Poezi nga Leonora Lokaj

Poezi nga Leonora Lokaj

 

SHËNIME PËR AUTOREN

Leonora N. Lokaj (1985), u lind në Pobergjë (Voksh) të Deçanit. Qysh në fëmijëri i është zgjuar pasioni për letërsinë, duke shkruar dhe vargjet e para poetike. Poezitë dhe krijimet e saj të hershme u dogjën në luftën më të fundit në Kosovë, por autorja nuk u dekurajua asnjëherë duke vazhduar jetën e saj krijuese. Ka botuar vëllimet e para poetike: “Ta zgjoj botën nga mëkati” dhe “Vrapoj gjurmëve të diellit”. Pas përmbledhjes së vëllimit të tretë poetik që e ka gati për botim, autorja Lokaj do përpiqet për publikimin e romanit të saj të parë, i cili trajton Luftën në Kosovë, sakrificën e mbijetesës së një dashurie në kohë lufte dhe paqeje, si dhe problemet e mprehta sociale të pas luftës.
Aktualisht Leonora N. Lokaj është Master i Shkencave Juridike-Financiare, jeton dhe vepron në Prishtinë.

 

MITI I DASHURISË

Ti Dalilë, bukuri e drunjtë,
mendove që ishe hyjneshë
kur preve flokët e Samsonit,
bukuri e helmosur si fatet e njeriut.
Kur e puthe atë…
fatin e zure me pranga për dore
tu duk vetja se Zeusin e Olimpit
në rrjetë të merimangës e ke zënë.
Ti Romeo prej përralle
me verë të fortë
dehe mitin e dashurisë,
si perlë në sytë e vdekjes
këmbëfati mbi erë vrapove
dhe me një copë ironie në duar
bërë ta besojnë dashurinë,
bukurinë e përrallosur.

 

EDHE UNË SI JU

Edhe Unë si Ju
i kam kënduar dhimbjes,
kam thithë pluhurbardhin
e shekullit të ri,
kam ngrënë turp çdo ditë,
etjen shuar kam
nga djersë e vegjëlisë.
Edhe Unë si Ju
jetova fatin e hebrenjve,
me lot krokodili qava
tragjeditë e Homerit,
shpirtin e varur
në kryqe të stuhive,
në mermer të akullt
e kam shndërruar.
…edhe Unë si Ju,
besova ringjalljen e Krishtit,
ringjalljen e Mësisë.

 

SONTE…

Kujtimet e thinjura
ranë në gjumë me vetminë,
etja u shumëzua,
…e malli u ngrit në katrorë.

 

SHPIRTI NUK SHITET

Thellësi e mendimit matet
si thellësia e detit,
edhe kujtimet shumëzohen
si hojet e bletëve…
Por, shpirti nuk shitet!..

 

NË PËRVJETORIN E DASHURISË

Melodia e një kitare
bëhet rojë e dashurisë,
pikturë e vizatuar në sytë e mi.
Shpirtin tënd të fjetur
zgjoj me përkëdhelje shiu,
faqeve të dashurisë rigojnë kujtimet.
Mos u tremb nga vargjet e mia
ëndrrat tona luajnë me flutura,
qiellit kaltërosh valle hedhin…
Syrit tim lexoje dashurinë e moteve,
gjeje strehën ku mund të pushosh,
në tonin përvjetor të dashurisë.

 

ME KË TË FLAS

Muzeu i Luvrit nuk më kupton,
statuja e paqes
kokën dot se kthe nga unë,
zgavrat e syve plot enigma
thelluar nga koha ishin,
etje për dritë kanë,
sekretin e ndryrë ta shpalosin.

Londra e Parisi,
ta dinë sa e frikshme ishte koha
kur gjarpinjtë
futeshin tinëzisht në gji…
Ndiznin flakë muret e zemrës,
ashtu siç dogjën grekët
muret e Trojës dikur.

 

NËNTORIN E TRETË ËNDËRROJ

Në gjirin e Prevezës
gjumi kur më zë,
frymëmarrjen ia ndiej,
rrahjet e zemrës ia numëroj,
shpirtndritur zgjohem në Valbonë.
Kur fle në shtratin e Tomorit
Perëndi e lashtësisë më përkëdhel,
vullkanin e ndjesisë zgjon,
mendimet e zëna peng lirohen
shpirtvarur mbi degët e Drinit jam.
Kur dashuroj Jonin,
ëndrrës së gjymtuar
këmbët i zgjatën,
si hënënusërorja shkrihem ngadalë
në kaltërsinë e syve të Ulqinit.
Kur dashuroj Vardarin,
mbi gjoksin e tij këndoj,
ziliqarët yje një nga një zbresin
në bregdetin e ëndrrave të mia,
agimin t’i shuan në Tivar presin.
Kur dashuroj Pashtrikun
në shtrat gjetheshpresash shtrirë,
nëntorin e tretë ëndërroj
përqafuar nga dashuritë e mia,
gjurmëve të diellit të vrapoj.

 

BOTË E ÇMENDUR

Pikojnë pikat e heshtjes
mbi plagën time prej relikti,
nën ujëvarat e pritjes
shohë mallin e syve,
qajë me vajin e botës lavire,
këndoj serenatën e dhimbjes.

Botë e çmendur kohëngurtësuar,
fikur qirinjtë e ndjesisë ke,
ndryshku i viteve të lashta
hëngri heshtjen time prej malli,
për pakëz bardhësi jete
lypsare e përjetshme mbeta.

 

TË PRISJA NË NJË ULËSE MALLI

Si një lis i gjatë gjymtyrë këputur,
prisja gjithmonë në një ulëse malli,
kur muzgu hapte krahët qytetin përqafonte
edhe në psherëtimat e natës të prisja,
derisa delli tek shuhej vetën kafshonte.

Sytë e muzgut thyheshin nga pritja,
ti me vije hipur mbi krahët e erës,
nata me fliste në vesh dhe pështynte me zili,
derisa hëna na i fshinte djersët,
nga rëra e bregdetit ndërtohej perandoria ime për ty.

Valët ofshanin drithëroheshin nga ledhatimet,
në atë çast hutimi grisej çmenduria e natës,
hipur mbi krahët e erës treteshe ngadalë,
derisa agim i dritës i lidhte plagët e mia,
koha përqeshte hapat e pritjes sime plot mall.

 

MBRETËRESHË E JONA MES MALESH TË LARTA
(Deçanit)

Mundohem t’i mbledhë kujtimet e lëna peng,
po koha mashtruese i hëngri pa mëshirë,
rrugëve të jetës shpirt dhanë.
Eci ngadalë mbi kurrizin ku pushon vetmia,
mos me mbajë mëri pse e njëjta më nuk jam.
Era përvajshëm serenatën e dhembjes këndon,
për të na kujtuar kthimin në gjirin tënd,
mërguar ndër kreshtat e hipokrizisë, t’kemi braktisur,
o qyteti im, vegim në vargjet e mia,
pse heshtja kështjellë në zemër të ka ngritur?
Mbi këmbë vetmie pa thënë asnjë fjalë,
Si foshnje e përgjumur na shikon,
lakuriqësinë e trupit tënd të njomë
me jorgan dëbora e ka mbuluar,
dimri më dhemb prej akulli të kafshon.
Derisa shtegtojmë si kalorës të dehur
koha ikën me vrap Maratonomaku,
le gjurmë në kokat tona thinjat e arta,
e ty të ka murosur të nusëruar,
o mbretëreshë e jona mes malesh të larta!

 

STINË MALLI

Nënës
Në heshtje digjet fjala ime,
plot dhembje shpaloset strajcëkujtimi,
buzëmbrëmjes ëndërr boshatisur,
lëkundet shpirti mbi valë rënkimi.
Kockë-lëkur mbetur honit noton,
pa ombrellë ecën pikave të mallit kujtimi,
natës shurdhe e diellit memec bredhë,
fjalë e ëndrra djegur harrimi.
Malli plagos edhe qiellin ëndërrfshehur
…e kujtimi të merr peng në udhën e vet,
mbi stinë malli shpirti zbrazet ndër kohëra,
se harrimi zgjatka njëmijë vjet…

 

VDIS NË ETJEN E SYVE TË MI

Kur të gjithë flenë
shpirti zgjuar më rri,
nudo sorollatet natës,
etshëm përpëliten shikimet
errësirës mistike të kërkojnë ty.
Fjalët janë ndezur flakë,
nga shpirti i zhveshur po çuditen,
dashuria në heshtja mbytur
druan nga lakuriqësia e shpirtit,
ndoshta s’ka durim ta pres dritën.
Nata harron të zhduket,
shpirti çmendurisht proteston,
pritjen e varë në degë lisi…
Nuk mundem më pa ty!
Me lindjen e diellit të lutem eja
…eja vdis në etjen e syve të mi.

 

DASHURI UJKU

Ëndrrës së ujkut të uritur
në stinën e akullnajave,
erdhi qengji buzë lumit
për ta shuar etjen e vapës.
Betohem në mëshirën e ujkut
se qengji u kthye në kope,
dhe njeriu i çuditur nga mirësia
u shndërrua në dashuri ujku.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s