Flet pedagogia dhe poetja, autore e tre vëllimeve poetike: Ku është Lidhja e Shkrimtarëve, ku janë takimet, ku janë konkurset, ku janë juritë, ku është lexuesi?! / Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Flet pedagogia dhe poetja, autore e tre vëllimeve poetike: Ku është Lidhja e Shkrimtarëve, ku janë takimet, ku janë konkurset, ku janë juritë, ku është lexuesi?!
 
 
Ja këto duhet të na shqetësojnë.
 
“Poezia është bindja ime, ankthi që s’më lë të qetë, që më grish, më ngacmon, më urdhëron, më çon si në ferr, ashtu dhe në parajsë…”. Kështu shprehet poetja Eva Kacanja, në një intervistë për “Albanian Free Press”, gjatë së cilës ajo tregon gjithë emocionet dhe pasionet e saj rreth poezisë së e tillë, q nga momenti i parë kur ka nisur t’i hedhë ndjenjat në letër. “Kur gishtërinjtë dridhen që të shkruajnë, është drithërimë që vetëm ne të letrave e kuptojmë. Himn germës së tingëlluar!”, shton ajo. Teksa ngre më tej edhe problematikën e ditëve të sotme, kur të rinjtë nuk lexojnë më. “E keni vënë re që fëmijët tanë nuk lexojnë më, nuk shkruajnë dot me shkrim dore, nuk formulojnë dot një tekst origjinal? Në 20 vite arsim shoh degradim të gjuhës, mendimit pozitiv, idealizmit, ndjenjës, besimit. Shoh adoleshentë kompjuter dhe analfabetë funksionalë. Kjo është shqetësuese. Brezat që po rriten kanë humbur besimin te fjala, arti, e bukura, estetikja”, nënvizon ajo….
 
***
 
Intervistoi për “Albanian”
 
 
Free Press”: Albert Z. ZHOLI
 
 
Kur dhe si filluat rrugën tuaj drejt letërsisë?
 
Tashmë që jemi të rritur e kuptojmë që vërtet ne i kemi hyrë një rruge siç është ajo e letërsisë. Kur isha fëmijë nuk e mendoja se unë po hedh hapa në një rrugë që mban këtë emër. Duhet të kem qenë shumë e vogël kur kam nisur të shkruaj vargjet e para, por mbaj mend që në klasë të tetë fitova çmimin e parë në konkursin e letërsisë që zhvillohej në shkollë me një poezi kushtuar vjeshtës. Këtë mbaj mend si pikënisje. E më pas kam botuar herë pas here në gazetën lokale. Emocioni më i madh, sidomos për prindërit, kur botova për herë të parë në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Duhet të kem qenë në vit të dytë gjimnaz. Nuk e mbaj mend saktë.
 
Kush ishin shkrimtarët dhe poetët që indirekt ju nxitën në vegjëli për të shtruar penën në letër?
 
Jo, jo, nuk ka qenë asnjë shkrimtar apo poet që më nxiti. Ka ardhur vetë si një thirrje e brendshme. Ndoshta vetë gjaku im, familja ime, lodhja e nënës sime, arti i babait tim që derdhej mbi bakër, dashuria e motrave dhe vëllezërve, natyra e Krujës, hija e Sari-Salltikut.
 
Të gjitha këto më kanë mbështjellë me një dashuri të fortë duke më bërë të derdh mbi letër ndjenjën, pasionin, mendimin dhe refleksionin mbi gjithçka.
 
Më pas vijnë shkrimtarët dhe poetët. Kur fillova të ndërgjegjësohem për çfarë mundem, letërsia klasike u bë ushqimi im. Iku gjumi, humbi vëmendja nga matematika e kimia, u shtua malli për vargun, dëshira për ta njohur, për ta përpunuar, për ta latuar. U bë qëllim në vetvete, Poezia!
 
Ndërsa po të flas për autorët e preferuar, ata janë shumë… E.Alen Poe, Essenin, Pushkin, H.Hajne, U.Uitman, P.Elyar, A.Ahmatova, Sh.Bodler, R.Bërns e shumë të tjerë. Adhuroj edhe Migjenin tonë. Përsa i përket prozës, letërsia amerikane zë vendin kryesor në bibliotekën dhe kohën time.
 
Ishte dikush që e zbuloi talentin tuaj, apo ishit ju vetë që e zbuluat veten?
 
Pyetje interesante. Si gjithmonë, mësuesit e letërsisë janë inspiruesit dhe frymëzuesit tanë. “Ti shkruan bukur, oh sa më emocionove, vazhdo të shkruash!”. Kaq mjafton për një që di të shkruajë, që Zoti ia ka bërë dhuratë këtë talent.
 
Po libri i parë si erdhi dhe si u ndjetë?
 
Në fakt ka qenë e çuditshme. Në vitin 1990 u organizua Olimpiada e Parë Kombëtare e Letërsisë. Një rrugë e mundimshme, por arrita të fitoj vendin e parë në kë, duke nderuar familjen time, gjimnazin “Skënderbeu”, por dhe qytetin e Krujës që nuk kishte përjetuar kurrë një vlerësim të tillë. Sigurisht, fitova dhe bursën në degën Gjuhë-Letërsi pranë Universitetit të Tiranës.
 
Në këtë periudhë, im atë, krahu im i djathtë në tërë rrugën time letrare ndër vite, mendon se unë duhet t’i përmbledh poezitë e mia në një vëllim poetik. Dhe takon ish-mësuesin tim të historisë profesor Ismail Ahmetin, babain e Mimoza Ahmetit që në atë kohë ishte zëri më i bukur i poezisë së re shqipe. Profesori i mori poezitë dhe ia dërgoi bijës poete. Ajo i kishte thënë”Nuk është gati akoma. Le të mbarojë fakultetin njëherë e më pas flasim”. Dhe realisht, pasi mbarova fakultetin në vitin 1994, unë i hyj seriozisht punës për sistemimin e poezive të mia. Në vitin1995, del nga shtypi vëllimi im i parë me poezi ”Statuja e Shpirtit”. Emocion i rrallë. Në promovimin e librit kam parë se ç’efekt ka arti te njerëzit pa dallim moshe a formimi kulturor. Dhe më pas, në botimet “Në fund të zemrës tënde” dhe “Aromë dheu” po i njëjti emocion, edhe pse me pauza në kohë. Poezia është bindja ime, ankthi që s’më lë të qetë, që më grish, më ngacmon, më urdhëron, më çon si në ferr, ashtu dhe në parajsë. Janë gjendjet e secilit prej nesh këto, por kur gishtërinjtë dridhen që të shkruajnë është drithërimë që vetëm ne të letrave e kuptojmë. Himn gërmës së tingëlluar!
 
Ju mbaruat së fundmi edhe Fakultetin e Drejtësisë me rezultate të shkëlqyera. Keni menduar të jeni pjesë e politikës shqiptare dhe pse?
 
Drejtësinë e kam pasur ëndërr në sirtar. Ishte im atë që më nxiti më shumë. Por kjo s’ka lidhje me politikën. I përkas brezit të viteve ’90. Dhe të jem e sinqertë, ka qenë një periudhë kur e mendoja seriozisht hyrjen në politikë, sepse kisha një ideal. Por duke e parë se si është bërë politika, si janë shpërfytyruar përfaqësuesit e saj, si është asfiksuar shpresa në të drejtën dhe të mirën, them me plot gojën “Largqoftë!”. Ndoshta do të më kundërshtoni me argumentin se duhen zëra të rinj, zëra ndryshe për të luftuar për të drejtën dhe njeriun, pra ne që besojmë akoma në ideal duhet të përfshihemi dhe kontribuojmë. Por jo, jam e bindur se do të mbetesha thjesht një ‘Laookont” në miniaturë.
 
Mendoni se mungon kritika e mirëfilltë letrare dhe si mund të nxitet ajo?
 
Kësaj pyetje do të doja t’i përgjigjesha në një plan tjetër. Dihet tashmë sa e vakët është kritika, por të them të drejtën, nuk është kjo ajo që duhet të na shqetësojë nëse arti zhvillohet. Ajo që më shqetëson është se çfarë bëhet në shkolla dhe auditore rreth kritikës letrare, në një kohë kur teksti joletrar zë 60% të formimit të një studenti dhe është i domosdoshëm në jetën e tij për shkak të funksionit praktik që ka. Këtu do të ndalesha. Në drejtim të kësaj, duhet punuar. Për këtë duhet të shërbejë kritika, të jetë një model, pikë referimi për brezat që po rriten pa shkelur në biblioteka. Jeta është bërë frenetike dhe lënda e saj vjen gjysmë e gatshme nga teknologjia që avancon me hapa marramendës. Nuk i shpëtojmë dot. Puna jonë më e mirë është të ruajmë vlerat dhe të reflektojmë mbi to, duke i parashtruar në tekste, në median e shkruar, në konkurse të ndryshme ku rinia të ulet e të punojë mbi letër duke e zhgarravitur disa herë para se të sjellë produktin. Kjo do të ruante në kohë artin. Se nëse arti ruhet, kritika është gjithmonë aty! Lum që erdhi dita të shkruajnë e botojnë të gjithë! Nuk paragjykoj asnjë. Madje mendoj se jemi me fat që njerëzit përsiasin ndjenjat e tyre,që përcjellin mesazhet e tyre në mënyrën e tyre origjinale. Ajo që do të kërkoja unë nga koha artiste është organizimi dhe menaxhimi i artit të fjalës. Ku është Lidhja e Shkrimtarëve, ku janë takimet, ku janë konkurset, ku janë juritë, ku është lexuesi?!
 
Ja këto duhet të na shqetësojnë. E keni vënë re që fëmijët tanë nuk lexojnë më, nuk shkruajnë dot me shkrim dore, nuk formulojnë dot një tekst origjinal? I shoh përditë këto fenomene. Në 20 vite arsim shoh degradim të gjuhës, mendimit pozitiv, idealizmit, ndjenjës, besimit. Shoh adoleshentë kompjuter dhe analfabetë funksionalë. Kjo është shqetësuese. Brezat që po rriten kanë humbur besimin te fjala, arti, e bukura, estetikja. Duke ju falënderuar për intervistën, do ta mbyllja me një thënie të Platonit: “Idetë dhe ndjenjat nuhasin të bukurën!”.
 
 
 
VLERËSIMI
 
“Femra shqiptare, akoma urdhërohet”
 
Dhe pse nuk jam pjesë e politikës, e ndjek duke e analizuar. Femra shqiptare është një vegël e manovrueshme në duart e politikës. Di raste kur në bazë listash kanë fituar femrat e janë spostuar me dhunë duke u mohuar mandate. Për të mos folur pastaj për diskriminimet qysh në strukturat e partive e duke shkuar më larg në institucione. Femra shqiptare akoma urdhërohet. Mendimi i saj është i ngujuar brenda kurorës së flokëve të krehura bukur. Referojiuni parlamentit. A nuk duan deputetet femra të flasin, a nuk dinë?! Nuk i lë kush! Edhe fjalimet e raportet janë të diktuara nga lidershipi mashkullor. Femra është si një aksesor dhe mashtrim i përqindjes në pjesëmarrjen në politikë. Shikoni fushatat e të gjitha partive politike. Mjafton të kuptosh rolin e femrës. Politika duhet ta dijë se mashkulli është më inteligjent por femra ka instiktin dhe këmbënguljen kurdo të arrijë qëllimin e saj. Flasim në kushte te barabarta, gjithmonë”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s