes,ku manifestohet trimeria dhe qëndresa, dashuria për vendin, autori paraqet të plotë me mjetet e artit historinë ekzistenciale të krahinës, të luftës kundër fillimit të zbatimit të doktrinës së “Panhelenizmit” dhe “Megalidesë” famëkeqe, për shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe gllabërimin e trojeve të tyre me të gjitha mundësitë e mjetet:Që nga ushtria e priftërinjve me Kozma Etolianin deri te hiresia e tij Janullatosi, e deri te dhuna, zjarri dhe hekuri,barbaria,luftërat, dhelpëritë, dinakëritë shoviniste, mohimi i gjuhës dhe kombësisë, me qëllim zhbërjen dhe asimilimin, grabitjen e pasurisë, për të dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre etnike ku jetonin prej mijëra vjetësh.Kjo ka qënë dhe fatkeqësisht mbetet një ideologji dhe strategji konstante e shtetit grek, shfaqje të së cilës manifestohen edhe sot e kësaj dite në praktikat politike dhe diplomatike ndaj vendit tonë.

Vitet kalojnë, kohët ndryshojunë, por mendësia dhe mëtimet kundërshqiptare mbeten po ato. Vorio Epiri zë për ta kryet e vendit. Parë nga gjithë sa tham, vepra e Arben Kondit mbetet aktuale.

4

Me vetëdije të lartë atdhetare për fatin e bashkëkrahinarëve të vet,shkrimtari e zbret këndvështrimin e vet thellë në historinë e Epirit dheThesproti-Çamërisë, te rrënjët, tek gjeneza, tek e vërteta e origjinës dhe prejardhjes iliro-arbërore dhe vazhdimësisë së saj. Duke iu drejtuar së shykuarës, ai troket fort në dyert e së sotmes, ndriçon mendjet e brezave të tanishëm. U rrëfen atyre se nga vijmë, pasaddhës rë kujt jemi. Ngjall ndjenjat e atdhedashurisë dhe forcon bindjen se kauza çame,çështja çame dhe aspirata për rikthim në Çamëri është e drejtë e patjetërsueshme, ligjore, historike dhe humane, pjesë e të drejtave të njeriut mbi bazën e koncepteve modern të së drejtës. Parë në këtë këndvështrim, shkrimtari ka marrë mb vete një barrë jo të lehtë për nga detyrimet, atë të misionarit.Pa e tepruar, e them se ai është vazhdues i sotëm i veprës së rilindasve tanë të shquar, por në një kohë tjetër. Ai le të kuptohet se pas pavarësimit të kosovës dhe ringjalljes të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve në Iliridë, Preshevë e Bujanovc, Mal të Zi dhe Çamëri, mund të themi se shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve, për realizimin e idealit rilindas, vullnetit të Lidhjes së Prizrenit, të përfshirjes së gjithë shqiptarëve në shtetine tyre kombëtar. Kjo aspiratë nuk realizohet vetiu, si një process evolutiv natyror, por kërkon përpjekje nga kushdo, nga çdo shqiptar, kudo që ndodhet,por veçanërisht nga intelektualët, inteigjenca krijuese dhe veprimtarët shoqërorë e politikë. Me të gjitha mënyrat dhe mjetet e botës demokratike, ku vend përësor ze edhe fjala e shkruar me mjetet e artit, si ushqim I shëndetshëm shpirtëror për një të drejtë të mohuar, për të cilën kanë gjithë të drejtën e zotit.

5

Pa asnjë mëdyshje, me koshiencë të plotë,duke lënë mënjanë shumçka tjetër, me veprën e vet letrare, sa artistike, patriotike dhe militante, Arben Kondi, që prej më shumë se njëzet vitesh, e ka vënë veten, talentin e tij dhe jetën, në radhët e para të veprimtarëve të kauzës çame.Duhet vënë në dukje, se së pari ajo është një krijimtari artistike e mirfilltë.Ajo shquhet për vlerat e saj ideo-artistike, bukurinë e gjuhës, kompozicionit, filozofisë dhe mesazhit që ajo përcjell. Në romanet “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”,”Shqiptaro vrasësi Napoleon Zerva”,”Dionisi I Paramithisë”,Gjin Bue Shpata et. Lëvizin një galeri e tërë personazhesh historikë, kapedanë e gjeneralë, prijës popullor të vërtetë, të individualizuar, me ideale dhe botën e tyre shpirtërore, me qëllime të larta atdhetare, të gatshëm për sakrifica sublime, në emër të atdheut, popullit dhe lirisë. Shumë prej tyre janë personazhe historikë, që kanë hyrë në histori dhe kujtesën e popullit si pjesë e historisë sonë kombëtare.

Thelbi I kontradiktës dhe  forca lëvizëse e këtyre romaneve është ndeshja e së mirës me të keqen, drejtësisë me padrejtësinë, dinakërisë me burrërinë, humanizmit me barbarinë, patriotizmit me shovinizmin, dashurisë me urrejtjen. Gjithë këto kundërshti midis shqiptarëve të Çamërisë dhe Shqipërisë, që luftojnë për mbrojtjen e trojeve të tyre, nga njera anë dhe shtetit grek, andartëve, evzonëve, bandave të egra të kretezëve dhe kriminelëve hapsanikë ,nga ana tjetër.Në faqet e romaneve gjaku i paqfajshëm i shqiptarëve derdhet lumë,për të arritur pikën kulmore me masakrën genocidiale më 27 qershor 1944 në Paramithi, që vazhdoi deri në pranverë të vitit 1945 në rrethinat e Filatit. Lexuesi gjen në faqet e romaneve terrorin e egër, rrëqethës, çnjerëzor, ndaj të pafajshmëve, grave, fëmijëve, pleqve. Ishte një masakër dhe spastrim etnik I pashembullt, ndofta më I madhi në fundin e Luftës së Dytë Botërorë.

Shkaku dhe motive i vërtetë i gjithë kësaj barbarie ishte ngaqë ata ishin shqiptarë! Për turpin e tyre, qeveritarët dhe politikanët e sotëm grekë, të Greqisë europiane, antare e Bashkimit Europian, as kanë kërkuar falje për atë që ka ndodhur(gjë që duhet ta bënin), por çështjen çame e mohojnë, e konsiderojnë të paqenë!

Lexuesi i vemendshëm, nga gjithë sa trajtohet në këto romane, vë re dhe bindet sesa fals është pohimi i disa politikanëve apo historianëve, që për interesa meskine të politikës së ditës, çuditërisht shkruajnë se  midis shqiptarëve dhe grekëve nuk ka patur luftë apo luftëra, se gjoja të dy popujt dhe vendet kanë jetuar në paqe! Ç’ka s’është e vërtetë. Mos vallë shqiptarët kanë luftuar me fantazma?! Ka një të vërtetë, që i nderon shqiptarët: asnjë herë dhe në asnjë rast ata nuk kanë ndërmarrë akte agresioni kundër shtetit dhe popullit grek, por kanë qënë viktimë e agresionit dhe janë kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje. Ata kanë qenë në anën e drejtë të historisë.

6

Në veprën e këtij shkrimtari ,për Çamërinë ka shumë dhimbje, shumë vuajtje, krerë dhe qindra faqe të dhimbshme, nga rreshtat e të cilave kullojnë gjak e lot të pafajshmish dhe vuajtje njerëzore e pafund. Kjo prozë të trondit, të bën të mendosh, të meditosh, të përjetosh në subkoshiencë fakte dhe ndodhi historike të vërteta, të pasqyruar me art e realizëm. Lexuesi e përjeton atë që lexon dhe bëhet pjesmarrës i ngjarjeve sit ë ishte vetë një personazh. Kupton se haraçi gjakut i derdhur për çamërinë martire ka qënë shumë i lartë dhe se themelet e çdo kombi mbruhen me gjak.

Krijimtaria e këtij shkrimtari për Çamërinë, jo vetëm që është shkruar me shumë art,me gjuhë të zgjedhur, përfshi edhe fjalë të leksikut krahinor për ti dhënë ngjyresën krahinore por edhe figuracion dhe mjete të stilistikes si krahasimet, metaforat e fuqishme, tablotë dhe peisazhet dhe një dinamikë dhe ritmikë e brendshme, dramacitet dhe befasira e të papritura që e mbajnë vemendjen e lexuesit të ngritur e të pashkëputur deri në fund të leximit.

Nuk mund të le pa vënë në dukje se shkrimtari, e ka shkruar veprën e tij me shumë dashuri. Këtë dashuri lexuesi e ndien dhe vetiu i lind ndjenja e zemërimit të ligjshëm, urrejtjes dhe përbuzjes për mbartësit e së keqes duke i përforcuar bindjen se kësaj padrejtësie historike, duhet ti jepet fund. Kjo është forca dhye misioni I artit, dhe kësaj autori ia arrin. Romanet nuk mbyllen me fund të lumtur, port ë mundurit kanë me vete fitoren morale dhe të drejtën historike. Leximi I krijimtarisë së Arben Kondit për Çamërinë I thotë lexuesit:”Mos harro, Çamëria është gjaku ynë I pafalur dhe se na takon neve që të luftojmë me të gjitha mjetet e botës demokratike për të vënë në vend padrejtësitë historike, deri te rikthimi i popullatës shqiptare të Çamërisë në vatrat e saj historike”

7

Arben Kondi është shkrimtar puntor e prodhimtar në krijimtari. Përveç asaj pjese të krijimtarisë që i Kushtohet Çamërisë, janë romanet për Kosovën”Barbarët” dhe “Tmerri”, në të cilët me të njëjtin pathos dhe përkushtim, trajtohen vuajtjet dhe lufta e vëllezërve tanë të kosovës nga pushtuesit sërbë. Si dhe romanet ,nga mbresa dhe përvoja e tij si emigrant në Australi:”Jetë e vështirë në Australi” dhe “Melburni në terr”, që ka në qendër fatin e familjeve aborigjene te atij vendi.

Krijimtaria e tij është pritur mirë dhe është vlerësuar nga kritika me artikuj studimorë nga lexuesit dhe studjuesit në Kosovë, Iliridë e Mal të Zi si dhe nga lexuesit e mërgatës. Ai është ndofta më I lexuari nga shkrimtarët  shqiptarë bashkëkohorë. Ai është i pranishëm thuajse në të gjithë panairet e librit në hapësirat mbarëshqiptare. Në stendëen e tij me logon”Çamëria” ka gjithmonë vizitorë dhe dashamirë të interesuar për krijimtarinë e tij. Nga librat e tij janë shitur mbi 50 mijë ekzemplarë:  në Shqipëri,Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kuptohet, jo në Çamëri, ku portat janë të mbyllura.

Në kuadër të Njëqind vjetorit të Pavarësisë, autori përmblodhi në një botim dinjitoz krijimtarinë e tij më të mirë në tetë vëllime e cila u prit mirë dhe ka ecuri në tregun e librit.

Krijimtaria  e përmbledhur në kolanën me logon “Njëqind vjet Çamëri”, është një ndërmarrje dinjitoze, për ti dhënë lexuesit veprën e plotë artistike të tij për Çamërinë dhe besojmë se do të jetë një ngjarje në fushën e botimeve dhe do të mirëpritet nga lexuesit dhe qarqet letrare.

Shkrimtari është ende i ri dhe në kulmin e punës së tij krijuese. Ai besoj se do të na japë edhe në të ardhmen vepra po kaq të arrira për Çamërinë dhe çështjen tonë kombëtare.

Tiranë, mars-prill 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s