Orientimi nga Perëndimi – shpëtimi ynë i vetëm ( Artikull i shkruar nga Jani Basho – 1922 ) / Përgatiti materialin: Agron Mema

Orientimi nga Perëndimi – shpëtimi ynë i vetëm
 
 
Artikull i shkruar nga Jani Basho – 1922
 
 
Vendlindja e Dr. Jani Basho është Pogradeci I” liqenit të mjelmave” dhe vitlindja e tij I përket vitit 1892. Dëshira dhe abicjet për arsimim e shpien në bankat e shkollës së gjinazit grek dhe turk në manastir të cilin e mbaron me rezultate të shkëlqyera. Në studimet univerusitare shkëlqen duke zënë vendin e pare në Fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Vjenës në vitin 1914. Duke qenë edhe një activist I nacionalizmit shqiptar, studentët e shoqërisë studentore”Albania” më 28 nëntor të vitit 1920 e zgjedhin kryetar të kësajë shoqate, kjo ndodhi një vit para se të mbaronte universitetin.. Por përveçse kryetar I shoqatës u zgjodh edhe kryeredaktor I I revistës”Djalëria”, organ I kësajë shoqate. Fryma atdhetare përshkoi revistën në shkrimet e sajë nën derejtimin e tij me mesazhe të qatrat për liri , drejtësi dhe dinjitet kombëtar. Punon për 13 vjet deri në vitin1927 si kryekirurg në spitalin e Vjenës, duke gëzuar respektin e kolegëve mjekë austriakë. Në vitin 1927, vjen përfundimisht në Shqipëri. Emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë Shqiptare që ishte në rang ministri, se Shëndetësia nuk kishte ministër në atë kohë. Detyrë tjetër;- ishte mjeku personal i Mbretit Zog . Është themelues i shërbimit mjekësor ushtarak dhe drejtor i parë i spitalit ushtarak të Shqipërisë në vitet 1928 deri në1935. Themelues i shërbimit shkencor të obstetrikës dhe gjinekologjisë në vendin tonë në vitet 1948 deri1956. Nismëtar për ngritjen e institutit të lartë mjekësor në Tiranë dhe i shkollës së parë të mamive në Tiranë. Momentet kulmore të jetës së tij janë refuzimi për të qëndruar në spitalet e Vjenës apo diku tjetër nëpër botë, përpjekjet titanike dhe të mundimshme për të ngritur mjekësinë e re shqiptare, peripecitë dhe goditjet nga sistemi diktatorial e të tjera ngjarje, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e lartësojnë këtë figurë shembullore. Albert Ajnshtajn ka ardhur në Shqipëri në vitin 1932 dhe është pajisur me pasaportë shqiptare nga Mbreti me të cilën iku në Amerikë se përndiqej nga nazistët. Roli i Jani Bashos në këtë çështje është kyç për faktin se njihej aq mirë me mjekët hebrej në Vjenë të cilët ja kanë kërkuar vetë pajisjen me pasaportë Ajnshtajnin duke ditur lidhjen e tij me mbretin. Shkrimi që po botojmë më poshtë, mendojmë se është aktual edhe sot.
 
 
Përgatiti materialin: Agron Mema
 
Po të shikojë njeriu me gjakftohtësi, gjendjen e sotme të brendshme të Shqipërisë, arrin në këtë rezultat: Shqipëria është si një foshnjë lindur para kohe nga Turqia, e cila ishte një grua e sëmurë barsë dhe prej goditjeve të fuqive të reja ballkanike, dështoi duke lindur disa foshnja të dobëta e të sëmura. Serbia, Bullgaria dhe Greqia adoptuan secila nga një prej këtyre foshnjave dhe filluan ti ushqejnë me qumështin e vet. Shqipëria, megjithse u nda, u zvordh me pahir prej Turqisë, ushqehet prapë me qumështin e sajë të helmët. Prognoza për jetën e një foshnje të tillë është e lehtë: Vdekja. Mënyra e vetme e shërimit është ndërprerja absolute e ushqimit të helmët dhe dhënia e një ushqimi të shëndetshëm. Orientimi nga Perëndimi është çështje vitale për ne! Ç’do shqiptar, i cili beson, ndjen që është antarë i një populli, të cilin e çmon, e nderon, për të cilin shpreson, guxon, heq e duron, duhet të dal nga besimi i tij i pasigurt, duhet të shohë qartë e kulluar: a ka të drejtë të besojë në fuqinë e racës shqiptare apo është një i gënjyer? Shekujt kanë kaluar, shekuj të tërë që kur shqiptarët nuk i ka thirrur atdheu në këtë mënyrë si sot, në një numër kaq të madh, për një çështje kaq të madhe, kaq të pranishme, kaq të përbashkët, kaq të lidhur si popull, si shqiptarë. As mund të vijë ndonjëherë një kohë kaq e madhe. Në qoftë se edhe këtë herë nuk e kuptojmë rëndësinë e kohës, nuk e dëgjojmë zërin e ndërgjegjies, athere nuk do të na numërojë njeri për gjë. Të dëgjojë pra sikush zërin e brendshëm të ndërgjegjies, të kuptojë nevojën e kohës, të mendohet, të mbledhë mendjen. Dhe dikush që e ndjen zërin e kohës le të marrë një vendim në veten e vet, sikur të ishte i vetëm dhe të gjithë punën ishte i shtrënguar ta bëjë vet. Në qoftë se shumë mendojnë në këtë mënyrë, atherë bëhet një shumicë e madhe me një fuqi të përbashkët të madhe. Po në qoftë se sikush largohet dhe shpresën e var tek të tjerët, atherë s’ka të tjerë dhe puna qëndron si më parë. Të vendosim zërin shpejt, shumë shpejt.
Të mos themi të çlodhemi dhe pak, të flemë, të ëndërrojmë dhe pak, se mundet që shpëtimi të na vijë vetvetiu. Ai që e la punën e djeshme dhe që sot nuk do ta mbarojë, nesër do të mundë më pak ta mbarojë. Ç’do përtesë, ç’do shtyrje e punës së sotme për nesër, na bën më përtacë, më të plogët, na e bën zakonin e ndyrë natyrë të dytë. Motivet për tu zgjuar, për të lëvizur nuk mund të jenë kurrë më të fortë se sot. Ai, të cilin koha e sotme nuk e shkund, ka humbur sigurisht ç’do ndjenjë. Sot jemi thirrur të gjithë të marrim një vendim të fortë, jo një vendim për të urdhëruar, për të zgjuar ndonjë tjetër, por për të zgjuar vetveten. Duhet të marrim një vendim të cilin ta vërë sikush në veprim për personin e vet. Nuk mjafton sot vetëm fjala, shpresa se punët do të ndreqen ndonjëherë, por duhet një vendim i cili të jetë në të njëjtën kohë dhe punë, i cili të vazhdojë pa u ftohur deri në arritjen e qëllimit. Ç’do shqiptarë le ta përfytyrojë se në ç’gjendje të lumtur do të ishte sot Shqipëria, në qoftë se shqiptarët do të kishin kuptuar rëndësinë e kohës dhe do ta përdornin atë në favorin e tyre. Ç’do shqiptar le të mendojë sot, le të shikojë qartë ç’farë mund të ndodhë nesër. Në qoftë se mbetemi so sot në përtesë, në mosmarrveshje, atherë të përgatitemi për gjithë të këqiat e zgjedhës së huaj, për vobektësinë, shnderimin dhe përbuzjen e arrogancës së invaduesit. Do të shtyhemi dhe do të shkelemi në të gjithë cepat e atdheut, do të përzihemi prej ç’do vendi ku kemi qëndruar, si të kemi therroruar gjuhën dhe kombësinë, të na falet një copë tokë e dorës së dytë dhe kështu të shuhet kombi ynë prej prej faqes së dheut! Kush vjen pas nesh, do të jetë i shtrënguar të mësohet me mendime, me zakone të tjera, të pranojë forma të huaja. Edhe sa kohë do të kalojë, gjer sa të mos gjendet njeri që të ketë parë shqiptarë ose të mos ketë dëgjuar për ta? Po në qoftë se bëhemi burra tani dhe vendosim të punojmë, atherë do të rrojmë të pasur e me nder dhe do të shohim të rritet ndër ne një brez i ri, i cili, neve dhe shqiptarzimit përgjithësisht i zotohet me kujtimet më të shkëlqyeshme. Ne e shohim në mendjen tonë qysh Shqipëria do të lartësohet me këtë brez të ri, do të lavdorohet dhe do të zërë vendin e merituar në botë. Puna varte nga ne, në se duam të jemi antarët e fundit, të pazotë të një kombi, të cilin bota do mos e nderojë, varet nga ne shqiptarët që rrojmë sot, në qoftë se duam të vdesim si popull, të humbim; apo të jemi fillimi i një kohe të re, të shkëlqyer, të jemi ata, të cilve gjeneratat që vijnë do tu detyronin shpëtimin. Të mendohemi, se ne jemi të fundit, në duart e të cilve qëndron gjithë ky nderim. Ne kemi dëgjuar atë ç’ka tha bota, që shqiptarët janë bashkuar. Ne kemi një shenjë të dukshme, një jetë të fortë për bashkimin, kemi kombësinë, kemi një atdhe, pamë ose dëgjuam se kemi një qeveri, dëgjojmë mes nesh nga koha në kohë edhe zëra, të cilët entuziazmohen për dashurinë e atdheut. Ç’farë kërkohet prej nesh nuk është shumë. Na duhet vetëm të mbledhim veten dhe të mendohemi për atë që kemi përpara syve tanë, për fillimin e ORIENTIMIT NGA PERËNDIMI.Të mos lëmë veten të paralizohet prej mendimit, se koha do ti ndreq punët, koha ose ndonjë fuqi tjetër e fshehtë. Ne nuk mund të na ndihmojë tjetërkush, veç ne vetes sonë. Mundet që me shi dhe vesë të bëhen vite të frytshme ose të pafrytshme, por gjërat njrëzore i bëjnë njerzit vet dhe asnjë fuqi tjetër jashtë tyre. Duhet të jemi të verbër në qoftë se besojmë të kundërtën. Por bota thotë se ne të verbër nuk jemi, atherë le të veprojmë sikush duke u menduar që është i vetëm dhe prej energjisë së tij varet shpëtimi i brezave të ardhshëm. Kjo është ç’ka duhet të bëjë sikush, këto fjalë ju betojnë ju shqiptarë, ç’do njërin prej jush. Ju betojnë juve , o pleq! Është një e vetëtë e provuar, që ç’do njeri, i cili ka punuar për një përmirësim, për një reformë, veç mundimeve të mëdha që ka pasur për tu lartësuar aq sa të ndjejë nevojën e përmirësimit dhe të studjojë mënyrën e aplikimit të sajë, luftën më të madhe e ka pasur kundër jush. Se, ju , o pleq, ç’do përparim, ç’do gjë të re e pandehni si shnderim, si prishje, dhe keni luftuar, kini përdorur ç’do mjet deri sa keni fituar luftën. Kështu keni qenë ju fuqia ndaluese e përhapjes së ç’do përparimi të ardhur të ardhur nga mundimet shekullore të gjenive të vërtetë të botës, deri sa u bëtë pluhur, deri sa edhe të rinjtë, të cilët më parë ishin kundërshtarët tuaj, i bëtë për vete. Rezultati i punës suaj është gjendja jonë e sotme. Por, me gjendjen e sotme ne nuk mund të rrojmë në Evropë. Këtë e kuptoni edhe ju, se dhe ju , megjithë pleqërinë tuaj, nuk doni të vdisni. Ata prej jush, që kuptojnë kërkesën e kohës, duhet ta forcojnë djalërinë, ta këshillojnë, ta ndihmojnë në punën e madhe të sajë. Ata, të cilët rrojnë akoma në shekuj të kaluar, i betojnë këto fjalë, që të mos turbullojnë, të mos dalin në rrugë me mënçurinë e tyre, e cila, po të ishte që të na shpëtonte, do të na kish shpëtuar prej vitesh. Këto fjalë u betojnë ju nëpunës dhe të parë të popullit. Përgjegjësia për gjendjen tonë të sotme, për ç’do gjë që do të ndodhë, bie mbi juve. Ndryshimi i madh midis jush dhe shumicës së popullit nga ana kulturore, është një anomali, pa evidentimin e së cilës, mbarvajtja jonë është e pamundur. Dija dhe fuqia nuk duhen përdorur në dëm të të paditurit, të të pafuqishmit, por për krijimin e një harmonie të plotë në popullin tonë në ç’do pikëpamje, për krijimin e kulturës kombëtare, për lartësimin e emrit shqiptar. Rritja e menjëhershme e disa njerzve në një popull mbi kurizin e tij, pa patur meritën e duhur, është një gjë anormale, është një sëmundje që vë në rrezik jetën e të gjithë popullit. Përdorimi i një fuqie të besuar prej shtetit për interesa egoiste, është një faktor, i cili shkakton sigurisht rënimin e vet shtetit. Vyrtyti më i madh, për të cilin kemi nevojë sot, është dashuria për atdheun e provuar me vepra dhe idealizmi i vërtetë. Ikën vitet kur Shqipëria ishte një provincë e Turqisë dhe kur dëmi i sjkaktuar prej abuzimeve dhe punërave të këqia të nëpunësave shpërndahej nëpër të gjithë Turqinë. Sot nëpunësi shqiptar, duke vazhduar me metodën e vjetër shtetrrënuese, pret me thikë në mishin e vet, i bie me sopatë trupit të lisit shpëtues mbi të cilin qëndron.
 
 
Ata shqiptarë të cilët rrojnë akoma me iluzionin se kanë para tyre skllevër, si në kohën e Turqisë dhe jo nënshtetas shqiptarë me të drejta të njëjta, gënjehen tmerrësisht. Një nga të këqijat katrastofike për jetën sociale që kemi trashëguar nga Turqia, është egoizmi, shtimi i fuqisë personale dhe të rrethit të interesave me çdo mënyrë, pa marrë parasysh interesin e përgjithshëm. Si mund të ketë në këtë mënyrë harmoni në shtet, si mund të bëhet bashkimi i shqiptarve, kur sot, për shumicën e nëpunësave, për shumicën e udhëheqësave të tyre, idealizmi, altruizmi, njerëzimi, njerëzimi, themelet e qytetërimit, janë gjëra të panjohura? Ai, i cili pandeh veten se ka një cipë kulture, edhe të cilit shteti i ka besuar një nëpunësi, nuk duhet të ngrejë kokën përpjetë dhe të shohë vetëm veten e vet, por të vështrojë edhe qarkun, të mendohet se është shqiptar, rron në Shqipëri, e cila megjithse tokë europiane, është nga pikëpamja kulturore dhe sociale një vend aziatik. Ky mendim shqiptarin e kulturuar , duhet ta bëjë shumë serioz. Se, ç’rëndësi ka, kur një shqiptar i ndritur, qoftë edhe ministër apo nëpunës tjetër, tundet nëpër rrugët e kryeqytetit, të kryeqytetit i cili është plotë me shqiptarë tëtjerë të reckosur, të stafilosur dhe primitivë deri në shkallë të fundit? Të mendohemi se më në fund jemi në Europë dhe rrojmë si në Afrikë! Po na e kalojnë edhe Karpatorusët! Cilët janë Karpatorusët? Meqënse janë të vetmit që kanë mbetur aq prapa sa edhe neve në Evropë, e shohim të nevojshme të japim disa shpjegime për ta: Në rrëzë të karpateve, ndehet me pamjen e sajë romantike, gjysmë të egër, Karpatorusia, e cila sipas vendimit të Rutenëve që rrojnë në Amerikë, u nda prej Hungarisë dhe u bashkua me Çekosllovakinë(në paqen e Trianonit). Madhësia e tokës është 14 000 Km. Katrorë, banuesit një milionë, 79% e popullsisë janë analfabetë, gjë e cila nuk e ndalon që Karpatorusia të ketë 14 parti politike. Nga këto parti, vetëm njëra është me qeverinë e Pragës. Në mesin e një egërsie afrikane, tërbohen në këtë vend të mjerë propagandat e huaja, që punojnë me ç’do mjet. So shumë larg mesit të Evropës, u mbajt një popull me pahirë në errësirën e mosmësimit dhe nuk u përdorë më mirë se një kafshë. Populli rron nëpër kasolle pa ndonjë orendi shtëpiake njerëzore. Ushtarët që u mblodhën prej këtij vendi në kohën e luftës, nuk bindeshin të flinin nëpër krevate. Përdorimi i thikës, pirunit dhe i pecetës gjatë ngrënies, ishte një gjë e panjohur për ta. Mishin dhe gjellët i hanin me gishta. Këpucët me qafa i pandehnin si barrë e tepërt që s’duhen. Rrobat “alla frënga” i kthenin prapë me fjalën që janë stoli e zotrinjve. Shkrimin e këndimin, të cilin mundohehin tu a mësonin nëpër kurse oficerët austriakë, i pandehnin mjeshtëri që nuk nxehen kurrë. Kur qeveria e Pragës dërgoi në këtë vend miell të bardhë, gratë e atjeshme nuk dinin të gatuanin me të asgjë, e kthyen përsëri dhe kërkuan miell misri. Kur qeveria dërgoi mjekë për luftimin e sëmundjeve, populli ikte maleve duke marrë me vete edhe të sëmurët. Nëpër shtëpitë ku kryqi i kuq kishte zënë ndonjë dhomë, populli thoshte se atje ka ndenjur djalli. Kështu ka qenë gjendja deri para tre vitesh. Por sot është krejt ndryshe. Sot shteti ka hapur shkolla në çdo katund. Për të mësuar edhe njerzit e shkuar në moshë përdoren mjete të veçanta. Gra çeke, mësues dhe profesorë, shëtisin prej katundit në katund, mbledhin popullin, mbajnë fjalime, tregojnë përralla dhe u mësojnë ABC-në. Në një kohë që qeveria e Pragës bën therrorira të tilla nëpër katunde, në qytete bën pallë prifti, maxhari dhe çifuti. Këta janë zotrinjtë e vendit, këta janë edhe politikanët. Sot për sot lufta më e madhe është lufta e gjuhës. Se mbasi në vend fliten tri dialekte, ka dalë një zënkë për çështjen e gjuhës së përbashkët, zënkë e cila helmon atmosferën duke u dhënë fushë veprimi edhe propagandave të huaja dhe duke sjellë shumë ndalesa të mësimit nëpër shkolla. Rakia ka qenë ushqimi i karpatorusve. Por qeveria e Pragës filloi menjëherë luftën kundër këtij mbytësi të popullit. Qeveria e Pragës ka filluar edhe punëra të tjera për kulturimin e vendit, punë që kërkojnë therorira të mëdha njerëzore dhe të holla. Dhe shih njëherë, për tri vjetë në këtë vend, të cilin parësia e Hungarisë e vizitonte njëherë në vit, kur dilte për të gjuajtur arinj, po përhapet kultura me një shpejtësi aq të madhe sa një profesorë i universitetit çek të shtrëgohet të thotë këto fjalë:”Deri sa të zhvillohet një shtet ukrain, i ndarë prej Rusisë, Karpatorusët tanë do të lartësohen, po athere do të duan të bashkohen me vëllezërit e tyre ukarinë të tjerë. Ky zhvillim është vetëm çështje kohe. Për këtë shkak ne e pandehim çështjen e Karpatorusisë me republikën tonë si një çështje të përkohëshme. Ëahtë gjë e mirë që populli ynë ta dijë, se së pari ne kemi marrë përsipër të punojmë sot një çiflik të huaj, të cilin më vonë do të jemi të detyruar ta kthejmë përsëri”. Kjo është karpatorusia, vend afrikan në mesin e Europës, më keq se Shqipëria. Por edhe në këtë vend u hodhën themelet e kulturës këto tre vitet e fundit, ndërkohë që në Shqipëri nuk është bërë asnjë rrugë, asnjë urë, asnjë ndërtesë! Prandaj këto fjalë të betojnë më tepër ty djalëri, juve djelmosha, se juve jeni të zotët për çdo gjë të lartë, për çdo punë të mëdha, se mosha juaj është më afër me pafajësinë, me natyrën. Bëni për vete mjeshtërinë e madhe me dijtë me u menduar, merrni stolinë më të bukur të njeriut, karakterin, jepuni gjallëri e kthejini në vepra mendimet e qarta, punoni sipas kërkesës urdhëruese të kohës, se juve e ndjeni më të pastër zërin e atdheut. Djalëri shqiptare, një kohë e madhe po të pret. Dehu, ndizu me zjarrin tënd që ke përbrenda, nevoja e madhe e mbrojtjes, e shpëtimit të sendit më të shenjtë, entuziazmi i lindur nga dashuria që ke për të, le të ti skuqi faqet, le të ti bëjnësytë të shkrepëtijnë, le të japë akcentin e duhur për efektin, le ti japë gjuhës sate, le ta lartësojë, le ta mprehë zërin tënd. Djalëri shqiptare, koha bërtet për një ndërrim të madh politik, social dhe kulturorë në atdheun tënd, koha bërtet për ORIENTIMIN TONË NGA PERËNDIMI. Entuziazmi yt, kjo fuqi perëndore, që me ndërgjegjie të qetë ti vëshë zjarrin ndërtesës së vjetër, pa u turbulluar aspak nga sytë dyshimtarë, përqeshës dhe trembës. Nuk sheh? Kudo që vete në Shqipëri pengohesh nga gërmadhat e vjetra, je e qarkuar nga murrishtat e kalbura të cilat ta ndalojnë dritën, të kanë zënë vendin e banimit. Shembi, qërroi murrishtat e vjetra, për të ngritur në vendin e tyre ndërtesën e shkëlqyer të idealit tënd, të kohës sate. Bëju hero i punës, i ndërtimit, se herronjtë e mendjes dhe popullit i ke me vete. Inteligjenca e shëndoshë, e paprishur, ç’do shqiptar, që mund të entuziazmohet nga idetë e larta do të jetë me ty. Apeli dhe ndjenja gjallë e dashurisë së atdheut, rreziku i tij, do madhojë, do forcojë edhe më të voglin deri në terrorinë edhe të jetës.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s