SPAÇI : Sipas kujtimeve të ish të dënuarit politik Xhemal Bali në këtë burg dantesk / Nga: Agron Mema

SPAÇI : 

Sipas kujtimeve të ish të dënuarit politik Xhemal Bali në këtë burg  dantesk. 

MEMORIE  – REFLEKSION – THIRRJE

Xhemal Bali është nga fshati Vërvë i Çamërisë së Konispolit. Ka vuajtur nëpër burrgjet e ferrit komunist si i dënuar i ndërgjegjes 27 vite. Bashk më lidh një miqësi dhe bashkëpunim. Një intervistë e tij e gjatë e zhvilluar me mua mbi burgjet komuniste është botuar në shtyçin e përditshëm.Ai ka shkruar edhe kujtimet e tij të cilat i ka në dorëshkrim dhe kam pasur fatin ti lexoj. Sot ai sjell këtë shkrim reflektiv e memorativ me rastin e Revoltës së Spaçit, revoltë që përkujtimi i sajë për çudi u anashkalua nga media shqiptare dhe ju kushtua më shumë kronikave rozë. Megjithse në një shkrim dhe intervistë të botuar, Xhemal Bali tregon me detaje këtë revoltë antikomuniste, në këtë shkrim sjell vetëm meorie, refleksion dhe thirrje për mosharresë

 

Agron Mema

Spaçi është një vend i rrethuar dhe i mbyllur nga të gjitha anët në krahinën e Mirditës. Një vend i panjohur , si nga njerzit e thjeshtë, ashtu edhe nga gazetarët, analistët e politikanët. Ky vend u bë i njohur dhe me emër në Shqipëri dhe jashtë kufijve të vendit, sepse komunizmi këtu ndërtoi burgun e tmerrshëm për të burgosurit politikë, burg ku u burgosën njerzit që kërkonin dritë dhe liri, kërkonin që Shqipëria të ishte pjesë përbërse e Europës(jo gjeografikisht, po politikisht dhe ekonomikisht-shën . imi.A.M.). Pikërisht këtu shpërtheu për herë të parë zëri i qindra të burgosurve politikë:”E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA!”. Ja si e mbaj mend unë këtë ngjarje si pjesmarrës i sajë:-Ishte 28 Prill i vitit 1968.Kishim tre muaj që kishim mbaruar së ndërtuari fabrikën e çimentos në Elbasan. Atë mbrëmje, në oborrin e kampit, na rrjeshtuan për dy dhe dy të burgosur politikë që punonin në zyrën teknike, Loli Dhiamandi dhe Tefik Tarrelli, na rregjistruan emrin një për një. Mbaroi rregjistrimi. Na dhanë urdhër të ishim të gatshëm për marshim të gjatë. Atë natë nuk na zuri gjumi fare.Mendonim e merakoseshim se ku mund të na çonin. Mendonim me njri-tjetrin në shumë vende të Shqipërisë, por Spaçit nuk ja dinim emrin dhe s’na shkonte ndërmend kurrë. Të nesërmen erdhi ushtria, policia, karvani i makinave, hierarkët e degës së punve të brendshme me në krye Nevzat Hasnedarin. Na lidhën dy e nga dy me hekura gjermane dhe na hipën në makina. U bë një autokollonë shumë e gjatë.Përpara ushtria e armatosur gjer në dhëmbë me të gjitha llojet e armëve dhe me qentë e policisë. Më kujtohet si sot kur kalonim rrugve dhe fshatrave, njerzit shikonin të habitur dhe shumë kurreshtar. Kur kaluam Peqinin, një grup fëmijësh që loznin, kur panë makinat autokolonë të gjatë, u habitën e brohoritën”USHTRIA-GARANCIA!”. Përpara ishte ushtria…Kur fëmijët panë të burgosur të lidhur në makina, e ndryshuan brohoritjen dhe thanë:”Hajdutë-Hajdutë!” se ashtu i kishin mësuar në shkolla dhe ideologjia komuniste. Me shumë dhimbje dhe lodhje raskapitëse kaloi rruga atë ditë që s’harrohet kurrë. Në mbrëmjen e datës 28 Prill 1968 arritëm në Spaç. Zbritëm nga makinat të lodhur e të dërmuar. Morëm rrobat e burgut. Kur hymë në oborrin e kampit pamë një terren shumë të pjerrët me shkallë –shkallë që na kujtonin përnjëherë shkallët e antikitetit që zbritnin në amfiteatrot e arenat e cirkut të gladiatorve. Na treguan fjetoret-disa gazema të murosura me tallash të përziera me çimento dhe të mbuluara me letër –katrama të zezë. Ato ishin të rradhitura njëra mbi tjetrën si arkivole të zezë që na prisnin për të na varrosur. E gdhimë atë natë. Të nesërmen na mblodhi komisari politik, Niko Kolitari, të cilin të burgosurit e kishin pagëzuar me nofkën”ZILALI”.Kjo nofkë i kish mbetur që kur e pyetën njëherë disa të burgosur për një shpjegim në një temë politike dhe ai u përgjigj:”E dinë Zilali se sa lakra don kali”. Të burgosurit qeshën me vete , por nofka i mbeti”ZILALI”. Komisar Zilali na tha këto fjalë:-Këtu i thonë Spaç!Ka bakër dhe pirit.Bakri çan bllokadën dhe ju do punoni në minierë për të realizuar planin. O planin, o xhanin, tjetër rrugë nuk ka!..Dhe me kaq e mbylli fjalimin komisar Zilali. Nuk përdorte më shumë se katër apo pesë fjalë në fjalorin e tij. Filluam punë në minierë…e ku kishim parë neve punë në minierë?! Minierat e llojet e mineraleve i kishim mësuar në shkolla, po ja ku na erdhi fati të punonim të dënuar në to. Puna ishte tepër e vështirë me vuajtje të tejskajshme për të përballuar mbijetesën. Kështu i kalonim ditët në punë në minierë dhe nga miniera në kapanone. Monotoni e plotë…KUSH KA QENË NË KËTË GROPË TË ZEZË NË DATËN 21-22-23 MAJ 1973 e ka të rregjistruar në imazhin e kujtesës ngjarjen, si një film dokumentar pa regjisor. Urrejtja e mllefi i të burgosurve politik[ë kishte kohë që ishte grumbulluar në mendjet e zemrat e tyre dhe nuk mbahej përbrenda. Konferenca e Helsinkit dhe ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në Evropë e nëpër botë, premtonin zhvillime të reja edhe në kampin socialist. Në konferencën e Helsinkit morën pjesë të gjitha shtetet e Evropës, Amerikës e Kanadasë përtej oqeanit. Vetëm Shqipëria nuk mori pjesë duke e lënë bosh vendin e sajë në atë Konferencë që hodhi themelet e një rendi e sjelljeje të re në botë. Me mospjesëmarrjen e sajë në këtë Konferencë, rregjimi komunist tregoi injorancën dhe izolimin nga bota. NË KAMP PLASI REVOLTA! –Shkak për shpërthimin e revoltës u bë qëndrimi i komandës së burgut ndaj të burgosurit Pal Zefi. Ky mbasi mbaroi masën e dënimit në birucë prej një muaji, nuk arriti të vinte në kapanon kur deshën ta marrin përsëri pa asnjë shkak. Njerzit e komandës me në krye operativin Fejzi Liçaj, donin ta merrnin përsëri në qeli me forcë, por të burgosurit politikë kur panë se një grup policësh po torturonin një njeri, nuk u përmbajtën më… U përleshën të burgosurit me policët…Ngjarja mori karakter politik…U izoluam tre ditë pa bukë dhe pa ujë…Kur pas 29 vitesh rresht, hapësira e tokës shqiptare kumbonte nga parrullat, thirrjet dhe brohoritjet patetike të krijuara artificialisht për Enverin dhe partinë, këto ditë, për herë të parë buçitën edhe thirrjet:-Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë Enver Hoxha! U mblodhën të gjitha stendat për tokë me mbishkrimet komuniste dhe u zvendësuan me parrulla të tjera si:-Rroftë sigurimi europian!Të ecim edhe ne pas Europës! Të jemi anëtar të N.A.T.O-s.
U shkrua një thirrje drejtuar SH.B.A-ve, Anglisë, Francës, O.K.B-së që ta shikojnë Shqipërinë martire dhe të përgjakur, ta shpëtojnë nga komunizmi-ideologji boshe dhe utopike. U muar beze e kuqe në qendrën e kulturës të kampit dhe Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën në flamur i cili u vendos në taracën e pallatit burgut. Për herë të parë pas 29 viteve, flamuri shqiptar valvitej pa yllin e kuq të komunistve. Ashtu siç u hoqën sopatat e simbolit fashist, tani i kishte ardhur rradha yllit-simbolit komunist. Flamurin e ruanin Gjet Kardeli, Neim Pashaj, Ndec Çoku etj. I gjithë kampi u elektrizua duke hedhur parrulla kundër komunizmit. Buçiste vendi nga thirrjet e të burgosurve. Dëgjohej zëri i vëllezërve Bedri dhe Çaush Çoku, Adem Pojanit, Xhelal Malecit, Hisen Xhanit, Luan Burimit, Rexhep Lazrit dhe qindra e qindra të burgosurve që të bashkoheshin me njëri-tjetrin dhe përhapeshin prej gropës së zezë të Spaçit drejt gjithë Shqipërisë.
Për të shtypur revoltën kishin ardhur drejtues të lartë të MPB të drejtuar nga Feçor Shehu, Kasëm Kaçi, Bako Dervishi, me makinat e blinduara ushtarake , Xhorxhi Robo sekretar partie në Mirditë. Lukunia e ujqërve ose panterat e zeza si Kapllan sako, Dilaver Bengasi, Lirim Pullumbi, Llambi Gegeni, Irfan Shaqiri, Koço Josifi, Rustem Çipi, Florjan Kolaneci e dhjetra të tjerë…Në kapm, pas një rezistence të fortë që bënë të burgosurit politikë, më në fund hyri brenda i rrethuar nga një kompani policësh Feçor Shehu. Ai, kokosh pa bisht dhe i tredhur, dridhej dhe përdridhej, shprehte një urrejtje të madhe për të burgosurit politikë sepse kishin poshtëruar komunizmin, partinë, Enver Hoxhën, kishin ulur moralin e autoritetin e P.P.SH-së. Po ky gjerarark i kuq se një ditë do ta pësonte për vete nga diktatura. Nuk e njihte mirë komunizmin, që herë pas here kthehej e hante bijt e vet, ata që i kishin shërbyer e i shërbenin.

Ishte i pathelluar në teorinë dhe praktikën e komunizmit i cili e ndante shoqërinë në dy klasa armike në kontradiktë të përjetshme me njëra-tjetrën. Kishin sjellur disa tonelata hekura, zinxhira, dryna, bishta kazmash. Na arrestuan të gjithve dhe një pjesë të madhe na çuan në Tiranë ku ju nënshtruam një hetuesie të tmerrshme, pastaj na sollën në Rrëshen dhe na dënuan në grupe. Grupe me prokuror Zef Dedën dhe kryetar Filip Lakon, persona që nuk është çudi që edhe sistemi i sotëm pluralist do t’u ketë rezervuar ndonjë post të rëndësishëm, ashtu siç ju ka rezervuar lukunisë të Fehmi Abdiut, Njazi Jahos, Xhevat Hanës(vdekur tani), Spiro Peçit etjerë. Lukunia e kuqe mbronte komunizmin. Luftonte deri në vdekje ç’do tendencë për demokraci. Tani një pjesë e tyre janë ulur prapë në tryezën e pluralizmit shqiptar e drejtojnë shtetin shqiptar, shtet që nuk bën para se mbahet peng nga këto monstra të diktaturës dhe të së kaluarës komuniste. Ju nënështruam një represioni e torture të tmerrshme. Na bën gjyq të ri. Na dënuan nga 15-20 vjet burgim tjetër në gjyqin e Rrëshenit. I tmerrshëm ishte gjyqi që u zhvillua ndaj katër të burgosurve politikë:-Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Pal Zefit, Skënder Dajës më datën 23 maj 1973 ku prokuror qe Dhori Panariti. Katër djem në lule të rinisë, të pamartuar, pa krijuar familje, i DËNUAN ME VDEKJE dhe i pushkatuan në orët e vona të mesnatës në malet e thepisura dhe pyjet e Mirditës. Më vonë PUSHKATUAN tre persona, tre intelektualë, të vlefshëm për familjet e tyre por edhe për vendin dhe demokracinë si:-Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprenca…me dhjetra të tjerë u vranë nga rojet e burgut dhe shumë të tjerë vdiqën në galeritë e minierës me aksidente që i provokonin vet drejtuesit e kampit me porosi të mara nga lart si Shefki Keçi, Refik Beqo, Rexhep Ceroi, Agim Karaj, Beqir Mehmeti, Ahmet Hoxha, Asqeri Gorica, Murat Marta, Hysni Palla, Fejzullah Shehu etj. Një djalë i ri me mbiemrin Ksera nga Goranxia e Gjirokastrës, Mustafa Bajraktari e çemendën dhe vdiq në Burrel.
Kjo është fytra e vërtetë e komunizmit, që vranë mijra burra trima, intelektualë të përmasave europiane, i dënuan me qindra vjet burg, që kanë punuar e ndërtuar veprat më të mëdhaja të vendit tonë në tërë Shqipërinë, për të ndërtuar”parajsën” komuniste siç i thoshin komunistët. Ne që ndjemë thellë shtypjen, u ngritëm në atë ferr të vërtetë kundër thundrës së hekurt duke e paguar me gjak, jetë e mijra vite burg. Këta pluralistët e sotëm, ku kanë qenë në ato kohëra, kur populli shqiptar shtypej, gjymtohej, përdorej si vegla pune me zë në inventar të imët, e NE nuk kishim as të drejtën më elementare? Jua tregoj unë!-Militonin në rradhët e partisë së punës ose ishin zyrtar të sajë në poste të rëndësishëm e i thurrnin ditirambe asajë kuçedre komuniste, ose thurrnin apollogjet e teorisë dhe praktikës komuniste e disa kuadro të devotshëm e vinin atë në zbatim. Rrëzimi i komunizmit nuk qe forca dhe vullneti i pluralistve, por qe lufta e ftohtë gati shekullore e sidomos mbas mbarimit të Luftës së dytë Botërore, ishte amortizimi i komunizmit përballë kapitalizmit botëror. U rrëzua totalisht perandoria e kuqe dhe ju hapën rrugët proceseve demokratike drejt demokracive të mëdha perëndimore. Për fat të keq shqiptarët ishin të fundit që u shkëputën nga pushteti i diktaturës së kuqe deri në fund të vitit 1990. Me gjithë rëzimin e diktaturës komuniste, komunistët shqiptar ndërtuan taktika e strategji të reja dhe ja arritën qëllimit të tyre:-Ata gjoja e shkrinë PPSH-në duke formuar partira me emërtime të ndryshme, por si partitë e majta ashtu edhe ato të djathta një gjlë të bie në sy, Të gjithë kryetarët e tyre ishin e janë ish-komunista;klasat e përmbysuar, të dënuarit poitikë që kishin 50 vjet që luftonin me komunizmin për demokraci perëndimore, nën presionin politik, nuk arritën të organizoheshin në parti politike dhe i detyruan të krijonin shoqata. Si ka mundësi që i burgosuri politik të bënte vetëm shoqata, ndërsa prokurorët që i kishin dënuar, gjyqtarët e drejtorët e burgjeve që në veshët e tyre kumbon ende zëri i hetuesive , i sallave të gjyqeve që u drejtoheshin të burgosurve politkë me fjalët:-Ti je armik i partisë, i pushtetit popullor, i popullit dhe i atdheut, do të shkatërrosh fitoret e socializmit dhe do të sjellësh në Shqipëri imperializmin amerikan dhe atë botëror!, si ka mundësi që këta kanë parti e drejtojnë shtetin sot?! Këta bërtisnin me sa zë në jkokë:-Do të sjellësh dekadencën perëndimore kur atë e kanë fshirë nga faqja e dheut revolucionet proletare me dhunë!…Dhe shpejt e shpejt jepeshin dënimet me pushkatime, ose me burg jo më pak se 25 vjet heqje lirie. Kush ishim ne që dënoheshim?-Zanatçinj, berbera, samarxhinj, këpucar, saldator, kovaç, njerëz ordiner?JO! Ne ishim njerëz të ndershëm, të ditur , të arsimuar e disa edhe jashtë vendit në universitetet më të dëgjuara të botës e me grada shkencore, që e kuptonim mirë murtajën komuniste, ishim kundërshtarë politik, kundërshtar të komunizmit qysh më 1945 kur ai erdhi në pushtet. Ne dhe klasa jonë luftuam dhe u vramë që Shqipëria të ishte pjesë e Europës, anëtare e N.A.T.O-s dhe e të gjtha organimave Europiane e ndërkombëtare. Ne e kuptonim që komunizmi është demagogji, utopi…
Megjithse kanë kaluar vite, 25 vjet, Shqipëria mbetet ende larg Europës.Kjo sepse komunistat e PPSH-së që kanë ndërruar vetëm emër por jo praktikat e të menduarit e të vepruarit, nuk e duan Europën se ajo ka ligje, ka norma demokratike të cilat u rrëzojnë privilegjet me të cilat janë mësuar si pashallarët e kuq. Këta duan gjithmonë trazicion dhe anarshi të pafundme, ndaj i nxisin e i organizojnë ato. Po të ishte e vërtetë që në Shqipëri ka demokraci, prona duhet të kishte kaluar që në fillim tek i zoti dhe i burgosuri politik i cili nëpërmjet punës së rëndë e të papaguar duhej të ishte në nivelet më të larta të shoqërisë. Ne vërtetë që nuk kërkuam hakmarrje e revanshe, por edhe qëndrimin e mbajtur deri tani nga forcat politike e qeveritarët nuk e meritojmë. Meritojmë më shumë. Të mos spekulohet me qëndrimin tonë dinitoz e fisnik. Si ka mundësi që qeveritarët që sÇkanë pasur asnjë lloj pasurie, u bënë pasanikët më të mëdhenj të tokave dhe pronave të ndryshme dhe shpërndarja e tokës bujqësore me ligjin 7501 a nuk është i ngjashëm me atë të Reformës agrare të 1946-ës dhe shtetëzimi i bagëtive dhe i pasurive të tjera më 1948-ën? Që në vitin 1991, kur u përmbys komunizmi e socializmi, pasuria të kthehej tek i zoti, tek origjina.Këto janë parimet bazë të demokracisë. Pra në Shqipëri, që në themel, nuk ka demokraci, por revizionizëm teorik…Atë revizonizëm që bëri Hrushovi më 1956-ën, komunistat shqiptar e bënë më 1991, se nuk shkonin më format e vjetëruara. Ata nuk mund të dalin nga kornizat e tyre…Ne të përndjekurit politikë përqafuam atë forcë politike që emërtoi veten si forca lëvizëse demokratike drejt botës perëndimore. Një pjesë nga neve u ngjitëm në tribunat e PD-së për fitore dhe pas neve vinte e gjithë klasa jonë.Ne ishim njerëz politikë dhe i kishim studjuar kohët dhe rrethanat se ç’farë kishte ndodhur nëpër vendet e tjera të botës në kohë luftrash, revolucionesh, ose përmbysje të mëdha politike. Ne të burgosurit politikë zgjodhëm rrugën e bashkëpunmit me të gjitha ato forca që aspironin për demokraci që vendi të mos bëhej Hungaria e 1956-ës, Indonezia e 1965-ës, Revolucioni kulturor kinez, Kili i Pinoçetit më 1973-in, Kamboxhia e Pol Pilatit dhe as Rumania e Çausheskut. Dhe për këtë nuk jemi pishman. Parimin që problemet ti zgjidhte arsyeja, toleranca dhe jo forca, se athere nuk do të kishte dallim demokracia nga diktatura, ishte më i gjeturi e më njerëzori. Nëpërmjet memories që po shkruaj për Spaçin, ju drejtohem të gjithë ish të burgosurve politikë që janë gjallë dhe të afërmve të atyre që nuk janë gjallë:
-Ju drejtohem si bashkëvuajtës, si vëlla, si prind, si mik dhe shok që kemi qenë nëpër burgje, që dhembja e njërit në ato kohëra kur jetonim në kushte të vështira, ishte dhembja e të gjithve. Ju drejtohem me mendimin tim që të gjithë ne, siç jemi, si brenda dhe jshtë vendit, simbas fuqisë ekonomiko-financiare, të ngremë një stacion televiziv bashkëkohor në një vend sa më të përshtatshëm, për të nxjerrë në dritë vuajtjet tona, përse vuajtëm dhe kush na i shkaktoi këto vuajtje, atë persekutim, diskriminim dhe genocid, sepse donim Shqipërinë europiane. Të nxjerrim nga dheu ato kafka që kanë folur në hetuesi dhe salla gjyqi që donin Shqipërinë demokratike, nuk donin diktator dhe diktaturë.Vendimet gjyqësore i dënuan me vdekje duke i hedhur nëpër varre të përbashkëta, në zalle lumi apo shpate malesh…Ato kafka të vihen nëpër tavolina akuzash dhe të flasin ato vet. Shqipërisë gjatë sundimit komunist i është bërë edhe një zbulim tjetër minerali;ai i skeleteve të njerzve të pushkatuar nga skuadrat e pushkatimeve në orët e vona të mesnatave. Mos ti lemë ato kafka dhe skelete në sensacionet e çudirave kalimtare shqiptare, por neve vet ti marrim e ti vendosim në vendin e duhur. Neve kemi sot potenciale njerëzore e kuadro që të kryejnë detyra të mëdha, prandaj duhet ngritur një stacion televiziv që të shfaqet para publikut shqiptar që përse e humbën dhe sakrifikuan jetën ata njerëz në mbretërinë e komunizmit. Unë për veten time nuk do të kursehem për asnjë lloj ndihme dhe kontributi financiar, do të kontriboj më tepër se kushdo pa pasur asnjë lloj interesi personal dhe familjar, vetëm të dalin në shesh haptazi se kush e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët dhe cila politikë ishte ajo që i vrau ata. Kjo është thirrja ime që u dretohet gjithë bashkëvuajtësve të mi me qëllim që të mos e lënë punën e veprën tonë të gjaklosur të denigrojë e të keqpërdoret nga apogjej të politikës së vjetër. Duke vlerësuar e lartësuar punën e veprën e atyre që dhanë edhe jetën për ardhjen e dmeokracisë në Shqipëri, ne do t’u çjerrim maskën dhe do të shpëtojmë vendin nga disa pseudodemokratë ishkomunistë që e mbajnë Shqipërinë peng dhe nuk e lënë të ecij me hapin e integrimit europian.

Ish i përndjekuri politik e bashkëvuajtës në burgjet e Spaçit e burgjet e tjera të Shqipërisë për 27 vjet.

XHEMAL BALI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s