E SHKRETA, NËNA IME! / Poezi nga Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka
 
 
E SHKRETA, NËNA IME!
 
E shkreta, nëna ime,
tre ditë e tre netë në koma,
vdiq në një nga datëlindjet e mia…
 
Shuhej e shuhej zemra në ekranin mbi kokë,
mbajtur me rrjeta tubash plastike.
s’i dilte më tërë oksigjeni i gjithë botës
Ajo, lutej të shkonte,
ne se linim të ikte.
 
Binin vijëzat e shpirtit, të kaltra, në ekran,
drejt zeros bursa e jetës së saj
në bisht të grafikut,
vëllai im biolog, i studiuar Parisit,
ia dorëzonte një nga një titujt  panikut…
 
Ç’të bëjnë më mjekët me përzierje kimikatesh,
vrapojnë drejt meje – ilaçi i fundit,
i vogli i nënës.
Unë hyj sërish që t’u dhuroj ca minuta,
po unë s’jam mjek, ia lë në dorë zemrës.
 
Ulem pranë saj, nuk di çfarë i flas,
ajo lëviz qepallat nën maskën plastike,
“Kozmonautja ime, o nënë, ku shkon,
kam frikë të ikësh
në ato fundbotrat kozmike.
 
Të lutem Nën-o, kam frikë pa ty,
dhe zë i tregoj si më lindi një nate,
dua ta prek aty ku s’duron?
Apo tani ta lind unë
përmes një lëngate?!
 
Të kujtohet i them, kur Havaja e Kuçe
ma preu kordonin me dhembë,
s’iu ndodh gërshërë,
kur të piva gjirin dhe bota u përsos,
se bota për ty akoma s’ish bërë?!
 
Dhe shoh se si vijëzat në ekranin e kaltër
ngrihen,
si valëza e Vjosës nga era,
shqyejnë sytë profesorët që kohë kanë fituar
përziejnë kimikate të tjera…
 
E shkreta nënë, tre netë në koma,
me lutjet e mia
u mbajt e kandisur.
Pastaj u lodh e m’u lut; “o bir!
“Më ler të shkoj andej nga jam nisur.
 
Ma pre këtë kordon ajri që bie,
drejt e nga mushkritë e tua,
o djalë,
dhe unë nuk doja
të të nxirrja prej barkut
po ti hidhje shqelma për botën e gjallë.”
 
…….
 
Në koridor me mjekun, aty sy më sy,
u pamë tërë një jetë ….
vendosëm për Po!
Nisu astronomia ime e bukur drejt yjeve
Digj lotët e mi për t’u ngjitur ku do…
 
Kujdes mos të digjen ato gërshetat e mbetura
sa gishti im i vogël, nën vesh.
Kudo që të shkosh,
kësaj datëlindjeje që ike,
përpara do më gjesh…
 
E di përse ike në ditën që më linde,
deshe të më lindje dy herë.
Në fakt unë të linda ty prej një kënge
kordonin e saj duke prerë…
 
Tiranë, 21 gusht 2002- 21 gusht 2015

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s