Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

Gruaja që po plaket

Bëra skufe natën
zbukuruar me karfica e diamantë
për të joshur ëndrrat…

Burrat kanë harruar të më joshin.

Karficat e bizhutë e ditës i vë në shtrat: me to fle
dhurata të burrave të humbur
të përgjumur në një tjetër fole.

Gjithë inatin e kam me pasqyrën
Veç ajo më njeh…

Me bastunin tim kërcënoj sendet
Dhe sendet s’ma vënë veshin
Më torturojnë me kujtimet e tyre.

Gjithë inatin e kam me pasqyrën…

Te dritaret shkoj shpesh
Tek tre dritaret ngaqë janë harraqe
Ata s’ma shfaqin atë tjetrën në qelqe
Nuk janë si pasqyra: budallaqe…

…Veç ajo më njeh…

Edhe rruga nuk më jep të njohur
Fundja kaq e ka kujtesë e saj
Ndonjëherë unë i ngre dorën
Dhe pres: rruga të filloj të qaj.

Gjithë inatin e kam me pasqyrën
Veç ajo më njeh…

Qëllon shpesh një luleshitës
Shpërndan trëndafila derë më derë
Po unë diku mes natës dhe klithmës
Nxihem: diamant pa vlerë…

Gjithë inatin e kam me pasqyrën…
Nga dritaret mund të fluturoj
Nga pasqyra, jo…

 

Kërkoj një shpirt të humbur

Kërkoj një shpirt të humbur, ngjyrë lulekumbull, një shpirt të humbur.
E kërkoj unë dhe pse ju do ta gjeni si Kareninën në shinat e trenit.
Kërkoj një shpirt të humbur.

E kërkoj natën me një fener të zbehtë ku hënëzon shpresa
E kërkoj mëngjeseve ku nga gjurmat e hapave avullon vesa
Kërkoj një shpirt të humbur.

E kërkoj nëpër sy, nëpër buzë, nëpër mollëza
Po gjurmët më thonë: ikën, humbën
Dhe unë i lodhur me shpirtin ndër dhëmbë koleksionoj gjurmët.

E kërkoj në hapësirë, në qiellin e zogjve, pastaj në dheun e shkrifët
Një shpirt i njomë gazmor si një njohje,
një mbyllje sysh në puthjen e pritur.

Kërkoj një shpirt të humbur, ngjyrë lulekumbull, një shpirt të humbur.
E kërkoj unë dhe pse ju do ta gjeni si Kareninën në shinat e trenit.
Kërkoj një shpirt të humbur.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s