Poezi nga Mercedes Gega

Poezi nga Mercedes Gega
 
 
Qetësi drithëruese
 
Dita mbledh e hutuar
dhe plaçkat e fundit…
Është për rrugë.
Si përherë në këtë kohë,
veçse sot më duket pak më herët!
E zbehtë drita në sytë e tulatur,
shtrirë mbi një qetësi drithëruese,
e cila mbulonte këtë mbrëmje në ardhje…
E dija se jo çdo qetësi është përfundimisht e qetë!
Ka stuhi që ziejnë qetësisht deri në të çarën më të parë që ju krijohet mbi lëkurë,
nga kureshtarët e patakt,
nxitur për t’i gjetur me patjetër një sepse, çdo pse-je, në kryqëzimet e mendimeve që hasin në vajtje – ardhjet e këtij trafiku të ngarkuar idesh në qarkullim,
herë-herë sporadike
e herë të tjera qëllimisht të kërkuara…
Një stuhi në horizont?!
Dukja nuk është përherë përmbajtje,
për më tepër kur kemi nivele të cekëta vetëbesimi në pranim!
-Gjithësesi,- i them vetëvetes,
stuhitë, në dimra botëkuptimesh,
janë nga më normalet e anormaleve përditshmëri!
 
 
 
Skllav i lirë i zgjedhjes time
 
Jam e qetë në shqetësimin tim
Skllav i lirë i zgjedhjes time,
Sesa i lirë në një tokë premtimesh
nën pranga të arta dyshimesh!
 
 
 
Mos më kërkoni
 
Mos më kërkoni të jem
aty ku s’hyn dielli,
s’mund ta tejkaloj dot mprehtësinë e tij!
 
Në burgje fjalësh
aq më pak mos provoni,
s’e di sa frymëmarrje
do të mbijetoja aty!
 
Mos më kërkoni të këmbej
lotët e mi
me një buzëqeshje në një kopertine reviste mode!
Nuk jam e aftë të bëj
tregti ndjenjash!
Kërkoj mirëkuptimin tuaj,
ndaj ju lutem, mos më kërkoni
të jem e përkryer,
është përtej natyrës sime
të vdekshme!
 
 
Çmim i lirisë
 
Kohë e pakohë
pafundësisht zvarritet
përpëlitur
nën fuqinë e pafuqisë,
rrugë e pa parrugë
udhëton shpresësfilitur
e drejta, për të drejtën e lirisë!
 
 
Ti, vetja ime
 
Ka patur raste,
siç edhe ka,
kur jo pak në hak
ndjej të të jem futur,
një fjalë ndrojtshëm të belbëzuar,
a për një gjest në mes këputur!
 
Raste të tjera ka po ashtu
kur më shumë se duhet
jam nxituar,
jam prekur thellë, kam qarë, kam vuajtur;
pra shkurt e thjeshtë:
Jam keqkuptuar!
 
Ndoshta jo shpesh, por e pranoj,
me një vështrim të kam ndëshkuar,
por po ta dije luftën në mua
i pari do të rendje,
për t’më shpëtuar!
 
Më ndje!
Më fal!
Ti, vetja ime!
Pa ty unë jam e përgjysmuar!
Dallga tek bregu, në çdo stuhi,
përplaset si për t’i thënë:
“Çdo çast, të dua”!
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s