Poezi nga Eliverta Kanina ( Anelli )

Poezi nga Eliverta Kanina ( Anelli ) 

 

LETËR E PADËRGUAR

E lagësht Tirana sot dhe e grinjtë
Të rrënqeth
Si një copë akull mbi gjinjtë…

Të shkruajta e thashë sa munda
Ç’mbetën
I mori me vete për nesër, lutja…

Vetmia s’do fjalë si shiu, që lagin e s’ngrohin
Puthje i duhen
Se dashuria e prish dhe rregullon motin.

Mua pak gjumë më duhet nën këtë qiell të vranët
Të paktën
Në ëndrra gjej atë, që kjo ditë më le mangët…

Ëndrra nuk e ndryshon Tiranën, as motin
Ter mallin e lotin
Për dashurinë, rrotullon edhe globin.

Tiranën si sy i përlotur, e vura nënkresë
E përgjumur
Ty, pres të të bëhem mungesë!

 

KUR BIE SHI…

Si gota vere ma ngrohin trupin kujtimet e tua
Që lagen nga shiu dhe ndrisin
Si qelqe, edhe më të bukura
Të tejdukshme krejt…
Më duhet të të puth ndryshe tani
Në distancë
Me shkrime, që si puthje pa buzë të vijnë
Por më beso, nuk është keq
Është sprovë dashurie dhe kaq…
E tmerrshme është
Të mos kesh kë të puthësh a të duash
Sidomos kur bie shi…

 

ËSHTË KAQ E VËSHTIRË TA KUPTOSH ?

Është kaq e thjeshtë të të duash
sa më duket se e tillë kam qenë
qysh kur kam lindur .
Apo linda kur të njoha ty ?
Si ta shpjegoj ndryshe ,s’di…
Por na mjafton një zile telefoni si shkak
që të vemë e të shtyjmë gardhe
si fqinj të inatosur .
Një emër përmendur shkarazi
na mjafton për ti turbulluar fjalët
Si furka leshi tjehrrim biseda
thurrim triko që s’na duhet ti veshim
për dimra që s’mbërrijnë tek ne
që s’i presim…
Shndërrohen në pellgje edhe sytë me vështrime të acartë
mjafton ti puthim vështrimet
çelin kudo zambakë …
Është kaq e thjeshtë me ty gjithçka
edhe pse unë drithëroj ende dhe trembem nga flladet
që ty të harlisin kurorën
se mos më rrëzojnë shakull.
Sepse unë s’jam hardhi rrushi
të lidhem pas teje për tu ngjitur.
Jam pemë e brishtë në rritje,një pemë
hija jote s’më bën punë,lermë…
Lermë t’ia thith Tokës jetën deri në palcë
Diellit çdo rreze ,në sy e lëkurë t’ia marr
Erërat ti pres , e me forcën time ti zmbraps .
Pranë teje
lermë ti jetoj stinët e të harlisem
Kështu jam e mbetem aty
Vetja ime tek ty…

 

PA SATELIT

Për një çast isha dielli
Krejt e ngrohtë
Afër e larg
E spërndritur
Rreze e dritë
Zjarr e flakë
E portokalltë…
S’kish as yll, as hënë, as ré
Përreth meje asnjë për bé
As të tjerë diej përkarshi
Qielli bubulliu nga marazi
Krejt si ti…
Sa nuk plasi!
I magjepsur
Nga unë priste puthje
Gishtalidhur
pranë meje ti, thoje lutje
E mikluar, në mes teje e qiellit
Buzëpaputhur
Ndjehesha, duke ju ndjerë
E pangutur
Qielli si princ, u kaltërua bukur
Ndërsa ti
Më vije pranë, ikje tutje
Me zili, më përgjoje dukjen…
E joshur
Me ty, luaja, me baluken
Nuk përzgjodha!
Qiellit kryq e tërthor i rashë
Nuk fitova, as nuk humba
Si në bast
Isha dielli!
Për një çast…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s